Lajme nga rajoni
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill: Sulmuesit e Banjskës të mbahen përgjegjës
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se sa i përket aktakuzës të ngritur nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë, shteti i tij avokon që sulmuesit të mbahen përgjegjës. Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara, sipas tij, është i njohur prej kohësh. Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës kundër 45 personave, përfshirë edhe ndaj Millan Radoiçiqit, duke i akuzuar për pjesëmarrje në grupin e armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Autoritetet në Kosovë e cilësojnë sulmin si terrorist. Aktakuza ende nuk është bërë publike dhe nuk dihet se kush janë personat e tjerë që janë akuzuar.
Një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar. Gjatë sulmit u vra polici Afrim Bunjaku, ndërkaq në këmbimet e zjarrit që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ai besohet se gjendet në Serbi.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, gjatë një konference në Prishtinë nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të udhëheqjes së Serbisë në sulm – gjë që, më herët, është potencuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pse ajo vetë e ka mohuar. Sa i përket raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Hill tha se të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialog sepse, sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet. Hill tha se këtë qëndrim e ka shprehur edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës që ai zhvilloi në Serbi më 10 shtator. Pas takimit me Hillin dhe Lajçakun, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ai do të paraqesë kërkesat e Serbisë, për shkak të “sulmeve brutale dhe substanciale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.
Ai nuk specifikoi se për çfarë sulmesh bëhej fjalë. Vuçiq tha se në 72 orët e ardhshme ai do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”. Mirosllav Lajçak, ndërkaq, ka deklaruar se gjatë takimit, Vuçiq ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me situatën e serbëve në Kosovë. “Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog”, shkroi në X emisari evropian. Lajçak qëndroi në Beograd, por edhe një më parë edhe në Prishtinë, për të përgatitur rundin e ri të dialogut për normalizimin e raporteve. Pas vizitës në Prishtinë, ai deklaroi se është rënë dakord për një takim në nivel kryenegociatorësh, por nuk dha ndonjë datë për një takim në Bruksel.
Lajme nga rajoni
LVV nënshkruan koalicionin parazgjedhor me tri parti
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike dhe angazhim të qartë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sipas Partisë Guxo, ky koalicion nuk paraqet një bashkim të përkohshëm, por një qëndrim politik të vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.
“Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, transmeton INA.
Në reagim thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë vetëm premtime politike, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.
Po ashtu, partitë vlerësojnë se ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike, me synim një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt në arenën ndërkombëtare, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara.
“Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Lajme nga rajoni
KQZ ka bërë të ditur se AKR dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit zyrtar më 7 maj në orën 24:00, këto dy subjekte politike kanë njoftuar zyrtarisht mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
“Në listën e partive që kanë konfirmuar se nuk do të garojnë në zgjedhje janë gjithsej nëntë subjekte politike, ndërsa AKR dhe Nisma Socialdemokrate janë ndër partitë më të njohura që kanë vendosur të mos jenë pjesë e garës elektorale”.
Sipas KQZ, Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”.
Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes apo formimit të koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026 dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës./Periskopi
Lajme nga rajoni
Kapen mbi 250 kg suxhuk në Shtutgart në autobusin e Kosovës
Më shumë se 250 kilogramë sudxuk dhe produkte mishi u sekuestruan dje në Shtutgart Stuttgart në një autobus nga Kosova, raportuan mediat në Prishtina, duke iu referuar mediave gjermane.
Policia gjermani njoftoi se produktet e mishit u ekspozuan nga era.
“Era e fortë që vinte nga disa çanta në zonën e ngarkesës konfirmoi shpejt dyshimin e tyre për produkte ushqimore të paligjshme. Në total, oficerët sekuestruan 252,8 kg produkte mishi gjatë inspektimit”, raportojnë mediat e Kosovës.
Në të njëjtin autobus u gjetën edhe mallra të tjera, të dyshuara si të kontrabanduara.
Sipas këtyre mediave, kishte cigare, dritare alumini dhe një kondicioner.
Përveç kësaj, u sekuestrua edhe një qen.
Janë nisur procedura për shmangie nga taksat kundër dy shoferëve të autobusëve dhe një mbledhësi mallrash në stacionin e autobusëve.
Shoferët e autobusëve do të përballen gjithashtu me gjoba për importimin ilegal të produkteve të mishit.(INA)
-
Lajme nga rajoni2 months agoStudentët shqiptarë protestojnë në Shkup, Spiropali apelon për respekt të gjuhës
-
Lajme nga rajoni2 months agoDW: Milanoviçi i mbylli derën Vuçiçit dhe i dëmtoi të gjithë
-
Lajme nga rajoni2 months agoNga Skënderbeu te Nënë Tereza dhe Ismail Qemali, Kryeministri Rama promovon Samitin e Diasporës me videon e realizuar me IA

