Lajme nga rajoni
Mbyllet raundi i bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel, s’ka takim trepalësh

Kanë përfunduar takimet e ndara të kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, ndërsa pala evropiane nuk ia doli që t’i bindë ata për një takim të përbashkët.
Faktin se nuk do të ketë takim trepalësh, këtë e konfirmoi Besnik Bislimi, i cili dy herë është takuar me Lajçakun gjatë ditës. Kryenegocitorët kanë zhvilluar takime të ndara me Lajçak gjatë kësaj të marte.
Është ky një nga tentimet e palës evropiane që të organizojë një raund dialogu në nivel te kryenegociatorëve, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do të vijë deri tek takimi i përbashkët.
Një zyrtar evropian i informuar lidhur me takimet ne fjalë kë thënë se është vështirë të parashihet nëse do të ketë takim të përbashkët dhe se gjithçka do të varet nga atmosfera që do të dominojë gjatë bisedave të ndara.
Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës ka përfunduar takimin e ndarë më Lajçak i cili kishte filluar në orën 9 dhe ka zgjatur gati 2 orë. Një takim të ngjashëm, me pas ai e ka zhvilluar edhe me homologun e Bislimit nga Beogradi, Petar Petkoviç, kryenegociatori serb.
Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në raundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Paqartësitë lidhur me mbajtjen e takimit të përbashkët nisën qysh të premten që shkoi, kur kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi nëpërmjet rrjeteve sociale konfirmoi gatishmërinë e palës kosovare për mbajtjen e takimit trepalësh, por se Serbia e ka refuzuar agjendën e ndërmjetësit.
Se kishte keqkuptime rreth agjendës, këtë e kanë konfirmuar disa burime në Bashkimin Evropian. Por këta zyrtarë shpjeguan se të dyja palët janë përgjegjëse për dështimin eventual të mbajtjes së takimit trepalësh. Gjithnjë sipas këtyre burimeve të dyja palët u përpoqën të diktojnë agjendën e takimit trepalësh dhe nuk u dakorduan me kërkesat e ndërsjella, teksa kanë injoruar propozimin origjinal të palës evropiane./ RTK
Lajme nga rajoni
Kosovari kapet me 11 pushkë automatike në kufirin e Kroacisë, po udhëtonte drejt Zvicrës

Një shtetas i Kosovës është ndaluar në pikën kufitare të Tovarnikut në Kroaci, pasi në veturën e tij janë zbuluar 11 pushkë automatike dhe një sasi municioni.
Sipas raportimit të portalit kroat “index.hr”, zbulimi është bërë nga zyrtarët doganorë të Njësisë Mobile të Vukovarit më 31 maj, gjatë një kontrolli të detajuar.
I dyshuari po udhëtonte në drejtim të Zvicrës kur zyrtarët doganorë ngritën dyshime pas kalimit të veturës nëpër pajisjen speciale të skanimit për automjetet transportuese.
Përveç armëve, në veturë është gjetur edhe municion, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat ligjore ndaj drejtuesit të automjetit dhe pasagjerit që ndodhej me të.
Po ashtu, sipas këtij mediumi, automjeti i dyshuar, me targa të regjistrimit të Kosovës, drejtohej nga një shtetas i Republikës së Kosovës dhe po transportonte automjete personale nga Kosova drejt Konfederatës Zvicerane.
Lajme nga rajoni
Ngërçi në Parlamentin e Kosovës! Dështon për të 26-ën herë konstituimi i Kuvendit

Që nga 1 maji, për të tetëmbëdhjetën herë, deputetët kanë refuzuar të formojnë një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kreun e ri të Kuvendit.
Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë nuk ka arritur të sigurojë 61 vota për t’u zgjedhur në krye të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive më 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Saranda Bogujevci nga LVV-ja tha se partia e saj është në pritje të vendimit të Kushtetueses, ndërkaq shtoi se kanë informacione se disa deputetë janë të gatshëm të votojnë për kryeparlamentarin pas vendimit të gjykatës.
Faton Peci, pjesë e koalicionit me LVV-në, tha se në ditët e fundit ka pasur takim mes LVV-së dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, duke thënë se Limaj shihet si partner i mundshëm për qeverisje.
Limaj, partia e të cilit ka tri ulëse në Kuvend, deklaroi se vendi duhet të ketë një shumicë parlamentare, duke shprehur bindjen se Kosova së shpejti do t’i ketë institucionet e reja.
Seanca konstituive pritet të vazhdojë të enjten, më 5 qershor. Kjo është hera e parë që nga nisja e seancës konstituive më 15 prill, që vazhdimi i seancës bëhet pas 24 orësh, pasi deri më tani vazhdimet janë bërë çdo 48 orë. Ky vendim u mor nga kryesuesi Avni Dehari, në konsultim me përfaqësuesit e partive, me qëllim që seanca të mos vazhdonte të premten, kur është festa e Bajramit.
PDK-ja dhe AAK-ja e konsiderojnë Haxhiun si një figurë jounifikuese, duke kërkuar nga LVV-ja ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së për këtë post.
LVV-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kjo parti ka thënë se nuk do ta ndryshojë kandidatin, duke theksuar se Haxhiu e meriton të zgjidhet në këtë pozitë.
Për ta konstituuar Kuvendin, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri dhe pesë nënkryetarët, për të cilët nevojiten 61 vota.
Vetëm pas zgjedhjes së tyre, organi ligjvënës konsiderohet i konstituuar, dhe pas kësaj hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./REL/
Lajme nga rajoni
Porositi vrasjen e gruas, Naim Murseli del sot para gjykatës! Vëllai i Liridona Ademajt: Dhimbja po shtohet, fëmijët po rriten pa nënë

Pak orë para mbajtjes së seancës gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, vëllai i saj, Leonardi, ka thënë se familjes po i shtohet dhimbja teksa ka uruar që gjykimi të përfundojë shpejt.
“Sot në ora 13.20 vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridonës tonë. I ftojmë mediat që ta përcjellin seancën. Dhimbja po na shtohet dhe nuk gjejmë asnjë ngushëllim sa herë e mendojmë dhe e shohim se si dy fëmijë të vegjël po rriten pa nënën e tyre. Urojmë që gjykimi të përfundojë shpejt”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Për vrasjen, në aktakuzë thuhet se e ka planifikuar bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur për ta kryer vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërkohë, Tom Dodaj e ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve