Lajme nga vendi
MEXHITI: PËRKRAHJE TË PLOTË PËR INVESTIMET NË BIZNESET E GJELBRA
Zëvendës kryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot mori pjesë në Konferencën ‘Engjujt e biznesit dhe ekosistemi sipërmarrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, mundësitë dhe sfidat’ ku theksoi rëndësinë që jep qeveria dhe ministria që drejton, ndaj investimeve në bizneset e gjelbra.
Mexhiti, i ftuar në konferencë nga Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi tha se qeveria dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ka prioritet sipërmarrësinë e gjelbër dhe rolin јetik që në këtë drejtim luajnë engjujt e biznesit, si financues të këtyre bizneseve.
‘Engjujt e biznesit nuk janë vetëm mbështetës financiarë, ata janë vizionarë që sigurojnë edhe kapital dhe mentorim në fazat më të cenueshme të jetës së një start-up biznesi. Investimet e tyre nxisin projekte që merren me çështje urgjente ekologjike-reduktimin e emetimeve të karbonit, kujdesin ndaj ujit, menaxhimin e mbeturinave dhe krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme të energjisë’ tha Mexhiti duke shtuar se bota po ballafaqohet me një nevojë urgjente për zgjidhjen ekologjike, dhe pikërisht bizneset e gjelbra po rriten me ide inovative.
Zëvendës kryeministri i Parë Izet Mexhiti tha se mbështesin engjujt e biznesit në sektorët e gjelbër sepse ato lidhin hendekun midis inovacionit dhe realizimit, ata investojnë në sektorë me rrezik të lartë siç është teknologjia e gjelbër, që investitorët tradicionalë mund t’i shmangin.
‘Engjujt e biznesit mundësojnë teknologjitë revolucionare, të tilla si burimet e rinovueshme të energjisë, materialet ekologjike dhe inovacionet e kursimit të ujit, dhe kjo është arsyeja se pse ne jemi të përkushtuar në krijimin e një ekosistemi i cili jo vetëm që i mbështet sipërmarrësit, por gjithashtu i fuqizon engjujt e biznesit të bëjnë investime me ndikim në bizneset e gjelbra’ tha Mexhiti.
Konferenca e sotme u organizua nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në bashkëpunim me Misionin e BE-së në Shkup, ndërsa përfshiu zyrtarë qeveritarë, odat ekonomike në vend, akademikë dhe afaristë, të cilët ishin të përfshirë në projektin disa vjeçar me titull ‘Përgjegjësia sociale e korporatave dhe Engjujt e Biznesit– forca shtytëse për zhvillimin e sektorit privat’, që ka për qëllim rritjen e numrit të kompanive me veprimtari ekologjike.
Lajme nga vendi
SHOK TEMPERATURASH NË MAQEDONI: Pas të ftohtit të pazakontë dhe borës, këtë javë deri në 38°C
Pas valës së pazakontë të të ftohtit që solli reshje bore në Malin Sharr dhe në Pelister të premten, më 24 korrik, si dhe pas mëngjesit të sotëm jashtëzakonisht të freskët për muajin korrik, Maqedoninë e pret një tjetër ndryshim i fortë i motit.
Meteorologu Sllavço Poposki njofton se nga fillimi i javës vendi do të përfshihet nga një masë shumë më e ngrohtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika.
“Që nga e hëna dhe gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje të shpejtë. Në pjesën më të madhe të Maqedonisë ato do të kalojnë 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Povardarisë dhe në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius”, thekson Poposki.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së hënë, më 27 korrik, priten dukuri lokale të paqëndrueshme të motit, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Nga e marta, më 28 korrik, moti do të stabilizohet plotësisht dhe do të mbizotërojë mot me diell, i qëndrueshëm dhe me vranësira të pakta lokale.
Poposki paralajmëron se këto ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha të temperaturave mund të kenë ndikim negativ, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Lajme nga vendi
Sërish shtrenjtohen karburantet nga mesnata
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 3,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 4,50 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 5,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 2,726 denarë për kilogram.
Nga data 28.7.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 93,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 95,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 98,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 48,099 (denarë/kilogram)
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/

