Lajme nga vendi
Mickoski për vendimin e BE-së: Jemi viktimë e çështjeve bilaterale dhe jo e kritereve të Kopenhagës
Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski derisa komentoi vendimin e BE-së për të ndarë Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria në rrugën drejtë BE-së u shpreh se vendi jonë është viktimë i çështjeve bilaterale dhe jo i kritereve të Kopenhagës. Sipas Tij vetëm dy palë i janë gëzuar këtij vendimi dhe ato janë politikanët në Bullgari dhe opozita në vendin tonë.
“Ne nuk duhet ta humbim shpresën dhe nuk duhet të dëshpërohemi. Edhe pse shpeshherë jemi dëshpëruar gjatë këtyre viteve. Unë shpreh keqardhje që kjo po ndodh dhe shpreh keqardhje që ne duhet të jemi viktimë e çështjeve bilaterale dhe jo për plotësimin e kritereve të Kopenhagës. Por ne do të vazhdojmë të punojmë me shumë mund do të vazhdojmë t’i zgjidhi problemet këtu brenda, për të cilat më duhet të pranoj se janë në numër shumë të madh dhe të cilat i kemi trashëguar nga qeveria e kaluar. Është mirë që kemi miq në kuadër të BE-së, është mirë që ata miq duan që ta përhapin zërin tonë në BE, një nga ata miq dhe mbështetës i yni është kryeministri Orban. Kjo që po ndodh këto dy ditë në Ohër paraqet simbol të miqësisë dhe mbështetjes që ne kemi. Qeverisë së Shqipërisë i dëshirojë më të mirën, i dëshiroj që shumë shpejtë t’i përfundojnë negociatat dhe të bëhen pjesë e BE-së. Shpresoj që dhe ne një ditë të jemi pjesë e asaj familje dhe të ulemi në atë tavolinë. Më vjen keq që për këtë vendim vetëm dy palë kanë qenë lumtura dhe kjo pa mëdyshje janë politikanë në Bullgari dhe opozita tek ne. Vetëm këto janë dy palët që iu gëzuan vendimit të BE-së e cila jo që nuk është korrekte por është porosi shumë e gabueshme ndaj qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha Mickoski. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

