Lajme nga vendi
VLEN me sloganin “Kalojmë në vepra”, shënoi i pari nga koalicioni qeveritar 100 ditët e qeverisë së re (Video)
“Kalojmë në vepra”, shënoi i pari nga koalicioni qeveritar 100 ditët e qeverisë së re, në një ngjarje ku morën pjesë liderët, ministrat, zëvendësministrat, deputetët dhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe aktivistë.
Në cilësinë e moderatorit, Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe Transparencë, z. Arben Fetai, theksoi arritjet e rëndësishme të koalicionit, duke përfshirë ndarjen e 100 milionë eurove për komunat, rritjen e pensioneve, luftën kundër bixhozit, krijimin e 600 vendeve të reja pune për mjekë specializantë, si dhe themelimin e Akademisë Shqiptare.
“VLEN nuk është thjesht një alternativë për BDI-në, por një revoltë e kanalizuar që synon ndryshimin e mirëpritur për shqiptarët. Kjo është një mundësi e dhënë nga populli, dhe ne do ta mbajmë këtë amanet me nder e përgjegjësi”, u shpreh Fetai.
Kryetari i Alternativës, z. Zeqirja Ibrahimi, nënvizoi se VLEN ka treguar një dallim të dukshëm në këto 100 ditë.
“Ata që nuk arritën asgjë për 22 vite, ne e kemi bërë ndryshimin në vetëm 100 ditë,” tha ai. Prioritetet e VLEN për të ardhmen përfshijnë reformën në administratën publike, tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ndër të tjera, Ibrahimi spjegoi themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave si një hap të domosdoshëm për avancimin e intelektualëve shqiptarë.
Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe zëvendëskryeministri i parë, z. Izet Mexhiti, deklaroi se VLEN përfaqëson një kualitet të ri në përfaqësimin politik të shqiptarëve. “Ne jemi liderë në qeveri, jo në seli. Koha kur liderët qëndronin larg përgjegjësisë qeveritare ka marrë fund. Tani, për çdo ditë, ne jemi në zyrat tona, duke zgjidhur problemet e qytetarëve,” u shpreh ai.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ministri i Shëndetësisë, z. Arben Taravari, i cili u kyc me video lidhje nga SHBA-të, theksoi se qytetarët shqiptarë më në fund ndihen të liruar nga pushteti 22-vjeçar. “Po ndërtojmë një të ardhme ku fuqia qëndron në duart e popullit, jo në xhepat e të korruptuarve,” tha Taravari, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë tashmë po funksionon në shërbim të qytetarëve, larg korrupsionit.
Kryetari i Lëvizjes BESA dhe kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, kritikoi BDI-në për dështimet e saj, veçanërisht në decentralizim.“VLEN është këtu për të ndrequr padrejtësitë dhe për të garantuar që komunat shqiptare të kenë decentralizim real, jo premtime boshe,” tha ai.
Koalicioni VLEN në këto 100 ditë ka dëshmuar se posedon dituri, vullnet, integritet dhe fuqi reale për ndryshim. Ata potencuan se vijon një luftë institucionale për të sanksionuar të gjitha dukuritë devijuese të qeverisjes së kaluar dhe mbesin të përkushtuar për ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët e këtij vendi, me një qasje të ndershme, transparencë dhe konsistencë drejt përmbushjes së premtimeve parazgjedhore.
Në këtë drejtim, në fund të ngjarjes, të gjithë zyrtarët nga radhët e koalicionit VLEN nënshkruan deklaratën e pranimit të kodit të etikës, me të cilin morën përsipër të shërbejnë ekskluzivisht në interes të qytetarëve dhe do t’i respektojnë të gjitha standardet më të larta demokratike në ushtrimin e kompetencave publike.
Lajme nga vendi
SHOK TEMPERATURASH NË MAQEDONI: Pas të ftohtit të pazakontë dhe borës, këtë javë deri në 38°C
Pas valës së pazakontë të të ftohtit që solli reshje bore në Malin Sharr dhe në Pelister të premten, më 24 korrik, si dhe pas mëngjesit të sotëm jashtëzakonisht të freskët për muajin korrik, Maqedoninë e pret një tjetër ndryshim i fortë i motit.
Meteorologu Sllavço Poposki njofton se nga fillimi i javës vendi do të përfshihet nga një masë shumë më e ngrohtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika.
“Që nga e hëna dhe gjatë ditëve në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje të shpejtë. Në pjesën më të madhe të Maqedonisë ato do të kalojnë 30 deri në 35 gradë Celsius, ndërsa në rajonin e Povardarisë dhe në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius”, thekson Poposki.
Sipas tij, vetëm gjatë ditës së hënë, më 27 korrik, priten dukuri lokale të paqëndrueshme të motit, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Nga e marta, më 28 korrik, moti do të stabilizohet plotësisht dhe do të mbizotërojë mot me diell, i qëndrueshëm dhe me vranësira të pakta lokale.
Poposki paralajmëron se këto ndryshime të menjëhershme dhe të mëdha të temperaturave mund të kenë ndikim negativ, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Lajme nga vendi
Sërish shtrenjtohen karburantet nga mesnata
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 rriten për 3,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i EURODIZELIT (D-Е V) rritet për 4,50 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rritet për 5,00 denarë për litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 2,726 denarë për kilogram.
Nga data 28.7.2026, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 93,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 95,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 98,50 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 98,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 48,099 (denarë/kilogram)
Lajme nga vendi
“TETOVA N`FESTË”: “KREJT E THIRRIN REXHËN” NË ATMOSFERË VERORE!
Nën qiellin e hapur të Banjës së Tetovës, qytetarët patën mundësinë të ndjekin shfaqjen e filmit “Krejt e Thirrin Rexhën”, në kuadër të manifestimit Vera Tetovare, Tetova n’Festë.
Një mbrëmje e bukur kinematografike, e mbushur me emocione, humor dhe atmosferë të veçantë, që bëri bashkë qytetarë të të gjitha moshave.
Tv Koha takoi edhe Artistin e ri nga Tetova, Ledion Mulaku, i cili hapat e parë në aktrim i ka bërë që në moshë të hershme, duke qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe serialeve të rëndësishme në rajon, duke përfshirë filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Shkëmbimi”, serialin ndërkombëtar Sunrise, si dhe projektin e fundit “Krejt e thirrin Rexhen”, ku ai interpreton një nga rolet protagoniste dhe është vlerësuar me çmimin Best Young Actor.
Suksesi i tij është një shembull frymëzues për të rinjtë e Tetovës dhe një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia jonë.
Vera tetovare riktheu në Tetovë filmin “Krejt e Thirrin Rexhën” me një mbrëmje të veçantë kushtuar artit dhe kinematografisë shqiptare.
Ambienti I hapur në Banjë të Tetovës u bë arenë e gërshetimit të brezave dhe interesimit të jashtëzakonshëm të publikut tetovar.
U shijua së bashku një film I jashtëzakonshëm në një atmosferë të bukur verore, ku sipas organizatorëve, “Tetova N`Festë” vazhdon të sjellë kulturë, art dhe argëtim në çdo cep të qytetit.
/Tv Koha/

