Lajme nga vendi
Psikologet ngrenë alarmin: Adoleshentët përdorin lëndë narkotike, probleme me shëndetin mendor
Rritja e përdorimit të substancave narkotike mes të rinjve është kthyer në një fenomen shqetësues në vendin tonë. Psikologia Irsa Ruçi dha alarmin në Ditarin me Bruna Çifligun për rritjen e numrit të adoleshentëve që përdorin lëndë narkotike.
“Sa herë që mbaron mësimi, më ka rastisur që të shikoj në cep pallate të vjetër ulen grupe fëmijësh dhe pinë hashash, që ndodhsta prindi nuk arrin ta dallojë”, tha ajo në A2.
Sipas të dhënave të një studimi të shëndetit publik në vitin 2016, rreth 360,000 adoleshentë janë evidentuar në vend. Përdorimi i alkoolit në moshën 15-19 vjeç arriti në 44% tek meshkujt dhe 7% tek femrat, ndërsa përdorimi i marijuanës ishte 13% tek meshkujt dhe 2% tek femrat.
Sipas saj, këto shifra janë një tregues i rëndësishëm për nevojën e ndërhyrjes dhe sensibilizimit mbi pasojat e këtyre praktikave.
Një tjetër problem në rritje që u diskutua në studion e A2 është edhe shëndeti mendor i të rinjve. Sipas psikiatres Sonila Tomorri, një në 6 fëmijë vuan nga probleme të shëndetit mendor. Sipas saj sëmundjet mendore janë theksuar të kenë prirje gjenetike dhe ndikohen nga faktorë ambientalë si tensioni familjar apo bullizmi në shkollë.
“Një në 6 fëmijë deri 19 vjeç vuan nga probleme të shëndetit mendor, duke përfshirë këtu shqetësime të humorit dhe të sjelljes. Kjo është në të gjithë botën. Edhe pas covid është parë rritje e prevalencës”, tha psikiatrja Tomorri.
Për psikologen Ruçi fenomenet sociale, siç është bullizmi, janë faktorë të përhapur që ndihmojnë në përkeqësimin e këtyre problemeve.
“Bullizmi, që ndoshta nuk diskutohet mjaftueshëm, ndikon dukshëm në shëndetin mendor të të rinjve duke i çuar ata në gjendje vetmie dhe izolimi. Stresi, ankthi dhe frika nga ndëshkimi social janë shqetësime të zakonshme që shumë të rinj përballen në këtë fazë kritike të jetës”, tha ajo në A2.
Sipas tyre lajm i mirë është që gjithnjë e më shumë adoleshentë po kërkojnë ndihmë për këto probleme. Të rinjtë janë duke ndërgjegjësuar veten mbi rëndësinë e shëndetit mendor dhe kanë filluar të drejtohen tek prindërit apo profesionistët e shëndetit mendor për ndihmë.
“Kjo tendencë shpresëdhënëse tregon se stigma e kërkimit të ndihmës po prishet dhe po krijohet një kulturë mirëkuptimi dhe mbështetje ndërmjet të rinjve e komunitetit të gjerë”.
Ajo thekson se është domosdoshmëri që institucionet dhe komunitetet të bashkëpunojnë për të edukuar të rinjtë mbi pasojat e përdorimit të substancave dhe për të promovuar mirëqenien mendore. Investimi në edukimin dhe mbështetjen e shëndetit mendor të adoleshentëve do të ketë një ndikim pozitiv në formësimin e një të ardhmeje të sigurt për brezat e ardhshëm.
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Lajme nga vendi
Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.
Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.
Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.
Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga vendi2 months agoKronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 08 Korrik
-
Lajme nga bota1 month agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

