Lajme nga vendi
Këshilli Gjyqësor vendosi për ankesën e SHGM-së: qortim publik për gjykatësen Spiroska Paneva
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot mbajti një konferencë për media, ku u prezantua publikisht vendimi i Këshillit Gjyqësor, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut.
Më 10 tetor të këtij viti, Këshilli Gjyqësor mori një masë disiplinore – qortim publik për gjykatësen Jovanka Spiroska Paneva, me të cilën u konfirmua se ajo në mënyrë të paligjshme i kishte ndaluar publikut të ndiqte ballafaqimin gjyqësor ndërmjet biznesmenit Koço Angjushev dhe koleges së tij Cvetkovska për rastin “Feroinvest kundër medias IRL”, një proces në të cilin gazetarët u penguan të informonin qytetarët për këtë proces të rëndësishëm gjyqësor.
Në vendimin e Këshillit Gjyqësor është theksuar qartë se, “përjashtimi i publikut gjatë seancave gjyqësore përbën një shkelje të rëndë të transparencës dhe të drejtës për informim, gjë që është me rëndësi thelbësore për lirinë e medias.”

Dragan Sekullovski, drejtori i SHGM-së, theksoi se me veprimin e gjykatëses për largimin e gazetarëve nga salla e gjykatës, liria e medias sulmohet drejtpërdrejt, arsye për të cilën vendimi i Këshillit Gjyqësor është një shembull pozitiv për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
“Ky veprim i gjykatëses Spiroska Paneva konsiderohet si një gabim i rëndë profesional dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Civile. Prandaj ky vendim përbën një pikë kthese për komunitetin e medias. Kjo dërgon një mesazh të qartë se liria e informimit duhet të mbrohet. Njëkohësisht, ky është një hap drejt garantimit të transparencës në proceset gjyqësore dhe se ligjet duhet të respektohen nga të gjithë gjykatësit” – tha Sekullovski.
Më 19 tetor 2023, SHGM-ja dorëzoi ankesë në Këshillin Gjyqësor, duke kërkuar përgjegjësi nga gjykatësja Spiroska Paneva për përjashtimin e publikut nga seanca e sipërpërmendur, si dhe ngritjen e një procedure disiplinore. SHGM-ja mori pjesë aktive në të gjitha katër seancat para Komisionit të përbërë nga tre gjykatës, duke paraqitur prova relevante që konfirmonin veprimet e parregullta të gjykatëses.
Vendimi i Këshillit Gjyqësor tregon se siguria dhe liria e gazetarëve janë me rëndësi thelbësore për proceset demokratike, dhe transparenca e autoriteteve gjyqësore është e nevojshme.

SHGM-ja bëri përpjekje të mëdha në këtë rast dhe vendimi përfundimtar është një konfirmim për rëndësinë e interesit publik dhe të drejtës për informim nga seancat gjyqësore, që duhet të jetë një mesazh për të gjithë gjyqtarët.
Për rikujtim, rasti ka të bëjë me storjen “Komplot kundër ajrit”, e publikuar më 24 tetor 2023 nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL). Reagimet për këtë rast çuan në protesta nga gazetarët dhe punonjësit e medias, të cilët shprehën publikisht revoltën e tyre kundër padrejtësive.
Gjithashtu, vendimi kundër IRL-së, me të cilin gjykata mori rolin për të përcaktuar kush ka të drejtë të jetë gazetar e kush jo, shkaktoi reagime të ashpra nga Federata Evropiane e Gazetarëve.
Prandaj, ne besojmë se vendimi i Këshillit Gjyqësor për masën disiplinore do të shërbejë si një nxitje për autoritetet gjyqësore në të ardhmen që të njohin dhe mbrojnë rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe interesit publik.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

