Connect with us

Lajme nga vendi

Maqedonia e Veriut u nda nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit/ Von der Leyen bën thirrje nga Shkupi: Miratoni ndryshimet kushtetuese

Published

on

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje të enjten Maqedonisë së Veriut t’i kalojë ndryshimet kushtetuese për ta përmbushur njërin prej detyrimeve vendimtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Von der Leyen u takua me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, gjatë një vizitë në Shkup të enjten, si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, ku e përsëriti se zgjerimi i BE-së mbetet një nga prioritetet kryesore të saj.

“Pothuajse jemi aty. Shpresoj se me dialog të përbashkët, të gjitha forcat politike në vend do të bashkohen dhe do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm vendimtarë për përparim. Jam e bindur se mund t’i kapërcejmë barrierat të cilat ekzistojnë”, tha Von der Leyen të enjten në një konferencë shtypi së bashku me Mickoskin.

Maqedonia e Veriut ka ngelur mbrapa në procesin e integrimit dhe mori një goditje këtë muaj kur BE-ja e hapi kapitullin e parë në negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shkëputur Shkupin nga paketa e përbashkët me Tiranën. Arsyeja është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që ta përfshijë në preambulën e Kushtetutës së vendit edhe minoritetin bullgar.

Ky kusht ishte futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik të vitit 2022, propozim që njihet edhe si “propozimi francez”. Opozita, që atëbotë udhëhiqej nga VMRO-DPME, ishte kundër ndryshimeve kushtetuese. Në zgjedhjet e majit të këtij viti, VMRO-ja doli e para dhe mori udhëheqjen e Qeverisë dhe kryeministri Mickoski e ka bërë të qartë se ai dëshiron ta rinegociojë “propozimin francez”. Por, gjatë konferencës me shefen e KE-së të enjten, Mickoski deklaroi se Qeveria e tij mbetet e përkushtuar në rrugën drejtë BE-së dhe se me ndihmën e bllokut “mund të tejkalohet çdo sfidë”.

“Qëllimi ynë është i qartë, ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane, duke ndarë të njëjtat vlera të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Jemi të vetëdijshëm se para nesh qëndrojnë sfida të rëndësishme si në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve që mbeten vendimtare për të ardhmen tonë”, tha Mickoski.

Advertisement

Mickoski, duke anashkaluar kërkesën e KE-së për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e minoritetit bullgar në të, tha se Qeveria e tij mirëpret ndihmën e Bashkimit Evropian për të vazhduar procesin e integrimit evropian. Von der Leyen vlerësoi përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në agjendën e reformave dhe njoftoi se Shkupi do të përfitojë më shumë se 750 milionë euro nga Plani i Rritjes, duke përfshirë këstin e parë prej 52 milionë eurosh, deri në fund të vitit.

“Jini të sigurt që zgjerimi do të mbetet prioritet kryesor për Komisionin Evropian në pesë vitet e ardhshme. Tani i kemi të gjitha mjetet dhe instrumentet e nevojshme për ta mundësuar këtë”, tha kreu i KE-së.

Veç takimit me kryeministrin Mickoski, ajo do të takohet edhe me presidenten e vendit, Gordana Silanovksa – Davkova. Von der Leyen mbërriti në kryeqytetin maqedonas nga Tirana, ku e kishte nisur turneun e saj në gjashtë vendet e rajonit. Ndërkohë, të premten ajo do ta vizitojë Bosnje e Hercegovinën, ku në Sarajevë do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, si dhe me kryesuesen e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto, e pastaj do të niset drejt Beogradit, në takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministrin Milosh Vuçeviq.

Të shtunën, Von der Leyen do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti. Pas kësaj ajo do të qëndrojë edhe në Podgoricë, me çka e përfundon turin rajonal të filluar të mërkurën me vizitën në Tiranë. Në prag të vizitës së saj, Komisioni Evropian përcaktoi të mërkurën edhe zyrtarisht agjendën e reformave të Maqedonisë së Veriut dhe katër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke i hapur mundësi rajonit për qasje në Fondin për Reforma që parasheh një ndihmë prej gjashtë miliardë eurosh. Bosnje e Hercegovina u përjashtua nga paketa pasi në Bruksel paraqiti një agjendë jo të plotë reformash./ REL

Advertisement

Lajme nga vendi

Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria

Published

on

Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.

Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare

Published

on

Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Continue Reading

Më të lexuarat