Lajme nga rajoni
Von der Leyen: Duhet ende punë për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se duhet të punohet edhe më shumë që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese që ka vendosur ndaj Kosovës.
Gjatë një konference për media në Prishtinë, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shefja e KE-së tha se blloku evropian ka mirëpritur vendimin e Kosovës për hapjen e pikës kufitare në Merdar për mallrat nga Serbia.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjodo të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha von der Leyen, raporton Evropa e Lirë.
BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është koha e fundit që të largohen masat ndëshkuese të BE-së, duke përsëritur qëndrimin e saj se këto masa janë të padrejta.
“Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet”.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor
Von der Leyen po ashtu përgëzoi Kosovën në punën që ka bërë në agjendën e reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, duke thënë se deri para përfundimit të vitit, Kosova do të përfitojë 60 milionë euro nga kjo paketë.
“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i planifikuar që t’i sjellë ekonomitë e rajonit më afër tregut tonë të përbashkët dhe të integrohen në tregun tonë të përbashkët. E dimë që suksesi i madh i zgjerimit nuk janë vetëm marrëveshjet politike dhe ndarja e vlerave, por është dhe prosperiteti ekonomik që e kemi parë te shtetet që i janë bashkuar BE-së”, tha Von der Leyen.
“Tashmë i kemi hapur sektorët e tregut të përbashkët për partnerët e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që, për shembull, kompanitë nga Kosova mund të kenë qasje në tregun e përbashkët. Për këtë arsye na nevojiten reforma që të kemi një nivel të barabartë të pjesëmarrjes. Por, këto reforma do të shoqërohen me investime shtesë evropiane”, shtoi zyrtarja e lartë evropiane.
Nga Plani i Rritjes, në total, deri në fund të vitit 2027, nëse përmbush reformat Kosova do të përfitojë 882 milionë euro, duke u bërë përfituesja më e madhe e këtij plani për kokë banori.
Osmani tha se ky plan do të ketë ndikim në zhvillimin socio-ekonomik, në hapjen e vendeve të reja të punës si dhe do të ndihmojë shtetin në rrugën drejt integrimit evropian.
Zyrtarja e lartë evropiane tha se gjatë mandatit të dytë në krye të KE-së, zgjerimi i BE-së do të mbetet top-prioritet i saj.
Ajo tha se dëshiron që në të ardhmen, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e bllokut evropian.
Gjatë vizitës në Kosovë, von der Leyen do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e zyrtares evropiane në Prishtinë është në kuadër të një turneu ballkanik që ajo nisi më 23 tetor në Shqipëri. Pas Shqipërisë, ajo qëndroi në Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.
Në Serbi, ajo u takua vetëm me presidentin Aleksandar Vuçiq, teksa anuloi takimin me kryeministrin serb, Millosh Vuçeviq.
Zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, tha për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e anulimit ishte se Vuçeviq po të njëjtën ditë ishte takuar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.
Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar Serbinë për lidhjet e ngushta me Kremlinin, teksa Moska po vazhdon luftën kundër Ukrainës. Beogradi po ashtu nuk pranon të rreshtohet përkah BE-së, sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës.
Ndryshe, sipas KE-së, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Më herët, Bashkimi Evropian i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes. Më pas agjendat u votuan edhe nga KE-ja, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës.
Plani i Rritjes është në vlerë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.
Lajme nga rajoni
Kosovari kapet me 11 pushkë automatike në kufirin e Kroacisë, po udhëtonte drejt Zvicrës

Një shtetas i Kosovës është ndaluar në pikën kufitare të Tovarnikut në Kroaci, pasi në veturën e tij janë zbuluar 11 pushkë automatike dhe një sasi municioni.
Sipas raportimit të portalit kroat “index.hr”, zbulimi është bërë nga zyrtarët doganorë të Njësisë Mobile të Vukovarit më 31 maj, gjatë një kontrolli të detajuar.
I dyshuari po udhëtonte në drejtim të Zvicrës kur zyrtarët doganorë ngritën dyshime pas kalimit të veturës nëpër pajisjen speciale të skanimit për automjetet transportuese.
Përveç armëve, në veturë është gjetur edhe municion, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat ligjore ndaj drejtuesit të automjetit dhe pasagjerit që ndodhej me të.
Po ashtu, sipas këtij mediumi, automjeti i dyshuar, me targa të regjistrimit të Kosovës, drejtohej nga një shtetas i Republikës së Kosovës dhe po transportonte automjete personale nga Kosova drejt Konfederatës Zvicerane.
Lajme nga rajoni
Ngërçi në Parlamentin e Kosovës! Dështon për të 26-ën herë konstituimi i Kuvendit

Që nga 1 maji, për të tetëmbëdhjetën herë, deputetët kanë refuzuar të formojnë një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kreun e ri të Kuvendit.
Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë nuk ka arritur të sigurojë 61 vota për t’u zgjedhur në krye të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive më 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Saranda Bogujevci nga LVV-ja tha se partia e saj është në pritje të vendimit të Kushtetueses, ndërkaq shtoi se kanë informacione se disa deputetë janë të gatshëm të votojnë për kryeparlamentarin pas vendimit të gjykatës.
Faton Peci, pjesë e koalicionit me LVV-në, tha se në ditët e fundit ka pasur takim mes LVV-së dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, duke thënë se Limaj shihet si partner i mundshëm për qeverisje.
Limaj, partia e të cilit ka tri ulëse në Kuvend, deklaroi se vendi duhet të ketë një shumicë parlamentare, duke shprehur bindjen se Kosova së shpejti do t’i ketë institucionet e reja.
Seanca konstituive pritet të vazhdojë të enjten, më 5 qershor. Kjo është hera e parë që nga nisja e seancës konstituive më 15 prill, që vazhdimi i seancës bëhet pas 24 orësh, pasi deri më tani vazhdimet janë bërë çdo 48 orë. Ky vendim u mor nga kryesuesi Avni Dehari, në konsultim me përfaqësuesit e partive, me qëllim që seanca të mos vazhdonte të premten, kur është festa e Bajramit.
PDK-ja dhe AAK-ja e konsiderojnë Haxhiun si një figurë jounifikuese, duke kërkuar nga LVV-ja ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së për këtë post.
LVV-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kjo parti ka thënë se nuk do ta ndryshojë kandidatin, duke theksuar se Haxhiu e meriton të zgjidhet në këtë pozitë.
Për ta konstituuar Kuvendin, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri dhe pesë nënkryetarët, për të cilët nevojiten 61 vota.
Vetëm pas zgjedhjes së tyre, organi ligjvënës konsiderohet i konstituuar, dhe pas kësaj hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./REL/
Lajme nga rajoni
Porositi vrasjen e gruas, Naim Murseli del sot para gjykatës! Vëllai i Liridona Ademajt: Dhimbja po shtohet, fëmijët po rriten pa nënë

Pak orë para mbajtjes së seancës gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, vëllai i saj, Leonardi, ka thënë se familjes po i shtohet dhimbja teksa ka uruar që gjykimi të përfundojë shpejt.
“Sot në ora 13.20 vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridonës tonë. I ftojmë mediat që ta përcjellin seancën. Dhimbja po na shtohet dhe nuk gjejmë asnjë ngushëllim sa herë e mendojmë dhe e shohim se si dy fëmijë të vegjël po rriten pa nënën e tyre. Urojmë që gjykimi të përfundojë shpejt”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Për vrasjen, në aktakuzë thuhet se e ka planifikuar bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur për ta kryer vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërkohë, Tom Dodaj e ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve