Lajme nga vendi
Qeveria me plan aksionar për hetime financiare dhe konfiskim të pronave të fituara në mënyrë kriminale
Në ditët në vijim Qeveria do të miratojë plan të ri veprimi për hetimet financiare dhe konfiskimin e pronave. Plani do të duhet të zbatohet deri në vitin 2028 kurse në përgatitjen e tij janë përfshirë më shumë se 10 institucione nacionale. Gjithë punën e Planit të veprimit do ta monitorojë Këshilli për monitorimin e strategjisë për përforcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe kontrollin e konfiskimit të pronës. Sipas sekretarit të shtetit në MPB, pikërisht konfiskimi i pasurisë është kyç në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Ky këshill duhet të jetë ombrellë nga i cili e gjithë puna e këtyre institucioneve që janë të obliguara për zbatimin e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pronës që mund të jetë sistem kontrolli. Mendoj se vetëm në këtë mënyrë dhe me konfiskimin e suksesshëm të pronës së fituar në mënyrë të paligjshme do të tregojmë se sa i përkushtuar është një vend në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Sasho Petrushevski, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Konfiskimi i pasurisë në vend filloi të zbatohet në praktikë muajin e kaluar, pasi në shkurt të këtij viti deputetët miratuan Ligjin për konfiskimin e pasurisë në procedurën civile. Nga policia Financiare thonë se punojnë në zbatimin e strategjisë dhe detektimin në kohë të krimit financiar.
“Periudhën që vijon do të përkushtohemi në zbatimin efikas të strategjisë për hetim dhe konfiskim të pasurisë dhe në të njëjtën kohë besojmë se reformat institucionale në fushën e sigurisë do të bëjnë përshtatjen në përputhje me kornizën ligjore të ligjit për ngrirjen, konfiskimin dhe menaxhimin e pasurisë së fituar në rrugë kriminale”, thonë nga Policia Financiare.
Paralajmërimi për formimin e këtij plani vjen në kohën kur Komisioni Evropian publikoi raportin për zgjerimin, në të cilin, në pjesën e luftës kundër korrupsionit, thuhet se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me reformat dhe t’i përkushtohet luftës për konfiskim. Theksi vihet edhe te ndjekja penale e korrupsionit të profilit të lartë.
“Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të zbatojë reformat në lidhje me BE-në, veçanërisht në kapitullin e bazave sidomos në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Korrupsioni duhet të trajtohet pa u pakësuar, duke përfshirë dosje solide në hetim, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare të rasteve të nivelit të lartë”, thuhet në Raportin për Zgjerim të KE-së.
Në raportin e zgjerimit thuhet gjithashtu se Maqedonia e Veriut për të avancuar në rrugën e saj të integrimit evropian duhet të vendosë theksin pikërisht në fushën e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, përmirësimin e ndjekjes penale dhe zbulimin e veprave me procedura efektive operacionale, si dhe zbatimin e duhur të tyre tek organet e ndjekjes. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

