Connect with us

Lajme nga vendi

Dimitrieska-Koçoska: Në buxhet kemi suficit dhe huamarrje më të ulët në tregun e brendshëm se sa ishte planifikuar, mund ta përmbyllim vitin me deficit më të ulët

Published

on

Mjetet nga huaja e Hungarisë, aktualisht janë ende në llogari dhe nuk shfrytëzohen. Në llogarinë buxhetore kemi suficit dhe kjo rezulton në huamarrje më të ulët në tregun e brendshëm se sa ishte planifikuar. Kështu theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska e ftuar në emisionin 360 Gradë.

“Mjetet nga huaja e Hungarisë janë ende në llogari dhe aktualisht nuk ka nevojë për shfrytëzimin e tyre. Në llogari kemi suficit buxhetor dhe kjo lë hapësirë për huamarrje më të ulët në tregun e brendshëm se sa ishte planifikuar. Pres që të fillojë zbatimi i projekteve dhe mjetet e huasë të shfrytëzohen deri në fund të muajit dhjetor, me ç’rast mosshfrytëzimi i tyre do të thotë se deficiti buxhetor do të realizohet në një masë më të vogël dhe do të transferohet bilanc më i madh në llogarinë buxhetore për vitin e ardhshëm. Me ribalancin është planifikuar të transferohet bilanc prej 502 milionë eurove”, potencoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.

Ajo konfirmoi se ditën e dielë do të mbahet takim i ri me bankat afariste përmes Asociacionit Bankar të Maqedonisë, ku pritet edhe definimi përfundimtar i kushteve me të cilat mjetet do t’u ofrohen kompanive si shfrytëzues të fundit.

“Takimet po mbahen në vazhdimësi përmes Asociacionit Bankar të Maqedonisë. Takimi i ardhshëm do të mbahet të dielën, që është e caktuar tashmë dhe ku do të marrë pjesë edhe Kryeministri, me ç’rast presim që përfundimisht t’i përcaktojmë kushtet. Bëhet fjalë për normë interesi prej 3.25%, përkatësisht këtu nuk do të ketë ndryshim. Kjo është norma e interesit në bazë të së cilës është marrë kredia nga banka Eksport-import nga Hungaria. Patëm diskutim sa i përket çështjes në fjalë dhe për këtë bankat nuk bien dakord dhe kjo është që të marrin pjesë në një farë mënyrë në subvencionimin e normave të interesit dhe të tregojnë përgjegjësi shoqërore, si dhe të ndahet kjo përgjegjësi shoqërore.

Gjegjësisht, ne nuk bëjmë asgjë ndryshe se më parë, sepse që nga viti 2011 e deri më tani janë tërhequr mjete financiare në vlerë prej 650 milionë eurove nga linja të ndryshme kreditore për të cilat shteti ka subvencionuar interesin”, theksoi ministrja e Financave.

Advertisement

Ajo shtoi se njëra nga bankat ka shprehur interes se mund të jetë pjesëmarrëse në subvencionimin e interesit, si dhe për kushtet e afatit të shlyerjes, ku në këtë drejtim është edhe takimi i së dielës për arritjen e kushteve përfundimtare.

“Qëllimi ynë është që të gjitha bankat të jenë pjesëmarrëse edhe pse në praktikë mjetet mund të plasohen edhe përmes një banke. Por, synimi ynë është që të punohet me të gjitha bankat dhe në këtë mënyrë procesi për klientët do të jetë më i thjeshtë, përkatësisht ta marrin kredinë nga banka me të cilën punojnë”, theksoi ministrja.

Ajo bëri të ditur se aktualisht është duke u punuar në procesin e plasimit të mjeteve dhe se pritet të përfundojë procedura e transferimit të mjeteve në llogarinë buxhetore dhe si rrjedhojë edhe mënyra se si do të transferohen në Bankën Zhvillimore, prej ku ato duhet të transferohen më tej në bankat afariste dhe shfrytëzuesit e fundit.

Në intervistë ajo iu referua edhe mjeteve të destinuara për projekte komunale nga huaja e Hungarisë. Njëkohësisht, ajo theksoi se për projektet komunale janë siguruar 250 milionë euro dhe se pret realizimin e tyre, duke qenë se synimi ishte që të përkrahen projektet që janë të gatshme dhe ku realizimi në terren mund të kryhet në mënyrë të shpejt.

Ministrja theksoi lidhur me pritshmëritë për vitin e ardhshëm sa i përket realizimit të projekteve kapitale siç janë drejtimet rrugore për korridoret 8 dhe 10D, për të cilat janë ndarë 12 miliardë denarë, pastaj sa i përket realizimit të projekteve të përgjithshme, si dhe projekteve që financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare që momentalisht janë ndërprerë.

Advertisement

Po ashtu theksoi se nuk do të ketë transferta ndaj EMV-së, si dhe probleme me furnizimin me energji elektrike dhe se me Propozimin e buxhetit për vitin 2025 janë siguruar mjete për rritjen e pagave në arsim, shëndetësi, si dhe në administratë sipas marrëveshjeve kolektive.

 

 

 

Advertisement
Advertisement

Lajme nga vendi

VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!

Published

on

Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.

A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.

Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.

“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”

E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.

Advertisement

Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator

Published

on

Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.

…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.

……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.

……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

Advertisement

Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut

Published

on

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.

Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.

Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.

Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)

Continue Reading

Më të lexuarat