Lajme nga vendi
KASAMI KANALI PËR UJITJE NË LAGJEN DARDANI GATI PËR DISA DITË
Kryetari i komunës së Tetovës thotë se kanali për ujitje që është mbyllur në lagjen Dardania që u bë shkas edhe bujqit në këtë pjesë të qytetit të protestojnë .Sipas Kasami ky kanal do të rregullohet brenda ditësh.Ai thotë se i njëjti nuk do të rregullohet vitin e ardhshëm.Kasami nënvizoi se nuk mund të pritet deri vitine ardhshëm prandaj janë marrë masa mënjëherë.Bilall Kasami. Kryetrar i komunës së Tetovës “Duke pasur parasysh që komuna veç më është duke realizuar aty projekt për ndërtimin e shtratit të lumit, sigurisht që ne nuk kemi mundësi dhe kohë që të presim institucionet shtetërore, e në këtë rast as Ndërmarrjen për ekonomizim me ujërat e as Ministrinë e bujqësisë që të futet në plan për vitin e ardhshëm sepse tashmë kemi plan për rregullimin e lumit dhe pas reagimit të bujqive, morëm masa dhe dolëm në terren. Folëm me kompaninë që realizon ndërtimet aty dhe vendosëm të ndërtojmë edhe atë segment të kanalit për vaditje të tokave bashkë me rregullimin e shtratit të lumit”. Kasami ka paralajmëruar njëkohësisht edhe pastrimin e deponisë së egër të krijuar në shtratin e lumit Shkumbin në pjesën tek lagja Dardania, deponi kjo e cila në këtë vend qëndron tash e më shumë se dhjetë vite. Kjo deponi fillimisht u krijua nga disa pjesëtarë të komunitetit rom që jetojnë në këtë lagje, ndërsa më vonë e shfrytëzonin rastin për hedhje të mbetjeve edhe disa banorë të tjerë të Tetovës por edhe disa firma ndërtimi. Bilall Kasami. Kryetrar i komunës së Tetovës “në projekt është paraparë edhe pastrimi i asaj deponie që me dekada ka qenë aty. Jemi në bisedime dhe komunikim me disa banorë që të gjejmë zgjidhje banimit të tyre. Në proces formal të eksproprijimit të pronave të legalizuara, por jemi të interesuar që atyre banorëve që jetojnë aty e që një pjesë janë edhe pa dokumente, në objekte pa kushte dhe të pa legalizuara, që t`iu gjejmë edhe atyre një zgjidhje”.Komuna e Tetovës ka fillur me ndërtimin e shtratit të lumit në këtë pjesë të qytetit, ndërsa punët në rregullimin e lumit edhe mbylli këtë kanal për ujitje që ujitë mbi 200 hektarë tokë, që detyroi edhe buqjit që jatë të shtunës të protestojnë duke kërkuar zgjidhje./TV KOHA/
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

