Lajme nga vendi
Nënshkruhen marrëveshjet për investimin e ri gjermano-holandeze të Breinçajldit
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe drejtuesi i Breinçajld, Ralf Hening Grosel sot nënshkruan marrëveshje për ndihmë shtetërore për dy projekte të ndara investuese. Bëhet fjalë për kompaninë Breinçajld e cila u formua si një sipërmarrje e përbashkët e një grupi investitorësh nga Gjermania dhe Holanda të cilët krijojnë një prodhues global të pajisjeve sportive të cilësisë së lartë për sportet e ujit dhe erës
Brendi Breinçajld ka themeluar dy kompani në Maqedoni dhe atë: Breinçajld produksioni në vitin 2020 dhe Breinçajld prodhimi në vitin 2022.
“Mund të publikojmë një investim të ri të cilin e kam shpallur disa javë më parë. Po punohet për investim gjermano-holandez e cila konfirmon përpjekjet tona për të zhvilluar ekonominë dhe risitë e tregut”, tha Mickoski në konferencën e sotme për media pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ai informoi se Breinçajld produksioni është një kompani e cila merret me aktivitete kërkimore dhe zhvillimore të produkteve të reja duke përdorur lëndë të para unike për të krijuar një material specifik të nevojshëm për prodhimin e pajisjeve për sportet e erës dhe ujit. Investimi ndodhet në Manastir në një objekt ekzistues prej 1.500 m2.
Plani i investimit, siç potencoi, përfshin investime në përshtatjen e një laboratori për kërkime dhe zhvillim dhe blerjen e pajisjeve dhe makinerive moderne. Sipas planit afarist dhe marrëveshjes për ndihmë shtetërore është paraparë që kompania të investojë një shumë totale prej të paktën 2,500,000 euro gjatë një periudhe prej 5 vitesh dhe parashihet të krijojë rreth 40 vende të reja pune me kualifikime të larta.
Nga ana tjetër, Breinçajld prodhimi është kompania që merret me prodhimin serik të pajisjeve dhe elementeve.
Mickoski theksoi se plani i pronarëve është ndërtimi i një objekti tërësisht të ri prej 3000 m2 në zonën industriale Zhabeni afër Manastirit dhe do të punësojë rreth 200 persona. Sipas planit të investimit, ndërtimi pritet të fillojë në vitin 2025, ndërsa cikli i investimeve prej rreth 8.500.000 euro të përfundojë brenda pesë viteve të ardhshme.
“Dhe pavarësisht ndërtimit të objektit të ri të vetin, qëllimi i kompanisë është të ruajë dhe përmirësojë laboratorin ekzistues për zhvillimin e produkteve të reja dhe proceseve të prodhimit, si dhe për testimin dhe krijimin e materialeve të qëndrueshme”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se si pjesë e aktiviteteve për lidhjen me komunitetin lokal, Breinçajld ka hapur një shkollë të specializuar për qepjen e materialeve të avancuara që shërben si një qendër trajnimi për aktivitetet e planifikuara të kompanisë. Përveç kësaj, brendi Breinçajld është i përkushtuar ndaj një procesi të qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit përmes prodhimit me materiale të ricikluara si lëndë të para dhe procese që eliminojnë disa praktika standarde të prodhimit të dëmshme për mjedisin.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

