Lajme nga vendi
Xhirollogari e zbrazët dhe mungesë punëtorësh në pikën turistike Kodra e Diellit
Fillimi i mbarë i sezonit dimëror në pikën turistike të Kodrës së Diellit duket sikur mision i pamundur. Sipas Drejtorit të ri të Kodrës së Diellit, gjendja është e mjerueshme, xhirollogaria është e zbrazët, mungojnë punëtoret, ndërsa ka probleme të theksuara edhe me teleferikët .
“Dy muaj paga të pa paguara të punëtorëve kam gjet, pa mjete për përgatitje për sezonin, sepse duhen mjete edhe për përgatitje të sezonit. Ajo që është më e vështirë pra është gjendja e ski liftave që nuk kanë pranim teknik dhe jemi vonë, por angazhuam njerëz filluam procedurat që deri në fillim të sezonit ti kemi komplet në rast të shfaqjes së ndonjë problemi më të madh”, deklaroi Abdulgani Aliji, drejtor i Qendrës Turistike, Kodra e Diellit.
Aliji ka paralajmëruar revizion të punës së ish udhëheqësit të Kodrës së Diellit, pasi sipas tij ekzistojnë dyshime për shkelje të shumta.
“Ne si udhëheqësi por edhe këshilli mbikëqyrës, dje e vumë në rend dite kërkesën për të pasur një kontroll të brendshëm për keqpërdorime dhe patjetër do kërkojmë për ndërmarrjen tonë të ketë një kontroll të brendshëm”, tha Abdulgani Aliji, drejtor i Qendrës Turistike, Kodra e Diellit.
Aliji theksoi se edhe përkundër shumë pengesave që sivjet ka kjo pikë turistike, shpreson që sezoni i ri do nis në kohë. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

