Lajme nga vendi
Mucunski: Së shpejti do të fillojë procesi i emërimit të shtatë ambasadorëve të rinj, mandati i atyre të deritanishmëve ka përfunduar
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, thotë se së shpejti do të fillojë me procesin e emërimit të ambasadorëve të rinj në vendet e atyre që me dekret të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova janë tërhequr për shkak të përfundimit të mandatit.
“Sipas informacioneve që pashë sot në media, e që ishte botuar në “Gazetën Zyrtare”, janë tërhequr shtatë ambasadorë dhe të cilëve u përfundon mandati. Kjo procedurë është e rregullt në fund të mandatit të ambasadorëve, sipas Ligjit për Punë të Jashtme. Pra, po, ky nuk është kthim i jashtëzakonshëm, konsultime apo diçka tjetër, por përfundim i një mandati të rregullt të ambasadorëve”, tha dje ministri Mucunski në përgjigje të pyetjes së një gazetari në konferencën për media me përfaqësuesin aktual të OSBE-së, Jan Borg.
Sipas Mucunskit, me rastin e emërimit të ambasadorëve të rinj, për të cilët tashmë ka konsultime, do të merren parasysh cilësitë dhe kualifikimet e personave.
“Për emërimin e ambasadorëve të rinj dhe konsujve të përgjithshëm, aktualisht është duke u zhvilluar një proces konsultimi ndërmjet meje, Presidentes dhe Kryeministrit dhe pres që së shpejti të fillojmë procesin e emërimit të ambasadorëve të rinj”, shtoi Mucunski.
Ajo që sipas Mucunskit është prioritet në emërimin e ambasadorëve të rinj është pozita në NATO, sepse Dane Taleskit i përfundon mandati menjëherë pas festave të Vitit të Ri.
Mucunski u pyet edhe se deri ku është procedura për tre ambasadorët Ljubomir Fërçkovski, Andrej Zhernovski dhe Vesel Memedi, të cilët janë thirrur për konsultime.
Ambasadori në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork, Ljubomir Fërçkoski dorëheqjen e ka dorëzuar në gusht, ndërsa pozitën e ka mbajtur nga marsi i vitit 2022 pasi presidenti i atëhershëm Stevo Pendarovski nënshkroi dekretin për largimin e tij në mision.
Mucunski i tha Fërçkovskit se ka dorëzuar dorëheqjen, por kjo nuk do të thotë se proceset rreth auditimit të brendshëm të operacioneve financiare kanë përfunduar, sepse, sipas tij, është çështje krejtësisht tjetër. Sepse Fërçkoski tha se është ambasador në dorëheqje.
Sa i përket ambasadorit Andrej Zhernovski, i cili filloi të kryejë detyra diplomatike në Rumani tetorin e kaluar, Mucunski tha se formalisht dhe juridikisht nuk u bë asnjëherë ambasador ynë në Bukuresht, sepse nuk ka dorëzuar kredencialet.
“Lidhur me ambasadorët Zhernovski dhe Memedi, në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë duke u zhvilluar procedurat e brendshme, në përputhje me Ligjin për Punë të Jashtme dhe për këtë do të njoftohen kur të përfundojnë ato procedura”, tha Mucunski.
Lidhur me ambasadorin në Romë, Vesel Memedi, Mucunski tha se formalisht dhe ligjërisht ai është ende ambasador.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka tërhequr shtatë ambasadorë, ndërsa dekretet për tërheqjen e tyre janë publikuar dje në “Gazetën Zyrtare”.
Siç shihet nga dekretet e publikuara, bëhet fjalë për tërheqjen e ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut në NATO – Dane Taleski, në Shqipëri – Danço Markovski, në Danimarkë – Faton Bejta, në Kazakistan – Sali Limani dhe në Katar – Shaban Jashari. Janë tërhequr edhe ambasadorja Teuta Agai Demjaha, e cila është shefe e Misionit të Përhershëm të Maqedonisë së Veriut në OKB në Gjenevë, si dhe ambasadorja në Selinë e Shenjtë në Vatikan, Maria Efremova.
Dekretet hyjnë në fuqi me botimin në “Gazetën Zyrtare” dhe do të ekzekutohen nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Portalb.mk.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

