Lajme nga vendi
Eksperti nga Hungaria, Mr. Zoltán Győri e vizitoi Universitetin e Tetovës
Në kuadër të programit CEEPUS, rrjetit: “SK-1018– Biologji, Bioteknologji dhe Shkenca Ushqimore” profesori dhe eksperti nga Hungaria, Mr. Zoltán Győri e vizitoi Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit.
Në këtë program gjithëpërfshirës, me ndihmën e profesorit hungarez, Mr. Zoltán Győri, studentët e FTUU-së, i prezantuan gatimet tradicionale hungareze. Në këtë ngjarje morën pjesë Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i Përgjithshëm, Adem Beadini, dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Xhezair Idrizi dhe profesorë e studentë të tjerë të FTUU-së, të cilët patën mundësi t’i degustojnë gatimet e studentëve tanë. Me këtë rast Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i përgëzoi studentët për këtë aktivitet, duke shpresuar se sukseset e tyre nuk do të ndalen as në të ardhmen.
Koordinatori i programit nga Universiteti i Tetovës, Prof. Dr. Erhan Sulejmani vlerësoi se agjenda në fjalë ka dhënë kontribut të veçantë dhe inkurajim për studentët në integrimin e tyre me industrinë ushqimore të vendeve të Bashkimit Evropian duke rritur bashkëpunimin si një potencial për aftësimin e kuadrit të ri në vendin tonë.
Ndërsa, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, veçoi se ngjarjet e këtilla në të ardhmen do të kontribuojnë në rritjen e aktiviteteve duke u mundësuar studentëve praktika dhe përvoja që do të sjellin perspektivë të re nga ekspertë në teknologjitë e inovacioneve në fushën e inxhinierisë ushqimore dhe të ushqyerit. Aktivitetet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen duke organizuar edhe trajnime si dhe studime profesionale specialistike pranë Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit si një perspektivë e re e trajnimit me ekspertë kompetentë nga universitetet evropiane.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

