Lajme nga vendi
Propozim buxheti i plotësuar për vitin 2025 para deputetëve
Në Kuvend sot pritet të fillojë debati për Propozim buxhetin e plotësuar për vitin 2025, si pjesë e rendit të ditës së seancës së 22-të.
Debati rreth amendamenteve për Propozim- buxhetin përfundoi më 29 nëntor, ndërsa në Propozim-buxhetin e plotësuar përfshihen amendamentet e pranuara dhe ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme. Konform Rregullores për punë të Kuvendit, shqyrtimi i Propozim -buxhetit të plotësuar në seancë të Kuvendit zgjat më së shumti pesë ditë. Deputeti gjatë debatit mund të flasë disa herë për gjithsej 20 minuta, ndërsa koordinatori i një grupi parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i qeverisë mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta.
Me Propozim buxhetin e plotësuar parashihet rritje e ekonomisë prej 3,7 për qind dhe sipas Qeverisë, ai është zhvillimor, mbështetës me mjete të planifikuara për investime kapitale, projekte të komunave dhe mbështetje për ekonominë.
Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti buxhetor, ndërkaq me shumë absolute prej 41.350 milionë denarëve apo 4 për qind nga BPV-ja.
Inflacioni pritet të ulet në 2,2 për qind si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve themelore ushqimore dhe të energjensëve në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv dhe presionit më të matur nga inflacioni bazik. Për eksportin projeksione për rritje prej 4,2 për qind, ndërsa për importin prej 4,4 për qind.
Për investime kapitale janë planifikuar 50,5 miliardë denarë, si dhe 349,6 miliardë denarë për shpenzime rrjedhëse, si pagesa të rrogave, për pensione, të drejta sociale, subvencione në bujqësi, mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të kategorive të ndjeshme të qytetarëve dhe për ekonominë…
Shpenzimet për rroga janë në nivel prej 48,1 miliardë denarë dhe shënojnë rritje prej 8 për qind, ndërsa për mallra dhe shërbime 26,2 miliardë denarë me ulje prej 0,5 për qind në strukturën e shpenzimeve të përgjithshme. Për pagesë të pensioneve janë planifikuar 105,5 miliardë denarë me të cilat sigurohen mjete për rritjen e paralajmëruar të pensioneve për 2.500 denarë nga marsi i vitit të ardhshëm. Për kompensime të mbrojtjes sociale rreth 14,5 miliardë denarë, për kompensim në të holla në rast të papunësisë 1,6 miliardë denarë, ndërsa për zbatim të politikave dhe masave aktive për punësim 2,3 miliardë denarë. Më shumë mjete janë siguruar për mbrojtje shëndetësore, përkatësisht 52,5 miliardë denarë apo për 10,7 për qind më shumë. Mbështetja në bujqësi është planifikuar në nivel prej 8 miliardë denarëve, përderisa transferet drejt njësive për vetëqeverisje lokale në nivel prej 33,2 miliardë denarëve apo për 2,5 miliardë denarë më shumë.
Qeveria kumtoi se për një periudhë të shkurtë prej gjysmë viti ka arritur të konsolidojë ekonominë, duke u shprehur e kënaqur me të dhënat për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nga 3 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2024 (korrik, gusht dhe shtator). Pret rritje të ngjashme dhe më të lartë në tremujorin e katërt (tetor-nëntor-dhjetor) të 2024, me çka, tha, do të afroheshim në nivel vjetor prej 3 për qind, “që është shumë më tepër se 1,8 për qind të parashikuara”.
Kuvendi e miraton Buxhetin më së voni deri në afatin e caktuar me ligj.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

