Lajme nga vendi
Mickoski theu tezën se punon kundër shqiptarëve: Japim 25 milionë euro për Universitetin Nënë Tereza, ndahen mjete për komunat me shumicë shqiptare dhe një sërë projektesh të tjera
Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin Click Plus në Televizionin 21, u pyet nga të ftuarit se si i komenton kritikat e kundërshtarëve politikë se ai udhëheq politikë antishqiptare dhe se është shumë më pak i interesuar për çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët etnikë në Maqedoni sipas modelit të së kaluarës “nga Grupçini e tutje”.
Interesi im është rreth 26 mijë kilometra katrorë territor e të gjithë vendit. E mbështes me vepra. Si kryetar i Qeverisë, ato 250 milionë euro që duhet të shkojnë për komunat shkojnë me të njëjtat kritere në Shtip dhe Tetovë dhe në Karbinci e Bogovinë, dhe në Radovish e Strumicë dhe në Gostivar e Kërçovë.
Jo vetëm që nuk i ndajmë komunat dhe projektet etnikisht, por u themi kryetarëve të komunave të bëjnë projekte. Siç do t’i bëni ju, ashtu ne do t’i financojmë – u përgjigj Mickoski.
Kryeministri theksoi se në punën dhe mbështetjen e Qeverisë asnjëherë nuk është bërë dallim nëse bëhet fjalë për kryetarë komunash nga BDI, VLEN, VMRO-DPMNE apo LSDM.
Ne kemi ndarë 25 milionë euro nga buxheti për financimin e Universitetit Nënë Tereza. A e dini sa jam sulmuar nga kolegët e mi nga Universiteti i Shkupit? A e dini sa goditje më kanë shkaktuar kolegët e mi nga Universiteti Shën Kirili dhe Metodi? Apo nuk i intereson askujt, sepse nuk ndahet në atë mikrokozmos? Këtu do t’ju jap disa shembuj.
Në Ministrinë e Mjedisit Jetësor kanë ngecur projektet për tubacionet e ujit dhe kanalizimet. Pse? Sepse shumica e kryetarëve të komunave janë trajtuar si të përjashtuar nga qeveria e kaluar, sepse ishin të VMRO-DPMNE-së. Izeti nuk tha se nuk u jep këtyre nga BDI.
Njeriu doli dhe tha që të gjithë të konkurroni dhe të gjithë do të fitoni – tha Kryeministri Hristijan Mickoski dhe shtoi se në mbledhjen të Qeverisë nuk është miratuar asnjë vendim me mbivotim, por me diskutim dhe konsensus të ndërsjellë.
Në anën tjetër, sipas Kryeministrit Mickoski, BDI po luan me kartën e polarizimit etnik dhe kjo është shumë e gabuar, sepse nuk kanë fjalë për atë që kanë realizuar në 20 vitet e fundit në ekonomi, arsim apo shëndetësi.
Kjo Qeveri nuk është një Qeveri për të poshtëruar dikë dhe për të lavdëruar një tjetër. Kjo është një Qeveri që duhet t’u sigurojë qytetarëve një jetë më të mirë pavarësisht përkatësisë etnike – tha Mickoski dhe shtoi se në këto 6 muaj nga zero mendim pozitiv për të tek shqiptarët, tani ajo përqindje është 25%.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

