Lajme nga vendi
U janë marrë pasaportat katër të dyshuarve në rastin “Lotaria”, për paraburgimin e Grubit dhe Bajramit pritet të vendoset sot
Gjykata Penale pranoi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike dhe caktoi masa sigurie për katër persona në rastin “Lotaria Shtetërore”, ndërsa për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin Përparim Bajrami, të cilët nuk ndodhen në vend, në mënyrë shtesë do të merret vendimi nëse do të pranohet masa e paraburgimit, transmeton Portalb.mk.
“Gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike për caktimin e masave të kujdesit ndaj katër personave të përfshirë në hetimin lidhur me “Lotarinë Shtetërore të RMV-së”, për veprën penale Shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autorizimit nga neni. 353 i Kodit Penal, e të cilët u dëgjuan në gjykatë gjatë natës, solli vendim me të cilin pranohet propozimi i Prokurorisë Publike dhe u vendos masa ndaj të 4 personave në përputhje me nenin 146 paragrafi 1 pika 2 dhe pika 3, përkatësisht konfiskimi i dokumentit të udhëtimit dhe detyrimi për t’u paraqitur herë pas here në gjykatë”, njofton Gjykata Penale.
Gjatë ditës do të merret vendim për Grubin dhe Bajramin, të cilët aktualisht janë të padisponueshëm për organet e rendit.
“Gjithashtu, gjyqtarit të procedurës paraprake i është dorëzuar edhe propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të përfshirë në të njëjtin hetim, e cila masë fillon të zbatohet me zbulimin e tyre, për të cilin propozim gjykata është në procedim dhe për të cilat gjatë ditës Publiku do të informohet më tej. Kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankim në Këshillin Penal”, bëjnë të ditur nga Gjykata.
Të dy ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Lotarisë me mbi 501 milionë denarë.
Ndryshe, dje (16 dhjetor) policia ka bastisur disa shtëpi për shkak të dyshimeve për krim të organizuar në Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Policia ka bastisur shtëpitë e ish zv/kryeministrit Artan Grubi dhe shtëpinë e ish drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami. Artan Grubi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, siç ka njoftuar qysh mbrëmë vet ai, ndodhet për vizitë familjare në Kosovë. Në shtëpi nuk është gjetur as i dyshuari Përparim Bajrami.
Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

