Lajme nga vendi
Ikja e Grubit, LSDM akuzon se ka marrëveshje BDI-VMRO
Ka reaguar edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Partia e Venko Filipçes ka ngritur dyshime se ikja e Grubit është dakorduar mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së. Sekretari organizativ i LSDM-së, Martin Kostovski theksoi dje se MPB do të duhet të japë një përgjigje të qartë: si është e mundur që Artan Grubi të arratiset në Kosovë vetëm një ditë para aksionit, përkatësisht ditën e aksionit?
“Sipas informacioneve që kemi, MPB kishte vendosur kontrollin policor në rrethrrotullimin përballë Bllacës ditën kur Grubi u largua nga vendi. Kontrolli ishte aty të paktën tre ditë para ngjarjes. Kjo tregon qartë se ata dyshonin se Grubi mund të arratisej. Por sipas informacioneve tona, vetë kontrolli i policisë, njësia lëvizëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk dinte se kë të priste dhe kur të ndalonte! Ata kanë marrë informacion vetëm pasi Grubi është larguar nga vendi. Kjo konfirmon qartë dy skenarë të mundshëm: ose ata nuk ishin plotësisht në gjendje ta ndalonin, ose së dyti dhe më shumë gjasa, ata nuk e ndaluan qëllimisht”, akuzoi Kostovski i LSDM-së.
Kostovski shtoi se kanë ndodhur shumë lëshime dhe ka shumë indikacione se pas këtij rasti fshihet diçka tjetër apo një marrëveshje politike. “A janë marrë vesh VMRO-DPMNE dhe BDI për këtë rast dhe a nuk është ky çmimi i mbështetjes që BDI i dha VMRO-DPMNE-së në Parlament? A është kjo pjesë e të gjithë skenarëve të rënë dakord në dukje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për sulme të vazhdueshme publike dhe destabilizim fiktiv, situatë që politikisht i përshtatet të dyja palëve?”, tha Kostovski.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

