Lajme nga vendi
Tryezë e rrumbullakët për nevojën e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor
Tryezë e rrumbullakët për nevojën e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut për shkak të adresimit të rekomandimeve nga Komisioni i Vlerësimit për Këshillin Gjyqësor do të mbahet sot në Shkup në organizim të Ministrisë së Drejtësisë.
Ngjarja, siç informojnë nga Ministria e Drejtësisë, është në bashkëpunim dhe me mbështetje të projektit Mbështetje e BE-së për sundimin e ligjit dhe do të mbahet në Gjykatën Supreme të RMV-së.
Qëllimi i ngjarjes është nxitja e debatit profesional për përmbajtjen e draft ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të përgatitur nga ana e grupit punues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Tryeza e rrumbullakët është e fundit nga disa ngjarje për konsultime të cilat Ministria e Drejtësisë i organizon, me qëllim që të sigurohet proces transparent dhe gjithëpërfshirës i cili do të kontribuojë drejt progresit të kornizës ligjore që rregullon funksionimin e Këshillit Gjyqësor.
Konkluzionet dhe rekomandimet e tryezës së rrumbullakët, siç thonë nga Ministria e Drejtësisë, do të jenë bazë për përmirësim të mëtejshëm të tekstit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor.
Lajme nga vendi
SHASIVARI: NË TETOR TAKIME ME STUDENTËT SHQIPTARË!
Kur do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët shqiptarë? Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se kjo nuk është çështje etnike apo politike, por juridike dhe institucionale. Ai paralajmëroi takim me organizatat studentore në tetor, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për dhënien e provimit në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe sërish në fokus të Kuvendit.
Pyetjes së deputetes Diana Toska se kur studentët do të mund ta japin këtë provim në shqip, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, iu përgjigj se gjuha mund të jetë e ndryshme, por kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
Në Ministrinë e Drejtësisë, sipas Shasivarit, tashmë kanë arritur kërkesa nga pesë organizata studentore për mundësinë e dhënies së provimit në gjuhë të tjera.
Mes tyre janë edhe Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Tetovës, të cilat kërkojnë mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe.
Shasivari thotë se kërkesat e studentëve duhet të merren seriozisht, pasi bëhet fjalë për të rinj që në të ardhmen do të jenë pjesë e sistemit juridik.
Ai paralajmëroi se në tetor do t’i ftojë përfaqësuesit e organizatave studentore në një takim koordinues, ku do të diskutohen kërkesat dhe do të kërkohet një zgjidhje institucionale për provimin e jurisprudencës në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë, sot rezultati po shihet
Rikonstruimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se projekti po i jep Çarshisë një pamje të re, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe karakterin e saj tradicional.
Në një sipërfaqe prej 1.567 m², ndërhyrjet kanë përfshirë infrastrukturën nëntokësore dhe rregullimin e hapësirës mbi tokë: rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, rrjetin elektrik dhe fibrat optike, restaurimin e kalldrëmit me gur travertin, vendosjen e ndriçimit të ri tradicional dhe rregullimin e hapësirave për këmbësorët.
“Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë dhe sot rezultati po shihet. Pas më shumë se pesë dekadash, po realizojmë një ndërhyrje rrënjësore, nga infrastruktura nëntokësore deri te pamja përfundimtare, duke ruajtur identitetin që e bën Çarshinë të veçantë. Me mbi 28 milionë denarë investim, po krijojmë kushte më të mira për qytetarët, zejtarët, bizneset dhe vizitorët,” deklaroi Mexhiti.
Me përfundimin e projektit, Çarshia e Vjetër do të ketë infrastrukturë të modernizuar dhe hapësira publike më funksionale, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat e saj historike dhe autentike.
Lajme nga vendi
RASTI I LLASKARCËS ËSHTË FYTYRA E DËSHTIMIT TË GJYQËSORIT
Shtatë vjet pas tragjedisë në Llaskarcë, familjet e 16 viktimave ende presin drejtësi. Shfuqizimi i aktgjykimit të Apelit dhe kthimi i lëndës për rivendosje hapin përsëri mundësinë që ky proces të zvarritet pa fund.
Edhe në dhjetor paralajmëruam se “Durmo Turs”, bashkë me shumë raste të tjera, është dëshmi e gjallë e dështimit të sistemit. Pamë shtyrje të dyshimta, raporte mjekësore dhe moszbatim të vendimeve.
Besimi në gjyqësor, që ka rënë deri në dy për qind, nuk ra nga qielli. Vetëm superekspertiza për rastin e Llaskarcës qëndroi 315 ditë në Byronë për ekspertiza gjyqësore. Në krye të Byrosë ishte Valdet Xhaferi, funksionar i BDI-së. Pra, lënda nuk u zvarrit vetë.
Gjyqësori duhet reformuar nga rrënjët dhe ministri i ri i Drejtësisë e ka nisur mbarë këtë punë, me vendosmërinë që raste si Llaskarca të mos mbeten më peng i sistemit.
Kërkojmë publikimin e shpejtë të arsyetimit dhe trajtimin me përparësi të lëndës, pa lojëra të reja procedurale. Familjet e viktimave nuk duhet të kthehen përsëri në pikën zero.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

