Lajme nga vendi
Ministri i Ekologjisë Izet Mexhiti paralajmëron masa konkrete për uljen e ndotjes alarmante të ajrit
Ministri i Ekologjisë Izet Mexhiti thotë se Qeveria po punon për uljen e ndotjes së ajrit dhe se sipas tij inspektorati çdo ditë është në terren për gjobitjen e ndërmarrjeve që nuk respektojnë masat. Mexhiti thotë se shkaktarë kryesorë të ndotjes nuk janë vetëm industritë, por edhe amvisëritë që djegin gjithçka për të ngrohur. Mexhiti tha se tani më do të ketë masa konkrete për uljen e ndotjes së ajrit.
“Prej këtu kemi një takim për masat përfundimtare. E para do të jetë kthimi, pra do provojmë edhe një herë ta vejmë në funksion gazifikimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sidomos në qendrat urbane, po ashtu në të njëjtën kohë do jepet prioritet edhe centraleve të gazit të cilat po ashtu do të ndihmojnë në ngrohjen qendrore. Në të njëjtën kohë ti afrohet alternativë qytetarëve edhe për gazifikim edhe për ngrohje qendrore, për veç asaj që do të mbështeten edhe më tutje inverterët dhe sistemet tjera, që të zëvendësojnë drurin apo mjetet tjera të ngrohjes. Po punojmë edhe në drejtim që të stimulohen kompanitë e taksive për vetura elektrike”, tha Izet Mexhiti, zv/kryeministër.
Edhe qytetarët e Tetovës për ditë me radhë thithin ajër të ndotur. Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se komuna respekton të gjitha masat.
“Sigurisht, ne punojmë Inspektorati i Tetovës del në terren dhe çdo ditë i dënon kompanitë dhe amvisëritë e papërgjegjshme të cilët përdorin mjete jo të duhura për ngrohje në shtëpitë e tyre dhe kompanitë e tyre”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Ndërkohë LSDM vazhdon me akuzat ndaj pushtetit se nuk ndërmerr asgjë për ndotjen e ajrit, dhe për këtë propozuan disa masa për luftimin e ndotjes.
“Të miratohet urgjentisht një program për ajër të pastër në Ministrinë e Mjedisit. Me subvencione për amvisëritë për të zëvendësuar sistemet e ngrohjes jo ekologjike për mjedisin, si dhe për shkollat, ndërtesat publike që të kalojnë në teknologji të pastra. Duke ndjekur shembullin e Programit Ajror që qeveria e LSDM-së e zbatoi me sukses për disa vite”, tha Kristina Kostova, LSDM.
Nga LSDM gjithashtu thonë se përgjegjësia për ndotjen e ajrit është e qeverisë, e cila duhet të ndryshojë politikat e saj të gabuara dhe të fillojë të mendojë për qytetarët./Alsat.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

