Lajme nga vendi
NIKOLLOSKI: NGA SHKUPI DERI NË PARIS LINJË E RE AJRORE ME KOMPANINË AJRORE IZIXHET
Kemi dy lajme të mira, i pari është se përfundimisht do të vendosët linjë e drejtpërdrejtë nga Shkupi deri në Amsterdam, që është mundësi e madhe për turizmin, duke pasur parasysh se Maqedonia është destinacion i famshëm për holandezët. Dhe lajmi më i ri është se kompania ajrore Izixhet formalisht parashtroi dokumente në ministri për Shkup – Paris deri në aeroportin “Orli”, i cili është më afër qendrës së Parisit, paralajmëroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Siç bëhet e ditur në kumtesën e Ministrisë së Transportit, ai potencoi se në periudhën e ardhshme pritet të konfirmohen edhe 3-4 destinacione deri te të cilat do të fluturohet nga aeroportet e Maqedonisë së Veriut.
“Në kushtet kur Aeroporti i Prishtinës po e kalon atë të Shkupit, ndërsa ai i Ohrit do të përballet me konkurrencë serioze nga aeroporti i Vlorës, i cili po ndërtohet për momentin, si dhe nga aeroportet më të vogla greke në pjesën veriore të Greqisë, kuptova se duhet të bëjmë ndryshim drastik. Ne e bëmë atë ndryshim me politikën e subvencionimit të fluturimeve, ku subvencionet së pari do të shkojnë për udhëtarët që vijnë në Maqedoni, e jo për udhëtarë që largohen nga vendi, siç bëri qeveria e kaluar. Së dyti, subvencionet janë rritur në mënyrë drastike dhe për aeroportin e Ohrit janë më të larta se ai i Shkupit, për të tërhequr turistë. Kjo i dha rezultatet e para dhe tashmë kemi 8 linja të reja. Nga Shkupi do të ketë fluturime për në Dubai, Barcelonë, Lion dhe Shtutgart, ndërsa nga Ohri, Bazeli dhe aeroporti kryesor i Stambollit janë konfirmuar si destinacione”, theksoi Nikolloski, i cili shtoi se lidhja me këtë aeroport në Stamboll tashmë ka sjellë rezervime të biletave nga Sidnej, Uashington, Toronto dhe metropolet e tjera botërore në Ohër.
Lajme nga vendi
Zjarri dhe tymi që ngulfati Shkupin, akuza për magazinim të paligjshëm të mbetjeve toksike në Vizbegovë
Tre pronarë dhe menaxherë kompanish do të përgjigjen për ndotje serioze në Vizbegovë të Shkupit, pasi prokuroria ngriti akuza për magazinim të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme që çoi në një zjarr të madh dhe ndotje masive të ajrit.
Sipas aktakuzës, nga fundi i shkurtit deri në fillim të korrikut të vitit të kaluar, të pandehurit ruajtën dhe menaxhuan mbetje të rrezikshme në një parcelë toke në Vizbegovë pa leje. Këto janë materiale me veti shpërthyese, të ndezshme dhe toksike, si dhe substanca që mund të jenë kancerogjene dhe të dëmshme për mjedisin.
Më 9 korrik 2025, në vend shpërtheu një zjarr, i cili, për shkak të shkallës dhe rrezikut të tij, nuk mund të vihej menjëherë nën kontroll. Një pjesë e mbetjeve u dogj, duke lëshuar tym të zi të trashë në ajër. Matjet nga shërbimet kompetente konfirmuan ndotje të konsiderueshme.
Prokuroria deklaron se veprime të tilla krijuan një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
Përgjegjësia i takon menaxherit dhe pronarit të kompanisë, i cili, së bashku me një person tjetër, mori pjesë aktive në operacionin e paligjshëm. Janë ngritur akuza edhe kundër një pronari tjetër të kompanisë dhe të truallit, i cili, sipas prokurorisë, duhet të kishte qenë në dijeni të rreziqeve që paraqiste ruajtja e mbetjeve të tilla.
Të pandehurit akuzohen për krimin e rrezikimit të mjedisit dhe natyrës me mbetje.
Lajme nga vendi
“GOCA E KAÇANIKUT”: SHKUPI SKENË E KULTURËS SHQIPTARE!
Për nder të Pavarësisë së Kosovës, mbrëmë në Shkup, në skenën e Operës dhe Baletit Kombëtar, u dha premierë opera “Goca e Kaçanikut” opera e parë kosovare e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, duke u shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore dhe thellësisht emocionale.
“Goca e Kaçanikut” u prit me interes të madh nga publiku, duke dëshmuar se arti mbetet një nga mënyrat më të forta për ta ruajtur dhe për ta përcjellë historinë tonë.
Kjo premierë në Shkup ishte edhe një dëshmi e lidhjes së gjallë kulturore mes shqiptarëve si dhe një urë e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve artistike.
Salla u mbush me emocion, ndërsa publiku ndoqi një vepër që nuk ishte thjesht art, por një rrëfim i gjallë për historinë, qëndresën dhe identitetin kombëtar.
“Goca e Kaçanikut” solli në skenë frymën e Kaçanikut dhe jetën e shqiptarëve ndër breza, duke e kthyer muzikën në kujtesë kolektive dhe skenën në një dëshmi të gjallë të asaj që jemi dhe çfarë kemi kaluar.
Lajme nga vendi
Ekskluzive: Qeveria formon grup pune për provimin e jurispudencës në gjuhën shqipe
Agjencia e lajmeve INA mëson se mbrëmë në Qeveri ka pasur takim të përfaqësuesve të studentëve të peticionit për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe me Kryeministrin Mickoski dhe Zëvendës-Kryeministrin Sali ku mes tjerash është rënë dakord që të formohet një grup pune i ekspertëve të së drejtës kushtetuese për hartimin e zgjidhjes juridike të kësaj çështjeje.
INA ekskluzivisht i mëson dy emrat e profesorëve që do të jenë pjesë e këtij grupi të punës: Jeton Shasivari profesor i së drejtës kushtetuese në UEJL dhe Denis Preshova profesor i së drejtës kushtetuese në UKIM.
Përndryshe profesor Shasivari njihet në opinion si “thyes i barrierave gjuhësore” sepse siç kemi raportuar më herët, në shtator të vitit të kaluar e “theu akullin” para Gjykatës Kushtetuese duke folur për herë të parë në histori plotësisht në gjuhën shqipe duke treguar se shqipja e ka vendin e merituar para gardianit të kushtetutës.
Kujtojmë se më parë, politikani si Talat Xhaferi kishte filluar fjalimin shqip në këtë institucion, por për mungesë të përkthimit kishte vazhduar në maqedonisht.

