Lajme nga vendi
U lëshua në përdorim hekurudha Kumanovë-Beljakovcë pjesë e Korridorit 8, e nisur dhe premtuar para 10 vitesh

Është vënë në përdorim hekurudha Kumanovë-Beljakovcë, e cila është pjesë e Korridorit 8, njoftoi Ministria e Transportit. Hekurudha është e gjatë 30.8 kilometra dhe përfshin tre stacione të reja hekurudhore, pesë ura, një tunel dhe shumë objekte të tjera infrastrukturore, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Hristijan Mickoski në ngjarjen me rastin e vënies në punë të hekurudhës tha se Korridori 8 paraqet një projekt të rëndësishëm dhe strategjik së bashku me Korridorin 10.
“Këto dy korridore janë prioriteti kryesor për këtë qeveri sepse si shtet ne përfaqësojmë një kryqëzim natyror të këtyre dy korridoreve dhe kjo duhet të përfaqësojë përparësinë tonë në krahasim me shtetet e tjera në rajon”, tha Mickoski.
Siç tha ai, seksioni i dytë do të përfundojë së shpejti, si dhe procedura e tenderit për pjesën e tretë.
“Jam i bindur se seksioni i dytë do të përfundojë së shpejti brenda afatit të përcaktuar në kontratë. Shumë shpejt do të përfundojë procedura e tenderit të seksionit të tretë, që do të thotë se ne do të lidhemi plotësisht me fqinjin tonë lindor dhe kështu do të jemi pjesë e një korridori shumë të rëndësishëm jo vetëm për BE-në, por edhe për NATO-n”, shtoi kryeministrit.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski theksoi se shfrytëzimi i kësaj hekurudhe do të thotë shumë për popullatën vendase, por edhe për biznesin.
“Insistojmë që trafiku i mallrave të zhvillohet dhe tashmë kemi folur për pjesë të caktuara të trafikut të mallrave në këtë hekurudhë në mënyrë që biznesi të zhvillohet më lehtë. Dëshiroj ta falënderoj personalisht kryeministrin për mbështetjen, nuk është punë e vogël që për dy javë të hapen tre projekte të mëdha”, tha Nikolloski.
Ky projekt filloi në vitin 2024 por asnjëra qeveri (LSDM-VMRO) nuk arriti ta përfundonte.
Gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare (dhjetor 2016) LSDM premtoi përfundim të rikonstruktimit të hekurudhës Kumanovë-Beljakovcë. Premtimi i përmendur i socialdemokratëve ishte pjesë e programit të tyre zgjedhor: “Plani për jetë në Maqedoni“, ku përmendej në më shumë vende.
Sipas projektimeve të asokohshme zgjedhore të LSDM dhënë në program, premtimi duhej të plotësohet më së voni deri në qershor të vitit 2019, duke pasur parasysh se Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga LSDM u zgjodh me 31 maj të vitit 2017.
Deklaratat e Qeverisë të viti 2019 flisnin se përfundimi i hekurudhës nga Kumanova deri në Beljakovce do të vonohet gjashtë muaj, gjegjësisht pritej që kjo pjesë të përfundojë në fund të vitit 2019. Por, vonesa në fakt zgjati plot shtatë vite.
Rikonstruktimin dhe ndërtimin e hekurudhës nga Kumanova deri në Beljakovce e premtoi edhe VMRO-DPMNE, së pari në programin zgjedhor “Manifest për reforma dhe zhvillim” (faqe 79) me të cilat partia doli në zgjedhje parlamentare në vitin 2011, më pas, edhe në zgjedhjet e parakohshme në vitin 2014 në programin “E verifikuar” (faqe 67). Realizimi i këtij projekti filloi në mars të vitit 2014, por as qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe as ajo paraprake e LSDM-së nuk arritën ta realizojnë premtimin.
Lajme nga vendi
Karvani ekonomik i Durmishit zbarkon në Strugë; Punë, grante dhe shanse për çdo strugan

Karvani ekonomik i ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ndaloi këtë të shtunë në Strugë, ku bashkë me drejtorin e Agjencisë për Punësim, Selatin Beluli, prezantuan masat e Planit Operativ për Punësim 2025.
Në takimin me struganët, ministri Durmishi theksoi se ky plan është një angazhim i qartë institucional, i mbështetur me 40 milionë euro buxhet, që synon ndërtimin e një tregu pune më të hapur, më gjithëpërfshirës dhe më të ndershëm për të gjithë.
“Ky plan është për ju; për të rinjtë që kërkojnë shansin e parë, për gratë që duan të fuqizohen ekonomikisht dhe për secilin që kërkon mundësi reale për përparim në vendin tonë”, theksoi ministri Durmishi.
Ai u zotua se çdo euro e këtij plani do të kthehet në mundësi konkrete për qytetarët, përmes masave të reja për vetëpunësim, praktikë, subvencione për bizneset dhe mbështetje për grupet më të rrezikuara nga papunësia.
Struga ishte ndalesa e radhës në kuadër të karvanit informues që po zhvillohet në gjithë vendin me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve mbi masat dhe mundësitë që ofron Plani Operativ për Punësim.
Lajme nga vendi
Sulejmani: Rikthehet dinjiteti për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, 38 artistë me vendime të përhershme pune

Pas vitesh neglizhencë, pa kontrata të rregullta dhe pa mbështetje institucionale, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore më në fund po merr trajtimin që i takon. Kështu ka bërë të ditur zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, i cili njoftoi për një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së dinjitetit të artistëve shqiptarë. “Që nga dita e parë e marrjes së detyrës, kemi punuar me përkushtim për ta zgjidhur këtë padrejtësi. Sot ndihem krenar që një nga zotimet më të rëndësishme për kulturën shqiptare po bëhet realitet”, u shpreh Sulejmani.
Sipas tij, aktualisht 38 artistë të Ansamblit janë të punësuar me vendim të përhershëm, përkatësisht: b9 instrumentistë të orkestrës, 8 këngëtarë, 21 valltarë.
Përveç administratës së rregulluar më parë, ky vendim shënon një kthesë të madhe në trajtimin institucional të artistëve të Ansamblit.
Zëvendësministri Sulejmani theksoi se puna nuk ndalet këtu, pasi prioritet mbetet zgjidhja e statusit për 4 valltarë dhe një defator, të cilët ende nuk janë të përfshirë në vendimet e përhershme, por për të cilët do të bëhet “e pamundura” që shumë shpejt të jenë të barabartë me kolegët e tyre. “Kjo është puna që flet vetë. Kjo është kultura që mbështesim me zemër. Ansambli do të jetë burim krenarie për shqiptarët, kudo që ndodhen”, përfundoi njoftimin Sulejmani.
Lajme nga vendi
Arrestohet polici nga Gostivari, dyshohet se ka vjedhur 25,000 € dhe ar në vlerë të 50,000 € nga Stacioni Policor

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë ditës së djeshme është arrestuar një zyrtar policor nga Gostivari, pasi i njëjti dyshohet se ka vjedhur ar dhe para që ishin sekuestruar gjatë bastisjeve të Policisë. Nga MPB thonë se është arrestuar edhe një person, i cili dyshohet se e ka blerë arin.
“Më 03.07.2025, në orën 17:50, zyrtarët policorë nga SPB Gostivar kanë arrestuar zyrtarin policor D.S. (51) nga Gostivari, për shkak të dyshimeve të bazuara se ka kryer vepër penale sipas nenit 353 dhe 354 – “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga Kodi Penal. Ai nga dollapi në Stacionin e Policisë, ku ruheshin gjësendet e marra nga bastisjet, në të cilat kishte marrë pjesë si i punësuar në krim-teknikë në SP Gostivar, ka vjedhur rreth 25.000 euro dhe stoli ari në vlerë prej rreth 50.000 euro. Kontrolli në objektin e Stacionit Policor të Gostivarit u krye nga një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Gostivar, në prani të ekipit hetimor dhe udhëheqësisë së SPB Gostivar. Po ashtu, në orën 20:30 në rrugën “18 Nëntori” në Gostivar, zyrtarët policorë nga SPB Gostivar arrestuan I.Sh. (32) nga Gostivari, për shkak të dyshimeve se ka kryer veprën penale “fshehje”, përkatësisht se ka blerë stolitë e arit të vjedhura”, thonë nga MPB.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve