Lajme nga vendi
Nuk u dekretua nga Presidentja – Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, nesër sërish në seancë plenare
Ligji për mbrojtjen e fëmijëve nesër sërish në seancë plenare. Ky ligj vjen për herë të dytë, pasi herën e parë nuk u dekretua nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova me arsyetimin se nenet 9 dhe 10, nuk ishin të harmonizuara sipas nenit 5 të Kushtetutës. Deputeti nga radhët e VLEN, Halil Snopçe, për Alsat njoftoi se licencat për nëpunësit e çerdheve, do të mund të merren edhe në gjuhën shqipe.
“Ne nuk do të shtojmë amendamente tjera për shkak se kishte një pengesë kushtetuese, është rregulluar por ajo që është e garantuar, që në të kaluarën s’ka qenë e tani është, shqiptarët do t’i nënshtrohen provimeve edhe me shkrim edhe në formë elektronike, në gjuhën amtare shqipe”, tha Halil Snopçe – VLEN.
Përpos gjuhës maqedonase dhe gjuhës shqipe, licenca do të mund të merret edhe në gjuhët tjera, gjegjësisht, në gjuhën që do ta kërkojë vet kandidati.
“Testimi do të mund të bëhet në gjuhën maqedonase si dhe në gjuhën që kandidati do ta zgjedhë derisa licenca do të jepet në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën në të cilin kandidati do të kërkojë t’i jepet. Dallimi është se këtë herë ndryshimet janë në përputhje me kushtetutën përshkak se herën e kaluar ishin gabim dhe nuk mundësonin përdorimin e asnjë gjuhe, gjegjësisht ligji siç ishte miratuar ishte tërësisht i pazbatueshëm. Me këto ndryshime, do të mund të jetë i zbatueshëm në praktikë”, u shpreh Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.
Ky ligj fillimisht ishte votuar më 24 dhjetor. Mos dekretimi i këtij ligji herën e parë u përshëndet nga LSDM dhe E Majta, ndërsa nga BDI thanë se qëllimi i presidentes ishte për të cenuar të drejtat e shqiptarëve./ Alsat.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

