Lajme nga vendi
Pacientët e onkologjisë në RMV kanë mbetur pa terapi biologjike
Pacientët në Klinikën për radioterapi dhe onkologji kanë mbetur pa terapi biologjike. Për momentin nuk ka terapi biologjike, përkatësisht nuk janë në qasje barnat “atezolizumab (tecentriq)”, “bevacizumab (avastin)”, “palbociclib”, “ribociclib”, “fulvestrant” dhe “cetuximab”. Ata druajnë se së shpejti mund të mbarojnë edhe “trastuzumab emtansine (kadcyla), “nivolumab”, “cobimetinib” dhe “vemurafenib”.
“Klinika e onkologjisë nuk është në gjendje t’i përgjigjet numrit në rritje të pacientëve me kancer metastatik dhe kjo është një nga arsyet pse ka ardhur deri te kjo mungesë. Arsyeja e dytë dhe ajo që ne pacientët e shohim si rezultat pozitiv, është se u zgjatet jeta pacientëve dhe për këtë arsye ata kanë nevojë për këtë terapi. Edhe pse vitin e kaluar me aneks u miratuan mjete shtesë, duket se nuk ishin të mjaftueshme. Mungesë të terapisë ka nga dita e premte dhe onkologjia po përpiqet të marrë mjete shtesë për ta mbyllur këtë boshllëk deri në miratimin e buxhetit të ri”, deklaroi për MIA-n Ana Marjanoviq, paciente dhe pjesë e Shoqatës “Hema-onko”.
Marjanoviq thotë se si paciente dhe si shoqatë insistojnë të ketë ndryshim të Listës pozitive.
“Nëse Fondi i Shëndetësisë dhe Ministria kanë mirëkuptim për urgjencën e këtij ndryshimi dhe gjejnë zgjidhje adekuate, në të ardhmen këto probleme të mungesës së terapisë që do të thotë jetë për shumë pacientë, nuk do të jenë objekt i diskutimit. Prandaj përsëri apelojmë deri te Ministria dhe Fondi i Shëndetësisë të gjendet zgjidhje e menjëhershme për pacientët që gjatë kësaj periudhe kanë mbetur pa terapi, por edhe të punohet në zgjidhjen që këto barna në të ardhmen të jenë në Listën pozitive”, theksoi Marjanoviq
MIA është drejtuar edhe deri te Klinika universitare për radioterapi dhe onkologji në Shkup.
“Situata me qasjen ndaj terapisë biologjike është rezultat i procedurave administrative që realizohen konform buxhetit të vitit 2024. Ky buxhet është hartuar në vitin paraprak në bazë të vlerësimeve të asaj kohe dhe nuk ka pasqyruar plotësisht nevojat momentale të klinikës. Gjithashtu, duhet të merret parasysh edhe rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve onkologjikë, si dhe kompleksiteti i proceseve administrative dhe financiare që ndikojnë në furnizimin e barnave”, kanë thënë nga Klinika.
Lidhur me sfidat që kanë të bëjnë me procedurat e tenderit, siç informojnë, tashmë po merren masa për planifikim më të mirë të furnizimeve dhe thjeshtësimin e procedurave në bashkëpunim me Fondin për Sigurim Shëndetësor dhe Ministrinë e Shëndetësisë. /MIA
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

