Lajme nga vendi
Kallëzim penal për dy zyrtarë të MPB-së për prokurim të kundërligjshëm publik prej 47 milionë denarësh
Drejtoria për Polici Financiare në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit ka bërë kallëzim penal ndaj Zh. T. në cilësinë e ndihmës ministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kundër A.S në cilësinë e Udhëheqësit të Departamentit për Prokurim, Menaxhment dhe Logjistikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autoritetit nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
“I denoncuari i parë Zh. T. në cilësinë e personit përgjegjës, ndihmësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme të RMV-së, duke mos ushtruar kompetencat e tij zyrtare me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar, nuk ka marrë vendim për prokurimin publik nga një procedurë e hapur për prokurimin e Shërbimeve për servisimin e automjeteve në pronësi të Ministrisë së Brendshme në vitin 2018, megjithëse në dhjetor është miratuar një plan për plotësimin e Planit Vjetor për ta zbatuar atë në dhjetor 2018, nuk ka ndërmarrë veprime për fillimin dhe publikimin në kohë të procedurës së rregullt dhe ka rrezikuar sigurinë e punonjësve të MPB-së, gjë që ka sjellë automjetet në gjendje defekti dhe pamundësi që të njëjtat të servisohen në atë mënyrë që nuk ka sjellë vendim në periudhën sa më të shpejtë të mundshme pas sjelljes së Planit të ri Vjetor për prokurimin publik për vitin 2019 dhe kështu me vetëdije i ka sjellë të gjithë në gjendje të jashtëzakonshme me qëllim të zbatimit të procedurës emergjente duke miratuar Vendim për zbatimin e procedurës emergjente me negocim pa shpallur shpallje për Riparimin dhe servisimin e PMV dhe TMV në të cilën procedurë u janë dërguar vetëm operatorëve të caktuar ekonomik”, thonë nga Policia Financiare.
I denoncuari i dytë A. S. në cilësinë e Udhëheqësit të Departamentit për Prokurim, Menaxhment dhe Logjistikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të RMV-së, detyrë e të cilit ishte të zbatonte vendimet e marra nga ndihmësministri, ndonëse ishte i obliguar që të obligojë një person i cili do të shpallë thirrje për prokurimit publik nga një procedurë e hapur, nuk e ka bërë këtë dhe kështu nuk ka lejuar operatorët e tjerë ekonomikë të interesuar të marrin pjesë në të njëjtën procedurë, bazuar në atë që i denoncuari i parë Zh. T. ka lidhur marrëveshje kornizë pas procedurës urgjente me negocim pa shpallje të thirrjes, në të cilën i pandehuri i parë së bashku me të pandehurin e dytë kanë mundësuar përfitime pasurore të kundërligjshme për bartësit e prokurimit Kop Company DOOEL Shkup, Përzho Avtokompleks DOOEL Manastir, Automakedonija ShA Shkup, DTU Auto servis Rade DOOEL eksport-import f. Tearcë Tetovë dhe MI – DA Grand Motors DOO Shkup, 9.440.000,00 denarë individualisht për secilin person juridik, gjegjësisht në total 47.200.000,00 denarë me TVSH.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Policia Financiare ngriti padi kundër një udhëheqësje të një kompanie nga Shkupi pasi ka dëmtuar buxhetin e FSSH-së me 140 mijë euro. Në këtë mënyrë, siç thotë Policia Financiare, ajo ka mashtruar Fondin për të lidhur kontratë për blerjen dhe dorëzimin e mjeteve ndihmëse ortopedike të papërshtatshme të quajtur “Ortoza e hipit me nyje” në periudhën 1.1.2014 deri më 31.12.2016.
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Lajme nga vendi
Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.
Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.
Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.
Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)

