Lajme nga vendi
Çmimet, edhe partitë politike mbështesin bojkotin
Të gjitha partitë politike, pavarësisht nivelit të tyre të përgjegjësisë, mbështesin bojkotimin e marketeve nga ana e qytetarëve. Kreu i LSDM-së Venko Filipçe thotë se qeveria nuk duhet të mbështesë, por të ndërmarrë masa konkrete.
“Shqetëson moskokëçarja dhe mosinteresimi i qeverisë të ndërmarrë ndonjë masë. Madje edhe me një cinizëm i mbështesin qytetarët të protestojnë kurse në fakt, protesta e qytetarëve për çmimet e larta dhe për marketet duhet në realitet të drejtohet ka qeveria sepse ajo është përgjegjëse për formimin e çmimeve, është përgjegjëse që të kujdeset për qytetarët që të mos përjetojnë këto rritje të çmimeve, veçanërisht në situatën kur nuk dëgjohen kërkesat e tyre për rritjen e pagave”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Kryeministri Hristijan Mickoski këmbëngul se qeveria është duke ndërmarrë masa për të përmirësuar klimën e biznesit për tregtarët por sipas tij, revolti i qytetarëve është i arsyeshëm.
“Ne në të kaluarën i kemi dhënë shans dhe do t’i japim shans dialogut edhe në të ardhmen. Dialog duhet të ketë patjetër për të pasur zgjidhje. Ky është një mjet që e përdorim dhe do ta përdorim. Këtu nuk ka asnjë dilemë. Por, duhet të pranoj se ka operatorë të tillë ekonomik që pozitën e tyre në treg e keqpërdorin. Për mua si qytetar, nëse hiqen nga politika, është e palogjikshme që produktet e njëjta tek marketet te ne, të jenë me çmime të njëjta ose më të larta se sa në marketet e vendeve fqinje, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Sipas Mickoskit, keqpërdorimi me çmimet nuk ndodh vetëm nga marketet por edhe nga kompanitë e ilaçeve dhe ato të teknikës së bardhë.
VLEN thonë se kuptojnë nevojën e patjetërsueshme të qytetarëve për ta realizuar këtë bojkot, që përmes kësaj të alarmohen profiterët në kurriz të popullit. Thonë se si parti në pushtet, kanë ndërmarrë masa.
“Ne kuptojmë peshën dhe përgjegjësinë tonë si koalicion VLEN që jemi pjesë e pushtetit dhe kemi përgjegjësi institucionale… kemi miratuar masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve duke ngrirë marzhën e produkteve ushqimore bazë në mënyrë që të mos çojë në rritje enorme të çmimeve ku nuk ka bazë për atë dhe në këtë drejtim mirëpresim iniciativat e tilla dhe qytetarët me aktivitete të tilla”, thonë nga VLEN.
BDI-ja një ditë më parë kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit të Ekonomisë dhe marrjen e masave urgjente për të ndalur rritjen e padrejtë të çmimeve. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

