Lajme nga vendi
PROBLEMET NË UNIVERSITETE DHE LIGJËRUESIT DISA VITE PA VENDIME, FLET MINISTRJA E ARSIMIT, JANEVSKA
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në një intervistë për INA ka theksuar se fokusi i saj do të jetë rritja e cilësisë në arsimimin e lartë dhe zgjidhja e shumë çështjeve dhe problemeve që janë reale.
Ajo ka folur edhe për shqetësimin e shumë profesorëve që punojnë në universitete publike, sidomos edhe në Universitetin e Tetovës, që me vite të tëra janë të angazhuar me honorare minore dhe pa vendime të përhershme.
Çfarë po ndodh me arsimin e lartë, duke patur parasysh mungesën e cilësisë edhe në këtë fushë, duke pasur parasysh numrin e madh të universiteteve, në raport me numrin e banorëve, që do të thotë programe që prodhojnë diploma dhe personel jocilësor?
Janevska: Për një kohë të gjatë në Maqedoni nuk ka pasur, do të thosha, monitorim se çfarë po ndodh në arsimin e lartë, edhe pse nuk mund të themi se gjithçka është e keqe në arsimin e lartë. Por ka disa çështje që duhet t’i trajtojmë shpejt, sepse ne po ndjejmë rënie të cilësisë edhe në arsimin e lartë. Shumë universitete, shumë fakultete, shumë mbivendosje në punën e disa universiteteve, parregullsi në punën e universiteteve të caktuara ose në procedura të caktuara. Dhe për këtë, nëse jemi një vend serioz i organizuar, do të duhet ta zgjidhim me kalimin e kohës. Në arsim, për fat të keq, proceset zgjasin më shumë. Edukimi nuk është kirurgji që zgjidh një problem me një procedurë kirurgjikale. Arsimi është diçka që ka një kurs të vazhdueshëm dhe afatgjatë. Nga këtu gjithçka që duhet të ndërmarrim, do të ndërmarrim, por procesi është pak më i gjatë, për të zgjidhur problemet në arsimin e lartë duhet të bëjmë ndryshime edhe në disa ligje dhe tashmë po punohet për ndryshimin e tyre. Përpos ligjeve, janë edhe disa institucione që duhet të fillojnë të funksionojnë më seriozisht. Pra, nuk është vetëm Ministria e Arsimit, por në tërësi duhet përfshirje e përgjithshme e të gjitha palëve të përfshira në këtë lëmi që të kemi ndryshime, një arsimim më cilësor dhe më funksional. arritur këto ndryshime në arsimin e lartë. Ministria e arsimit është në komunikim dhe bashkëpunon me të gjitha palët për të arritur synimet e duhura për të arritur qëllimin.
Aktualisht po ndryshon ligji për arsimin e lartë, Ligji për veprimtarinë shkencore, arsimi i lartë përfshin edhe studentët, ligjet për standardet e studentëve dhe nxënësve, që mbulojnë procedurat e tjera, jo vetëm bursat, shujtat ditore.
Në pyetjen e fundit do t’ju përcjell një shqetësim të disa profesorëve, që janë me dhjetëra që për më shumë vite po punojnë në universitetet publike, e që nuk kanë zgjidhje të përhershme të vendeve të punës, por që paguhen me paga minimale nënçmuese. Këtu do ta përfshij edhe Universitetin e Tetovës. A pritet ndonjë zgjidhje për ta?
Janevska: Nëse universiteti, apo fakulteti, ka nevojë për profesorë me tituj shkencor apo staf tjetër, duhet të shpallë konkurs dhe ata njerëz që do të përzgjedhen në konkurs duhet të kenë vendim të përhershëm. Nëse kjo nuk është bërë kështu, atëherë kjo është gabim dhe këtu kemi të bëjmë me parregullsi në funksionimin e universitetit dhe Inspektorati Shtetëror Arsimor vepron sipas raportimeve denoncimeve specifike që i pranon.
Opsioni tjetër është që universitetet apo fakultetet të punësojnë persona të jashtëm nëse nuk kanë kuadër të mjaftueshëm, për arsye të ndryshme, për shkak të mungesës së financimeve, mungesës së kuadrit adekuat të paraqitur në konkurset e shpallura. Atëherë në këtë rast, këto universitete mund të angazhojnë kuadro nga jashtë nga ndonjë universitet apo fakultet tjetër, për të kryer një pjesë të veprimtarisë. Por në parim kjo nuk duhet të ndodhë.
Por çështja është se stafi është aty, por nuk i kanë punësuar me vendime të përhershme, sepse kemi ligjërues që tashmë ligjërojnë pesë e më shumë vite?
Janevska: Atëherë, në raste të tilla, duhet të kemi informacione dhe të jemi të informuar edhe nga palët e tanguara me këto probleme. Atëherë, Inspektorati Shtetëror i Arsimit është i obliguar të veproj në rast se janë bërë dhe ka keqpërdorime. Në këtë rast, edhe Ministria e Arsimit sigurisht do të angazhohet në zgjidhjen e këtij problemi dhe ju e keni parë se jemi duke vepruar dhe jemi të angazhuar në zgjidhjen e shumë çështjeve.
Sa për informim, Inspektorati Shtetëror i Arsimit në gjashtë muaj ka bërë 1400 vizita, ekzaminime dhe raportime, që është një numër jo i vogël, duke qenë se kemi të bëjmë edhe me një staf relativisht të vogël. Andaj siç e thash jemi të fokusuar për t’i dhënë kahje për zgjidhjen e shumë problemeve në arsim.
Lajme nga vendi
SHASIVARI: NË TETOR TAKIME ME STUDENTËT SHQIPTARË!
Kur do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët shqiptarë? Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se kjo nuk është çështje etnike apo politike, por juridike dhe institucionale. Ai paralajmëroi takim me organizatat studentore në tetor, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për dhënien e provimit në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe sërish në fokus të Kuvendit.
Pyetjes së deputetes Diana Toska se kur studentët do të mund ta japin këtë provim në shqip, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, iu përgjigj se gjuha mund të jetë e ndryshme, por kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
Në Ministrinë e Drejtësisë, sipas Shasivarit, tashmë kanë arritur kërkesa nga pesë organizata studentore për mundësinë e dhënies së provimit në gjuhë të tjera.
Mes tyre janë edhe Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Tetovës, të cilat kërkojnë mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe.
Shasivari thotë se kërkesat e studentëve duhet të merren seriozisht, pasi bëhet fjalë për të rinj që në të ardhmen do të jenë pjesë e sistemit juridik.
Ai paralajmëroi se në tetor do t’i ftojë përfaqësuesit e organizatave studentore në një takim koordinues, ku do të diskutohen kërkesat dhe do të kërkohet një zgjidhje institucionale për provimin e jurisprudencës në gjuhët e përcaktuara me ligj.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë, sot rezultati po shihet
Rikonstruimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se projekti po i jep Çarshisë një pamje të re, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe karakterin e saj tradicional.
Në një sipërfaqe prej 1.567 m², ndërhyrjet kanë përfshirë infrastrukturën nëntokësore dhe rregullimin e hapësirës mbi tokë: rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, rrjetin elektrik dhe fibrat optike, restaurimin e kalldrëmit me gur travertin, vendosjen e ndriçimit të ri tradicional dhe rregullimin e hapësirave për këmbësorët.
“Premtuam t’ia rikthejmë shkëlqimin Çarshisë dhe sot rezultati po shihet. Pas më shumë se pesë dekadash, po realizojmë një ndërhyrje rrënjësore, nga infrastruktura nëntokësore deri te pamja përfundimtare, duke ruajtur identitetin që e bën Çarshinë të veçantë. Me mbi 28 milionë denarë investim, po krijojmë kushte më të mira për qytetarët, zejtarët, bizneset dhe vizitorët,” deklaroi Mexhiti.
Me përfundimin e projektit, Çarshia e Vjetër do të ketë infrastrukturë të modernizuar dhe hapësira publike më funksionale, duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat e saj historike dhe autentike.
Lajme nga vendi
RASTI I LLASKARCËS ËSHTË FYTYRA E DËSHTIMIT TË GJYQËSORIT
Shtatë vjet pas tragjedisë në Llaskarcë, familjet e 16 viktimave ende presin drejtësi. Shfuqizimi i aktgjykimit të Apelit dhe kthimi i lëndës për rivendosje hapin përsëri mundësinë që ky proces të zvarritet pa fund.
Edhe në dhjetor paralajmëruam se “Durmo Turs”, bashkë me shumë raste të tjera, është dëshmi e gjallë e dështimit të sistemit. Pamë shtyrje të dyshimta, raporte mjekësore dhe moszbatim të vendimeve.
Besimi në gjyqësor, që ka rënë deri në dy për qind, nuk ra nga qielli. Vetëm superekspertiza për rastin e Llaskarcës qëndroi 315 ditë në Byronë për ekspertiza gjyqësore. Në krye të Byrosë ishte Valdet Xhaferi, funksionar i BDI-së. Pra, lënda nuk u zvarrit vetë.
Gjyqësori duhet reformuar nga rrënjët dhe ministri i ri i Drejtësisë e ka nisur mbarë këtë punë, me vendosmërinë që raste si Llaskarca të mos mbeten më peng i sistemit.
Kërkojmë publikimin e shpejtë të arsyetimit dhe trajtimin me përparësi të lëndës, pa lojëra të reja procedurale. Familjet e viktimave nuk duhet të kthehen përsëri në pikën zero.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

