Lajme nga vendi
Murtezani-Ropke: Gjithëpërfshirja dhe dialogu i gjerë social janë kyçe për zbatim të suksesshëm të reformave në Maqedoni
Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani sot realizoi takim me Oliver Ropke, kryetar i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), në të cilin diskutuan për rolin e partnerëve ekonomiko-socialë dhe shoqërisë civile në procesin euro-integrues, thuhet në njoftimin e MÇE-së.
Murtezani, siç thuhet në njoftim, përshëndeti nismën e KESE-së për përfshirje më të thellë të sektorit të shoqërisë civile, sindikatave dhe odave ekonomike në procesin e zgjerimit dhe theksoi se gjithëpërfshirja dhe dialogu i gjerë social janë kyçe për zbatim të suksesshëm të reformave të lidhura me integrimin evropian.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut tashmë ka zhvilluar mekanizma për përfshirjen e sektorit të shoqërisë civile në procesin e krijimit të politikave, përfshirë edhe procesin e integrimit evropian, dhe se nevojitet bashkëpunim më konkret edhe me institucionet evropiane për thellimin e këtij bashkëpunimi.
Murtezani në takim theksoi se pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile në platformat evropiane, siç janë KESE-ja, është mjet i rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, si dhe për përforcimin e mbështetjes publike për reformat të cilat i kërkon BE-ja.
Të dyja palët u dakorduan se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm proces institucional, por transformim që medoemos të udhëhiqet nga të gjitha segmentet e shoqërisë. Ministri Murtezani riafirmoi gatishmërinë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të përforcuar bashkëpunimin me KESE-n, me qëllim të shfrytëzimit më të mirë të mundësive që ofron ky komitet për përfshirjen e sektorit të shoqërisë civile në proceset evropiane.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

