Lajme nga vendi
Në seancë kuvendore do të votohet për anëtarët e rinj të Këshillit të ASHMAA
Kuvendi sot do ta mbajë seancën e 34-të, në rend dite të së cilës janë gjithsej 25 pika, ndër të cilat edhe Propozim-vendimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.
Propozim-vendimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit të ASHMAA-së është pika e katërt e rendit të ditës. Për miratimin e tij nevojitet një shumicë prej dy të tretash dhe shumica e Badenterit.
Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në seancën e fundit të ditës nga janari konfirmoi listën e kandidatëve në të cilën janë Viktor Pavlovski inxhinier i diplomuar për informatikë prodhimi nga Shkupi, Sasho Stefanovski i diplomuar për art filmik dhe kameraman televiziv nga Shkupi, Petar Xhurovski montazher i diplomuar filmik dhe TV nga Shkupi, Cvetanka Minovska gazetare e diplomuar nga Shkupi, Afrona Vërzilova ekonomiste e diplomuar nga Shkupi, Nafije Selmani profesoreshë e diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe nga Shkupi dhe Gordana Majnova ekonomiste e diplomuar dhe magjistre për komunikologji.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje tha se zgjedhja e kandidatëve për anëtarë të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) është zbatuar sipas dispozitave ligjore dhe secili që i plotëson, mund ta kryejë atë funksion.
“Zgjedhja e anëtarëve të ASHMAA-së, si dhe zgjedhja e kryerësve të funksioneve të larta shtetërore dhe publike bëhet në bazë të dispozitave ligjore dhe secili që i plotëson, ndërsa është propozuar ta kryejë atë funksion, do ta kryejë. Në bazë të ndjenjave dhe deklaratave të cilat na çojnë në drejtim të përmirësimit të atij procesi, unë nuk do të bëj asnjë koment. Por, kushdo që plotëson kushtet ligjore dhe ato kushtetuese, kuptohet, në këtë vend mund të zgjidhet në çdo pozicion për të cilin propozohet. Ai që nuk i plotëson nuk do të propozohet”, tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve në lidhje me reagimet nga ambasadat e huaja për profesionalitetin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të ASHMAA-së dhe politizimin e tij.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shprehu brengë për shkak të zgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA). Sipas tyre, një pjesë e kandidatëve të zgjedhur nuk i plotësojnë kushtet formale dhe kanë prapavi partiake, gjë që vë në pikëpyetje profesionalizmin dhe pavarësinë e tyre. Apeluan që Kuvendi të zgjedhë anëtarë të pavarur dhe kompetent për të garantuar efikasitetin dhe paanshmërinë e organit rregullator.
Para deputetëve në seancën e sotme si pikë e 14-të janë edhe Propozim-ndryshimet e Ligjit për deputetët, me procedurë të shkurtuar. Ky propozim-ligj është dorëzuar nga grupi i deputetëve E Majta, me të cilin parashikohet ulje e shumës që Kuvendi ua paguan parlamentarëve për shpenzime rrugore. Sipas Të Majtës, në periudhën nga viti 2010 deri në 2024, për shpenzime rrugore për deputetët e VMRO-DPMNE-së janë shpenzuar 3.700.000 euro, të LSDM-së 2.000.000 euro dhe të BDI-së 680.000 euro.
“Në këto shuma nuk janë përfshirë shpenzimet për qiratë e deputetëve, shumica e të cilëve kanë banesa në Shkup, ndërsa paguajnë qira nga shteti. Sot 12 shkurt – e mërkurë 120 deputetë kanë mundësi të heqin dorë nga arroganca e tyre dhe të votojnë për ligjin e Të Majtës, i cili propozon kufizimin e shpenzimeve rrugore (të mos shfuqizohen, që të mos “ofendohen” deputetët tjerë), theksoi deputetja dhe sekretare e përgjithshme e Të Majtës, Jovana Mojsoska.
Deputetët do të debatojnë edhe për Propozim-vendimin për publikimin e shpalljes publike për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesa për prokurimet publike, Propozim-vendimi për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, Propozimi për shkarkimin e drejtorit dhe zëvendës drejtorit të Agjencisë për Administratë dhe Propozim-vendimi për publikimin e shpalljes publike për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në rend dite të kësaj seance janë edhe disa vendime ligjore nga fusha e financave, si dhe Propozim-vendimet e Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje dhe të Ligjit për Mundësi të Barabarta të grave dhe burrave.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

