Lajme nga vendi
Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë në takim me ministrin e ekonomisë
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të sapoformuar të tregtarëve me shumicë dhe pakicë kryesisht me prodhime ushqimore dhe joushqimore, pije dhe duhan duhet të takohen me ministrin e Ekonomisë Besar Durmishi në lidhje me propozim-vendimin për kufizimin e marzheve deri në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë.
Nga Oda përmes një komunikate njoftuan se janë takuar me kryeministrin Hristijan Mickoski, i cili e ka obliguar ministrin e Ekonomisë që të zhvillojë takim me ta, pas së cilës kanë paralajmëruar se do t’i publikojnë informatat për opinionin.
“Sipas vendimit nga takimi, në të cilin kryeministri Hristijan Mickoski e obligoi ministrin e Ekonomisë dhe Punës që të mbajë një takim të ri me ne, më 14 shkurt 2025, gjatë ditës së sotme do të dalim me qëndrime, të cilat do t’i sqarojmë në takim, të cilat do të analizohen për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Ne duam të krijojmë një klimë të favorshme pune për të gjithë aktorët e sektorit, që të mos pësohet asnjë dëm dhe e gjithë kjo është në interes të konsumatorëve tanë”, thuhet në kumtesën e Odës.
Dje Oda ka bërë kërkesë për mbledhje urgjente me Qeverinë pas vendimit për përgatitjen e Projekt-vendimit për kufizimin e marzheve në 10 për qind në tregtinë me pakicë dhe shumicë.
Nga Oda theksuan se një vendim i tillë do të vinte në pikëpyetje mbijetesën e tregtarëve dhe ata do të detyroheshin të pushonin nga puna dhe të mbyllnin marketet. Dëmet, sipas Odës, do të jenë të mëdha, pasi rrezikohet mbijetesa e 86 kompanive tregtare me 790 dyqane dhe 4.700 punonjës.
Oda Ekonomike e Tregtarëve me Shumicë dhe Pakicë, kryesisht me produkte ushqimore dhe jo ushqimore, pije dhe duhan, është themeluar në Kuvendin Themelues të mbajtur më 10 shkurt dhe është në proces të regjistrimit në Regjistrin Qendror.
Pas rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe dy bojkoteve qytetare, Qeveria në seancën e së martës ka obliguar Ministrinë e Ekonomisë që të përgatisë Projektvendimin, i cili sipas njoftimeve është dashur të mbahej dje në seancë urgjente, por kjo nuk ka ndodhur. Projekt-vendimi ishte paraparë të mbulonte produktet ushqimore bazë nga të njëjtat 73 grupe produktesh që ishin në shportat e mëparshme, si dhe detergjentet, ushqimet për fëmijë dhe produkte të tjera joushqimore që kanë një marzhë shumë të lartë dhe janë pjesë e nevojave bazë të qytetarëve.
Ky vendim është bazuar në raportin gjashtëmujor të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, sipas të cilit është konstatuar se shitësit me pakicë kanë mbi 20 për qind marzhe për produktet ushqimore bazë dhe mbi 30 për qind marzhe për produktet e higjienës personale, ndërsa importuesit dhe distributorët kanë shënuar marzhe më të larta, madje deri në 50 për qind.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)
Lajme nga vendi
NP “Parqe dhe gjelbërime” – Shkup: Ka paralajmërime për mot të paqëndrueshëm, mos parkoni automjetet nën pemë
NP “Parqe dhe gjelbërime” – Shkup u bën thirrje qytetarëve të kenë kujdes për shkak të paralajmërimeve për mot të paqëndrueshëm me reshje të dendura shiu, bubullima dhe erëra të fuqishme. Qytetarëve u rekomandohet të mos parkojnë automjetet nën pemë dhe të shmangin qëndrimin pranë vegjetacionit të lartë për të ulur rrezikun nga rënia e degëve apo pemëve.
“Për shkak të paralajmërimit nga Enti Hidrometeorologjik për mot të paqëndrueshëm, të shoqëruar me reshje të dendura shiu, bubullima dhe erë të fuqishme, apelojmë që qytetarët të mos i parkojnë automjetet e tyre nën pemë dhe të shmangin qëndrimin pranë vegjetacionit të lartë, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga pasojat e mundshme. Nëse vëreni një pemë të rrëzuar, degë të thyera ose ndonjë rrezik tjetër të shkaktuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike, ju lutemi ta raportoni menjëherë në numrin emergjent 112 ose në numrat kujdestarë të publikuar në faqen zyrtare të NP “Parqe dhe Gjelbërime”. Apelojmë te të gjithë qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet dhe të tregojnë kujdes”, thonë nga NP “Parqe dhe gjelbërime”

