Lajme nga vendi
Borë e shi, vendin e pret periudhë e motit të ftohtë
Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të kohëpaskohshme, në male dhe në disa vende më të larta të borës, ndërsa në vendet më të ulëta të shiut, të cilat përkohësisht do të kalojnë në borë.
“Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, përgjatë Vardarit erë e kohëpaskohshme e fuqishme nga drejtimi verior. Borë të dobët do të ketë diku në rajonet malore. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -1 deri 5 gradë, ndërsa ajo maksimale prej 3 deri 9 gradë”, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Në Shkup moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me kushte për shi të dobët të kohëpaskohshëm, në vende më të larta me kushte për borë të dobët dhe erë të lehtë veriore. Temperatura minimale do të bie deri në 3, ndërsa ajo maksimale do të arrijë 8 gradë Celsius.
Sipas parashikimit të DPHM, në ditët në vijim moti do të jetë i vranët me reshje të kohëpaskohshme, në male dhe në disa vende më të larta të borës, ndërsa në vendet më të ulëta të shiut dhe kushte që reshjet përkohësisht të kalojnë në borë.
“Do të fryjë erë e mesme deri e fuqishme veriore. Nga e marta vranësirat do të ulen, ndërsa nga e mërkura moti do të jetë kryesisht me diell me temperatura të ulëta të mëngjesit”, informon DPHM.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

