Lajme nga bota
BE miraton sanksione të reja ndaj Rusisë në përvjetorin e tretë të fillimit të luftës në Ukrainë
BE miratoi paketën e saj të 16-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke vënë në shënjestër sektorët kryesorë të ekonomisë ruse dhe individët e përfshirë në luftën e saj kundër Ukrainës, raporton Anadolu.
Sanksionet e reja u miratuan sot, në ditën kur lufta në Ukrainë hyri në vitin e saj të katërt, ndërsa zyrtarët e BE-së theksuan nevojën për të dobësuar aftësinë e Moskës për të vazhduar fushatën e saj ushtarake.
Pakoja e fundit përfshin masa kufizuese ekonomike dhe individuale, që prekin flotën nën hije të Rusisë, rrjetet financiare dhe kompleksin ushtarako-industrial.
“Për tre vjet tani, Rusia ka bombarduar pamëshirshëm Ukrainën, duke u përpjekur të vjedhë tokë që nuk është e tyre”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke shtuar:
“Çdo paketë sanksionesh ia privon Kremlinit fondet për të zhvilluar luftë”.
Këshilli i BE-së vendosi sanksione ndaj 83 individëve dhe subjekteve përgjegjëse për minimin e integritetit territorial të Ukrainës, ndërsa zgjeroi gjithashtu kriteret për të shënjestruar ata që operojnë flotën nën hije të Rusisë, që përbëhet nga anije të përdorura për t’iu shmangur sanksioneve ndaj eksporteve të naftës, sipas një deklarate të këshillit.
Gjithsej 153 anije tani janë të kufizuara sipas masave të BE-së.
Për herë të parë, BE vendosi një ndalim transaksionesh për institucionet e huaja financiare që përdorin sistemin e mesazheve financiare të Rusisë, SPFS, duke zgjeruar gjithashtu kufizimet ndaj 13 bankave kryesore rajonale.
Përveç kësaj, 53 subjekte u shtuan në listën e atyre që furnizojnë kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë.
Sanksionet përfshijnë gjithashtu kufizime të reja tregtare mbi teknologjinë e dronëve, kimikatet dhe softuerin kritik për zhvillimin e armëve të Rusisë. Kufizime të mëtejshme u vendosën në eksportet e materialeve industriale dhe importet e aluminit rus, një burim i rëndësishëm të ardhurash për Moskën.
Tetë mediave ruse të akuzuara për përhapjen e propagandës së Kremlinit iu hoqën licencat e transmetimit të BE-së, ndërkohë që u vendosën kufizime të reja në portet ruse, rrjetet e transportit dhe aviacionin.
Paketa shtrin gjithashtu sanksione të energjisë, duke kufizuar softuerin e përdorur për kërkimin e naftës dhe gazit dhe duke ndaluar ruajtjen e përkohshme të naftës së papërpunuar ruse në BE.
Liderët e BE-së riafirmuan angazhimin e tyre për të mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa duhet”. Kallas theksoi rëndësinë e sanksioneve në përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës.
Lajme nga bota
Pamje dramatike/ Babai e harroi mbi çatinë e makinës dhe u nis në rrugë, foshnja në Meksikë shpëton falë ndërhyrjes së motoçiklistit
Një ngjarje e pazakontë dhe tejet e rrezikshme është regjistruar në Meksikë, ku një burrë është larguar me makinën e tij pa kuptuar se kishte harruar foshnjën në shportën e saj, të vendosur mbi çatinë e automjetit. Fëmija shpëtoi pa pësuar lëndime të rënda falë ndërhyrjes së një motoçiklisti dhe këmbënguljes së kalimtarëve që u përpoqën të ndalonin shoferin.
Ngjarja ndodhi në zonën Ávila Camacho, në qytetin Torreón. Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë shportën me foshnjën mbi çatinë e makinës, ndërsa automjeti është në lëvizje. Një motoçiklist, i cili ishte dëshmitar i situatës, nisi t’i binte borisë dhe të bërtiste për të tërhequr vëmendjen e shoferit dhe për ta paralajmëruar që të ndalonte. Megjithatë, burri duket se nuk i dëgjon thirrjet dhe vijon udhëtimin.
Lajme nga bota
Përmbytje të mëdha në Stamboll, dy të vdekur dhe qindra banesa nën ujë – pezullohet mësimi
Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të mëdha që kanë goditur Stambollin, pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan vërshime në rrugë, banesa dhe biznese, duke paralizuar pjesërisht jetën në qytetin më të madh të Turqisë.
Sipas agjencisë shtetërore turke Anadolu, një grua 34-vjeçare ka humbur jetën në lagjen Sarıyer, pasi është rrëzuar teksa po përpiqej të kalonte një rrugë të përmbytur. Ajo është dërguar në spital, por nuk ka arritur të mbijetojë.
Ndërkohë, një 14-vjeçar ka vdekur si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, pasi kishte shkelur në një pellg me ujë në zonën Balat të Stambollit.
Reshjet e dendura, që përfshinë qytetin të mërkurën, më 14 tetor, shkaktuan përmbytje në disa lagje, ndërsa automjete të shumta mbetën të bllokuara në rrugë dhe disa të tjera u morën nga rrjedha e ujit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Guvernatori i Stambollit, gjatë periudhës nga ora 06:00 deri në orën 20:00 të së mërkurës, autoritetet kanë pranuar gjithsej 2 mijë e 518 thirrje emergjente.
Në mesin e tyre janë regjistruar 1 mijë e 277 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe 47 raste të personave të bllokuar. Po ashtu, janë evidentuar raportime për përmbytje në 808 banesa dhe 280 biznese.
Për përballimin e situatës emergjente, autoritetet kanë angazhuar rreth 8 mijë punonjës dhe 2 mijë automjete e makineri të rënda.
Situata ka qenë veçanërisht e rëndë në lagjen Ayazağa të Sarıyerit, ku rreth 200 punonjës mbetën të bllokuar në vendet e tyre të punës për shkak të përmbytjeve.
Ekipet e shpëtimit, përfshirë autoritetet e emergjencave AFAD, zjarrfikësit dhe njësitë e kërkim-shpëtimit, ndërhynë gjatë natës, duke evakuuar punonjësit me kamionë dhe minibusë. Në disa raste, makineritë e rënda u përdorën për të shpëtuar qytetarët e bllokuar në automjete.
Përmbytjet kanë prekur edhe objekte historike. Në zonën Kağıthane, lumi doli nga shtrati, duke përmbytur xhaminë historike Sadabad dhe ndërtesat përreth saj. Uji depërtoi edhe në hapësirat e brendshme të xhamisë, ndërsa autoritetet ndaluan hyrjen në objekt për arsye sigurie.
Për shkak të kushteve të rënda atmosferike, Guvernatori i Stambollit ka vendosur pezullimin e mësimit në të gjitha institucionet arsimore publike dhe private për ditën e enjte, 15 tetor.
Autoritetet kanë vendosur gjithashtu masa të tjera parandaluese, përfshirë kufizimin e qarkullimit të motoçikletave dhe lejen administrative për kategori të caktuara të punonjësve publikë.
Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa banorët e kateve nëntokësore janë këshilluar të qëndrojnë përkohësisht në vende më të sigurta.
Shërbimi meteorologjik turk ka paralajmëruar vazhdimin e reshjeve të shiut dhe stuhive gjatë së enjtes, ndërsa ekipet emergjente vijojnë ndërhyrjet në zonat e prekura.
Lajme nga bota
Blerja e raketave nga Serbia alarmon rajonin: Eurodeputeti kroat kërkon reagim urgjent nga Komisioni Europian
Blerja e armatimeve ofensive nga ana e Serbisë, përfshirë raketat balistike të siguruara nga Kina dhe bashkëpunimi i ngushtë ushtarak me Rusinë, përbën një kërcënim real për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një prononcim publik, eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier theksoi se Parlamenti Europian ka qenë kritiku më i ashpër i regjimit të Beogradit, duke i kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian ndërprerjen e fondeve dhe ndryshimin e menjëhershëm të qasjes politike.
Deklarata e eurodeputetit Davor Ivo Stier:
“Shqetësimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me riarmatimin, por edhe me prokurimin e armëve ofensive, për shembull si raketat balistike që janë blerë nga Kina. Çështja është, përse i duhen këto armatime ofensive? Të cilën ne e kemi vënë në dukje përmes një rezolute të Parlamentit Evropian mbi Serbinë.
Ne kemi konstatuar se regjimi serb nuk po ecën aspak në drejtim të vlerave evropiane dhe, sidomos pas sulmit të Banjskës, Parlamenti Evropian ka qenë shumë kritik edhe sa i takon reagimeve të institucioneve të tjera, përfshirë Komisionin Evropian, të cilit ne i kemi bërë thirrje që të aplikojë politikat e duhura që tregojnë se vendi nuk po implementon reformat dhe nuk meriton më fonde.
Prandaj do të thosha se Parlamenti Evropian ka qenë institucioni më kritik kur bëhet fjalë për politikat kundrejt Serbisë, ndërsa tek Komisioni zbatohen dhe ndiqen ende politika dhe qasje përmes të cilave ata shpresojnë se do të arrijnë rezultate, por këto rezultate deri më sot kanë qenë negative.
Sigurisht që është një deklaratë shqetësuese. Në vend që t’i vinte veshin mesazheve që vijnë nga institucionet evropiane dhe sidomos nga Parlamenti Evropian, ajo që kemi parë deri tani me Beogradin është se vazhdon me politikat e tij. Vetëm ditën e djeshme, për shembull, Ministria e Jashtme e Serbisë shpërndau një notë verbale proteste kundër lirisë së medias në Kroaci.
Kjo është një ndërhyrje e pastër në çështjet e brendshme të një vendi, por vjen në një kohë kur Serbia ndodhet në prag të zgjedhjeve. Kjo nuk është mënyra e duhur për të ecur përpara dhe mendoj se Serbisë i duhet bërë e qartë se me këto politika të brendshme Serbia nuk po ecën drejt Bashkimit Evropian.”
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

