Lajme nga vendi
Taravari: Ballkani është fuçi baruti, e cila po të ndizet merr me vete botën mbarë!
Arben Taravari
Diplomacia ky art në zhdukje dhe Konflikti i Tretë Botëror
Ngjarjet e fundit të ndodhura pas emërimit të z.Trump President, kanë tronditur botën në nivelin e një shock-u emocional. Kjo jo sepse domosdoshmërisht ka një palë të gabuar por sepse dinamika e raporteve është tejet e ndryshme nga që ishte më parë.
Duket se truri politik që udhëheq botën i përjeton gjërat shumë fort emocionalisht se sa objektivisht, ndaj dhe ky ndryshim qëndrimi nga SHBA-të drejt Evropës ka sjell kaos në zyrat më të larta të saj. Aq e lartë është rrëmuja sa të kujtohet gjeniu anglez i letrave William Shakespeare kur në monologun e tij më të famshëm se vet komedia “As you like it”, shkruan vargjet më mizore por edhe më të vërteta se
“E gjithë bota është një skenë
Dhe të gjithë burrat dhe gratë janë thjesht aktorë”…
Njësoj si në fundi i papritur i një martese ashtu po përjetohet krisja e raporteve amerikano-evropiane, sepse krisje ka dhe kjo është e padiskueshme!
Tashmë diplomacia në zhdukje mbetet një shpresë e zbehtë që kjo krisje mos të shëndrohet në thyerje.
Kanë dalë lloj-lloj teorish, spekulimesh e hamendësimesh, por pyetja esenciale mbetet:
Çfarë do të ndodh me botën?!
Presidenti Trump po ndryshon krejtësisht qëndrimet dhe veprimet e SHBA-ve. Këto ndryshime janë të barabarta me lëvizjen e pllakave tektonike e duke qenë se SHBA-të janë një pllakë e madhe, tërmeti ka përfshirë të gjithë dhe gjithçka.
Disa lider evropianë po i përjetojnë këto dinamika në atë mënyrë që i ngjan thirrjes për ndihmë tek psikologu.
Githsesi sadoqë politika e Presidentit Trump duket me më pak lustra e doreza kortezie, ai në thelb po tregon disa të vërteta të cilat Evropës mund dhe duhet t’i shërbejnë për të dalë nga Zona e Komfortit ose më qartë e Përtacisë.
Për irono të fatit ky mund të jetë një leksion i shkëlqyer për Evropën se gjërat duhet t’i përballoj vet. Është një kuriozotet interesant por ashtu si shumë evropianë e sidomos ballkanas, e kanë ëndërr të vizitojnë Amerikën, për thuajse çdo amerikan Evropa është kontinenti i ëndrrave, i stërgjyshërve të tyre, ndaj gjendja anksioze që ka kapluar dy Fuqitë Botërore aktualisht duhet të shikohet me sy më të qetë e më largpamës.
Populli amerikan dhe presidenti i tij z.Trump janë besnik të parimeve të miqësisë dhe zhvillimit dhe kjo është një gjë që nuk duhet ta harrojmë.
Sa më shpejt duhet parë me sy të rinj kjo marrëdhënie e cila ka rëndësinë e Olympit.
Përndryshe ky ankth që ka zënë shtete e pushtete, mbushur me batuta spektakolare, me tendencën e kritikës e kritizerit, veçse shton kaosin.
Kështu Çështja e Ukrainës, është një çështje që e bashkon Evropën dhe Amerikën, sepse të dyja palët dëshirojnë paqe. Mënyra si e dëshirojnë është e ndryshme, por kjo gjë mund të zgjidhet ndërmjet dialogut që ka qenë dhe është çelsi që hap edhe dyert më të vështira.
Duke mos zbehur rëndësinë e një bote në harmoni, në këto kushte secili e çon mendjen tek vetja e tij (shteti i tij) dhe sidomos në gadishullin ku bëjmë pjesë.
Maqedonia e Veriut ka fatin e tillë që të ndodhet në një gadishull me natyrë të rrallë për nga bukuria, aq sa me një politikë problematike, nivele të larta të varfërisë e sigurisht të të gjithë pasojave që sjell varfëria.
Ndërkohë nëse njërit prej shteteve këtu i rrezikohet integriteti, efekti domino është i pashmangshëm.
Ballkanet kanë gjithnjë një fuçi baruti e cila sado e paragjykuar ose e gjykuar nga Evropa Zyrtare, po të ndizet merr me vete jo vetëm këtë kontinent, por botën mbarë.
Këto mosmarrëveshje të reja që po prishin krejtësisht ekuilibrat e vjetër, deri ku do të shkojnë, e si do ndikojnë ato sidomos në Kosovë?!
Të gjithë aktorët që marrin pjesë në këtë ngjarje duhet ta dinë se:
Nëse ndodh që të merret një vendim i padrejtë qoftë edhe për një copë të saj, Kosova do të hyjë në histori si vendi i vogël që ndezi konfliktin e madh dhe ne të gjithë do të jemi pjesë e konfliktit i cili mund të quhet edhe si Konflikti i Tretë Botëror.
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

