Lajme nga vendi
Mbetet e paqartë ngordhja e dhenve berberë në Kopshtin Zoologjik në Shkup
Arsyeja e ngordhjes së dhenve berberë në kopshtin zoologjik në Shkup ende nuk dihet, shkruan Alsat.
Kjo pasi ende nuk ka konfirmim zyrtar pas autopsisë së kryer, thotë biologu akustik, Jordanço Milloshevski, i punësuar në kopshtin zoologjik të Shkupit.
Ngordhja e kafshëve ndodhi pothuajse një muaj më parë.
“Ngjarja e fundit ishte ajo e ngordhjes së shtatë dhenve berberë, ishte shkaktuar nga me sa duket, nga helmimi nga ndonjë bimë, gjë që ende nuk është vërtetuar sepse rezultatet e autopsisë nuk janë marrë ende zyrtarisht, në mënyrë që të mund të japim një deklaratë të saktë se çfarë e shkaktoi ngordhjen e dhenve berberë”, tha Jordanço Milloshevski – Biolog akustik në Kopshtin Zoologjik, Shkup.
Sipas Milloshevskit, edhe përskaj një sërë ndodhish gjatë këtij viti, kopshti zoologjik i Shkupit, mbetet vend i sigurt për tu vizituar.
“Vizitat varën nga kushtet e motit, nëse dita është e mirë si kjo sot, atëherë vizitorët vijnë pa marrë parasysh ndodhitë që ndodhen, apo nëse ndonjë kafshë ka ngordhur apo ka lindur. Vitet e fundit kemi më shumë vizita nga qytetarët e Kosovës e sidomos gjatë fundjavës”, u shpreh Jordanço Milloshevski – Biolog akustik në Kopshtin Zoologjik, Shkup.
Gjatë një periudhe të shkurtër në kopshtin zoologjik të Shkupit ndodhën një sërë shkarkimesh dhe ngjarjesh. Në vitin 2022 u shkarkua drejtori i tretë më radhë, Kristijan Stamenov, pas skandalit me therjen e 10 kuajve të kopshtit zoologjik.
Më pas erdhi edhe vrasja e shpendëve për shkak të dyshimit se janë të sëmurë me gripin e shpendëve, pas së cilave kopshti mbeti i mbyllur për ca kohë ndërsa kishte reagime të shumta nga organizatat për të drejtat e kafshëve.
Ngjarja e fundit është ajo me dhentë berberë për të cilat ende nuk ka rezultat nga autopsia për të sqaruar shkaqet e ngordhjes. / Alsat.mk
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

