Lajme nga vendi
Mexhiti: Krejt zemrat e shqiptarëve janë të kthyera nga Prekazi për rikujtim të Epopesë
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka vizituar sot Prekazin për të nderuar Epopenë e UÇK-së.
Gjatë vizitës, ai theksoi rëndësinë e kujtimit të historisë dhe lavdisë së luftës së UÇK-së, duke nënvizuar se ky moment është frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
“Si për çdo shqiptar nga të gjitha trevat sot krejt zemrat e shqiptarëve janë të kthyera nga Prekazi për rikujtim të Epopesë dhe luftës së lavdishme, kjo është për të mos harruar historinë dhe për motivim për sot, por edhe për të ardhmen. Sheh gjeneratat me uniformën e UÇK-së, të gjitha moshat e trevat janë sot në Prekazin legjendar”, ka deklaruar Mexhiti.
Mexhiti foli edhe për arrestimet e veteranëve të UÇK-së, duke shpjeguar se çështja është ende e pazgjidhur për shkak të faktit që Serbia është pjesë e INTERPOL-it, ndërsa Kosova jo.
Ai theksoi se ende mbeten raste të hapura nga viti 2016-2020, dhe po punohet për zgjidhjen e tyre. “Pavarësia e Kosovës është e njohur dhe nuk mund të ketë ndërhyrje nga Serbia”, tha Mexhiti.
“Kjo zgjatë me vite për shkak se Serbia është pjesë e INTERPOL-it, ndërsa Kosova nuk është, deri tani ka pasur katër raste prej vitit 2016-2020, mirëpo deri tani janë zgjedhur në mënyrë individuale. Këtë periudhë po punojmë që të zgjidhet edhe kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur në të kaluarën me urdhëresë të ministrit të punëve të brendshme. Nuk është zgjidhje ligjore, mirëpo thirren në atë sepse është Gjykata Speciale dhe është njohur pavarësia e Kosovës dhe nuk mund të ketë Serbia reduksion mbi Kosovën”, shtoi ai.
Lajme nga vendi
NGRICAT DHE BORA PRANVERORE: SI T`I MBROJMË PEMËT!
Rëniet e ndjeshme të temperaturave në këtë periudhë të vitit tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Temperaturat shpeshherë bien nën zero dhe shoqërohen edhe me reshje dëbore.
Më të goditur nga ky fenomen paraqiten pemët frutore që janë në fazën e lulëzimit.
Tv Koha pyeti agronomin, Alirami Saliji, se cila do të jetë shkalla eventuale e dëmeve që mund të shkaktohen nga temperaturat e ulëta?
Ai thotë se dëmet kryesisht do të varen nga fenofaza në të cilët ndodhen pemët frutore, nëse janë në fazën e lulëzimit apo në fazën e formimit të frutave.
Por, a ka metoda se si mund të mbrohen pemët nga temperaturat e ulëta?
“Një nga ato masa është zgjedhja e kultivarit të caktuar, brenda cdo lloji të pemëve frutore ekzistojnë kultivarë të cilët periudhën e vegjetacionit e fillojnë më vonë dhe kultivarët e këtillë kanë gjasa t`u ikin këtyre temperaturave të ulëta. Masa tjetër që preferohet por që është problem të realizohet, është lyerja e trungut të pemëve frutore me gëlqere. Cili është efekti i kësaj pune që duhet ta bëjnë fermerët? Me lyerjen e trungut të pemëve me gëlqere, gëlqerja ka ngjyrë të bardhë dhe në këtë mënyrë një sasi e madhe e rrezeve të diellit reflektohet nga ngjyra e bardhë kështu që pemët e këtilla fillojnë vegjetacionin më vonë, vonohen në lëvizjet e lëngjeve”
Derisa ekziston rreziku për pemët frutore, Agronomi Saliji, siguron se për perimet përjashtohet një rrezik i këtillë.
“Zakonisht në këto kushte në Rajonin e Pollogut, problem nga temperaturat e ulëta të vonshme pranverore, kryesisht mund të kenë pemët frutore ndërkaq sa u përket perimeve, nuk rrezikohen edhe aq nga këto temperature të ulëta, për arsye se në këtë fazë janë në gjendje të kultivimit të fidaneve, derisa përgatiten ato për të dalë në fushë në vend të përhershëm, atëherë rreziku për këto temperature veçmë kalon”
Agronomi Saliji ka komentuar edhe çmimet e larta të specave, domateve, trangujve dhe prodhimeve tjera nëpër tregjet e vendit. Sipas tij, kultivimi i këtyre produkteve bëhet nëpër serra gjë që gjeneron harxhime shtesë transporti nga vendet e huaja.
Sipas tij, stabilizimi i çmimeve të perimeve pritet kur në treg të futen prodhimet vendore.
“Prodhimet vendore do të fillojnë pas kësaj periudhe, fillimisht me domate, speca dhe tranguj nga pjesa e Strumicës dhe Vallandovës ku është një klimë krejtësisht ndryshe dhe nga fundi i prillit do të fillojnë edhe prodhimet tona vendore këtu, por jo me prodhime të gatshme. Fermerët për momentin janë në fazën e përgatitjes së fidaneve të perimeve, ato fidane varësisht nga kultivari kërkojnë një periudhë të caktuar nga 50, 60 dhe 70 ditë dhe në fillim ose mesin e majit këto fidane do të nxjerrin frute në fushë të hapur dhe normalisht në kushtet tona ato prodhime do të jenë të gatshëm për konsum në vjeshtë”
Ndryshe, ditëve të fundit, metereologët kanë paralajmëruar për ndryshim drastik të motit në fund të marsit dhe fillim të prillit. Sipas modeleve të parashikimeve, pritet një valë e të ftohtit që sipas intensitetit mund ta hijezojë janarin e këtij viti, kurse mund të ketë pasoja katastrofale për pemët frutore që janë në fazën e lulëzimit.
Lajme nga vendi
SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 27 Mars Tetovë dhe Gostivar
Dje, në orën 17:20, në fshatin Bërvenicë të Tetovës, nëpunës policorë nga SPB Tetovë, pas urdhërarrestit qendror të shpallur më parë nga SPB Ohër, e kanë privuar nga liria një 53-vjeçar nga i njëjti fshat, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal.
Ndryshe, dje në orën 08:24 në SPB Ohër është raportuar se në shtëpinë e tij në rrugën “Nada Fileva” në Ohër, pa shenja jete është gjetur një 76-vjeçar nga Ohri. Në vendngjarje është kryer inspektimi nga prokurori publik kompetent dhe ekipet policore, ndërsa mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen, pas çka, me urdhër të prokurorit publik, trupi është dorëzuar për obduksion.
Dje, në ora 16:10, në fshatin Dobërdoll të Gostivarit, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Galatës kanë privuar nga liria një 44-vjeçar nga i njëjti fshat. Ai kërkohej me fletarrest në bazë të urdhrit gjyqësor për vuajtjen e dënimit me burg prej një viti e gjashtë muajsh për veprën penale “shantazh”. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Idrizovës për vuajtjen e dënimit.
…….
Dje, në ora 23:30, në SPB Tetovë, një grua 30-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se një 30-vjeçar nga Shkupi, me të cilin paraprakisht ka qenë në bashkëjetesë, gjatë muajve shkurt dhe mars 2026, në disa raste e ka ndjekur dhe i ka dërguar mesazhe me përmbajtje fyese, ndërsa rreth orës 23:15 është vërejtur në afërsi të vendit të saj të punës në Tetovë. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Pas mesnatës, në ora 02:15, në rrugën rajonale Tetovë – fshati Jazhincë, është ndaluar një 35-vjeçar nga fshati Leshkë, i cili drejtonte automjetin e udhëtarëve “Volksvagen Passat” me targa të Tetovës nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht i janë matur 1,88 promilë alkool në gjak. Personi është mbajtur në Stacionin Policor, ndërsa automjeti është sekuestruar.
Gjithashtu, në ora 02:10, në kejin “Vëllazërim Bashkim” në Gostivar, është ndaluar një 33-vjeçar nga fshati Zdunjë i Gostivarit. Ai drejtonte automjetin “Audi” me targa të Tetovës pa patentë shoferi. Automjeti është sekuestruar.
……
Dje, në ora 23:30, në lagjen Drenovec të Tetovës, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria tre persona të gjithë nga Tetova, sepse gjatë kontrollit të ushtruar, te njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar marihuanë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave do të dorëzohet parashtresë përkatëse.
Lajme nga vendi
ANKETA: 41.3% NUK I BESOJNË ASNJË POLITIKANI!
Gati gjysma e të anketuarve vlerësojnë se vendi nuk lëviz në drejtim të duhur, kurse 41.3% nuk i besojnë asnjë politikani. Qytetarët vazhdojnë të kenë besim më të madh tek VMRO-DPMNE-ja dhe liderin e kësaj partie, Hristijan Mickoski, ka treguar anketa e fundit e MKD.MK dhe Agjencisë Market Vision. Anketa ishte zbatuar nga 2 deri më 18 mars.
41.3% e të anketuarve janë përgjigjur se nuk i besojnë asnjë lideri të partive politike. Kështu flasin rezultatet e anketës së zbatuar nga Time.Mk dhe Agjencia “Market Vision”. Shifra mbase flet për zhgënjimin e qytetarëve nga politikanët duke marrë parasysh përballjen e tyre me sfidat para së gjithash ekonomike.
Një e katërta e të anketuarve apo 25.2% më shumë i besojnë liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit, që ndiqet nga Ali Ahmeti me 5.6%.
Në pyetjen tjetër për preferencat partiake 28.1% janë prononcuar se nuk do të votojnë, 24% se do të votojnë për VMRO-DPMNE-në, 5.1% për VLEN-in, 4.9% për LSDM-në dhe 4.8% për BDI-në.
Në pyetjen nëse jeni për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE me status të vendit mbikqyrës, respektivisht anëtare e BE-së pa të drejtë vetoje, 52% e të anketuarve deklaruan se janë për hyrje në BE pa të drejtë vetoje.
46.9% e të anketuarve vlerësojnë se vendi po lëviz në drejtim të gabuar kundrejt 36.2% që vlerësojnë se drejtimi është i duhur.
Anketa ishte zbatuar nga 02 deri më 18 mars me përdorimin e metodës CATI – anketimit telefonik me ndihmën e kompjuterit me 1.200 të anketuar.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

