Connect with us

Lajme nga vendi

Siguria në veprimtarinë e hotelierisë, Durmishi propozon ndryshime ligjore

Published

on

Të nderuara media,
Para së gjithash, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella për të gjithë viktimat
dhe të lënduarit në ngjarjen tragjike në Koçan. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës, si institucion përgjegjës edhe për sektorin e
hetelierisë, që nga dita e parë e kësaj ngjarjeje tragjike ka qenë e gatshme për
bashkëpunim të plotë me organet kompetente. Si Ministri, kemi ofruar mbështetje të
plotë në të gjitha procedurat ligjore, duke siguruar që çdo shkelje e ligjit dhe çdo
keqpërdorim të sanksionohet siç duhet.
Sot dua të informoj për të gjitha kompetencat që ka Ministria e Ekonomisë dhe Punës
në lëshimin e licencave, si dhe për masat dhe zgjidhjet ligjore që do të ndërmerren dhe
që janë në kompetencën tonë.
Në pjesën e lëshimit të licencave, sipas Ligjit për Veprimtarinë Hotelierike, për të
funksionuar si klub nate, kabare, disko-klub apo disko-klub në hapësirë të hapur, është
e detyrueshme të posedohet licencë valide. Këtë licencë e lëshon Ministria e
Ekonomisë dhe Punës pas paraqitjes së kërkesës për lëshimin e licencës, në formularin
për pagesën e tarifës për shërbime.
Bashkë me kërkesën, duhet të dorëzohet edhe dokumentacioni në vijim:
1.Vendimi për regjistrim në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut
(origjinal, jo më i vjetër se 6 muaj);
2.Vendimi i këshillit komunal për përcaktimin e tarifës për kabare, klub nate, disko-klub
dhe disko-klub në hapësirë të hapur;
3.Aplikacioni për përmbushjen e kushteve minimale teknike për zhvillimin e veprimtarisë
hoteliere (kopje);
4.Pëlqimi nga organi i administratës shtetërore kompetent për punët nga sfera e punëve
të brendshme, që konfirmon përmbushjen e kushteve për mbrojtjen e rendit dhe
qetësisë publike, si dhe sigurinë e trafikut (origjinal).
Ministria e Ekonomisë dhe Punës, duke vepruar mbi kërkesën e dorëzuar, shqyrton
dokumentacionin që përmban akte dhe dokumente të lëshuara nga institucione të tjera
dhe, bazuar në to, nëse plotësohen kushtet, është e obliguar të lëshojë Licencën për
ushtrimin e veprimtarisë hoteliere për klub nate, kabare, disko-klub dhe disko-klub në
hapësirë të hapur, me afat vlefshmërie prej 1 (një) viti.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës nuk është kompetente dhe nuk ka mekanizëm për të
kryer inspektim, mbikëqyrje apo kontroll në objektin ku do të ushtrohet veprimtaria. Sa i
përket shumës së tarifës që duhet të paguajë ushtruesi i veprimtarisë, atë e përcakton
këshilli komunal.
Tarifa paguhet 50% në llogarinë e komunës dhe 50% në Buxhetin e Republikës së
Maqedonisë së Veriut.
Si shtojcë e kërkesës, formulari i quajtur “Aplikacion për përmbushjen e kushteve
minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë hoteliere” është një dokument që subjekti
juridik e plotëson me të dhënat bazë të kërkuara, duke përfshirë informacionin për
subjektin, veprimtarinë, hapësirat sanitare për mysafirët, dispozitat e veçanta për të
punësuarit, kapacitetin e hapësirës së shërbimit, sistemin e ventilimit, numrin e daljeve
të emergjencës dhe kritere të tjera të rëndësishme.
Me këtë, subjekti deklaron se të dhënat e dhëna në aplikacion janë të vërteta dhe
formularin e dorëzon në njësinë rajonale të Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
Sa i përket Pëlqimit nga organi kompetent i administratës shtetërore për punët e
brendshme, që konfirmon përmbushjen e kushteve për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë
publike si dhe sigurinë e trafikut, aplikuesi mund të paraqesë kërkesë për këtë pëlqim
në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nëse nuk e dorëzon vetë, Ministria e Ekonomisë
dhe Punës, me detyrim zyrtar, do t’i drejtohet MPB-së me kërkesë për mendim.
Pas pranimit të mendimit nga MPB, Ministria e Ekonomisë dhe Punës përgatit Licencën
për të cilën është paraqitur kërkesa.
Advertisement

Lajme nga vendi

VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!

Published

on

Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.

A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.

Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.

“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”

E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.

Advertisement

Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator

Published

on

Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.

…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.

……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.

……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

Advertisement

Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut

Published

on

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.

Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.

Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.

Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)

Continue Reading

Më të lexuarat