Lajme nga vendi
Mickoski: Procesi i anëtarësimit në BE duhet të bazohet në merita dhe reforma, me kritere të qarta
Kryeministri Hristijan Mickoski u drejtua sot në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku theksoi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në merita dhe reforma, me kritere të qarta, sepse “nuk është një favor që jepet në mënyrë të rastësishme, por një njohje e drejtë për përpjekjet dhe reformat”.
“Është një privilegj i madh të flas para jush sot në Kongresin e EPP-së – në mesin e kolegëve liderë që janë të përkushtuar ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe qeverisjes me përgjegjësi. Ky tubim thekson vizionin tonë të përbashkët: një Evropë e bashkuar mbi parime, e forcuar nga solidariteti dhe e udhëhequr nga merita.”
Ai tha se qeveria e tij mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj vlerave konservatore, përfshirë familjen, përgjegjësinë, lirinë ekonomike dhe sundimin e ligjit.
“Këto janë parimet që na udhëheqin në vend dhe frymëzojnë angazhimin tonë ndaj Evropës. Megjithatë, sinqeriteti më detyron të flas hapur për sfidat që përballemi. Projekti evropian premton barazi, drejtësi dhe mundësi – por ndonjëherë ne përjetojmë një realitet tjetër.”
Sipas Mickoskit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë ndjerë në mënyrë të drejtpërdrejtë peshën e standardeve të dyfishta, të cilat, siç tha ai, “gërryejnë besimin, ulin entuziazmin dhe rrezikojnë të dobësojnë vetë shpirtin evropian që e përfaqësojmë”.
“Kombi maqedonas ka bërë sakrifica dhe reforma të konsiderueshme, duke qëndruar i përkushtuar në rrugën tonë evropiane. Por kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve të vazhdueshme të objektivave dhe kushteve shtesë, të zbatuara në mënyrë selektive, që e zbehin transparencën dhe drejtësinë e premtuar nga Evropa.”
Mickoski bëri thirrje që udhëheqësit e EPP-së, si në institucionet e BE-së ashtu edhe në shtetet anëtare, të jenë forca shtytëse për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është një akt bamirësie – është një imperativ strategjik. Ai siguron paqe, stabilitet dhe siguri jo vetëm për rajonin tonë, por për të gjithë Evropën.”
Në përmbyllje, ai theksoi:
“E ardhmja jonë kolektive qëndron në një familje evropiane të bashkuar. Është përgjegjësia jonë e përbashkët të ruajmë integritetin e këtij procesi, duke konfirmuar përkushtimin ndaj drejtësisë dhe barazisë. Populli maqedonas meriton që përkushtimi dhe sakrificat e tij të njihen vërtet.”
Lajme nga vendi
Dy pjesëtarë të ARM-së sulmohen fizikisht nga eprori, përfundojnë në spital
Dy ushtarë nga kazerma “Jane Sandanski” në Shtip njëri 40 vjeçar dhe tjetri 28 vjeçar kanë përfunduar në spital me lëndime të rënda trupore. Burime të Alsat bëjnë të ditur se 40 vjeçari nga Kratova, epror në kazermë ka sulmuar fizikisht një ushtar profesionist shqiptar nga Shkupi, përcjell Alsat.mk.
Nga MPB thonë se gjatë kryerjes së detyrave zyrtare ka ndodhur incident.
“Më 17.02.2026 në ora 01:00 në SPB Shtip nga Klinika e Shtipit është denoncuar se tek ta me lëndime trupore janë sjellë E.H (28) nga fshati Studeniçan i Shkupit dhe D.A (40) nga Kratova, dy ushtarë profesionistë të punësuar në ARMV në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip. Pas ndërmarrjes së masave është konstatuar se lëndimet i kanë marrë gjatë kryerjes së detyrave në poligonin ushtarak “Penush” në Shtip, gjatë kryerjes së realizimit të ushtrimeve”, njoftojnë nga MPB.
Lëndimet i konfirmojnë edhe nga Armata e RMV-së. Nga atje nuk zbardhin detaje se në çfarë rrethanash ka ndodhur incidenti por vetëm njoftojnë se që të dy pjesëtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Ju informojmë se për dy personat tanimë janë ndërmarrë masa në përputhje me rregullat ekzistuese. Ju informojmë se dy personat janë në gjendje të mirë shëndetësore. Armata ngelet e përkushtuar në respektimin e procedurave dhe standardeve gjatë kryerjes së aktiviteteve”, thonë nga ARM.
Sulmi fizik ndaj një ushtari profesionist nuk është i vetmi në kazermën e Shtipit pasi më herët atje ka pasur edhe disa incidente të tjera. Muaj më parë një ushtar me iniciale F.J pati përfunduar në Spitalin Psikiatrik pas disa sjelljeve të çuditshme në kazermë. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Maqedonia nis procedurat për linjë ajrore direkte me Arabinë Saudite
Nga Ministria e Transportit njoftojnë se kanë nisur procedurën për nënshkrimin e Marrëveshjes për Transportin Ajror me Mbretërinë e Arabisë Saudite. Nga Ministria thonë se qëllimi i marrëveshjes është krijimi i një kornize ligjore që do të mundësojë hapjen e linjave ajrore të rregullta mes Maqedonisë dhe Arabisë Saudite.
“Duam të theksojmë se deri më tani, nuk ka pasur transport ajror ndërmjet të dy vendeve. Marrëveshja krijon kushte liberale dhe fer për veprimtarinë e operatorëve ajrorë, duke nxitur konkurrencën, uljen e çmimeve për udhëtarët, si dhe mundësinë për ofrimin e shërbimeve të reja dhe më cilësore. Në të njëjtën kohë, Marrëveshja garanton nivelin më të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes në transportin ajror, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Maqedonia dhe Arabia Saudite mbajnë marrëdhënie miqësore, me angazhim të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, rritjen e investimeve, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët”, thonë nga Ministria e Transportit.
Nga MT thonë se pritet që krijimi i linjave ajrore të rregullta mes të dy vendeve të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, shkëmbimit tregtar dhe marrëdhënieve bilaterale në përgjithësi.
Lajme nga vendi
SPB-Tetovë, janë konfiskuar tre automjete për shkak se vozitësit nuk kanë patur leje drejtimi
Gjatë ditës së djeshme, sipas njoftimit të SPB-Tetovë, janë konfiskuar tre automjete për shkak se vozitësit nuk kanë patur leje drejtimi. SPB-Tetovë njofton se gjatë kontrolleve policore janë sanksionuar 24 drejtues mjetesh (Tetovë-21 dhe Gostivar-3) për parkim të parregullt, ndërsa 17 automjete në Tetovë janë marrë me automjetin special “merimangë”. Janë sanksionuar edhe 52 lloje të tjera të kundërvajtjeve në komunikacion në Tetovë 35 kurse në Gostivar – 17.
Dje në ora 13:30, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 26-vjecar nga Tetova, i cili dyshohet se më datë 05 shkurt ka kryer “vjedhje të rëndë” në mënyrë të pacipë.
Dje në ora 10:10, në SPB Tetovë është raportuar se në një fabrikë në Tetovë, gjatë kryerjes së detyrave të punës, një 46-vjecar nga Tetova, ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është dërguar në një spital privat në Shkup për ndihmë mjekësore. Nga ana e ekipit të SPB Tetovë dhe një inspektori nga Inspektorati Shtetëror i Punës është kryer ekspertiza e vendit të ngjarjes.
……
Dje në ora 13:20, në DPB Gostivar është raportuar se në Qendrën Urgjente në Gostivar është pranuar një 50-vjecar me lëndime, i cili është lënduar gjatë vendosjes së roletave në një shtëpi në fshatin Gradec.
……
Dje në ora 11:00, në rrugën “Banjeshnica” në Gostivar, gjatë asistimit të Qendrës Mjekësore Gostivar për dërgimin e një 35-vjecari në një institucion psikiatrik është sulmuar fizikisht një zyrtar policor. Pas dokumentimit të rastit do të vijë parashtresa përkatëse.
……
Dje në ora 20:00, në SP Gostivar, një 38-vjecar nga Gostivari ka denoncuar se vajza e saj 16-vjeçare, në afërsi të një shkolle të mesme në Gostivar, është sulmuar me një send metalik nga një person, i cili i ka dëmtuar edhe telefonin.
……
Buetini I SPB-Tetovë shënon edhe dy aksidente, njëri në rrugën lokale Tetovë – Trebosh, kurse tjetri në rrugën lokale në Gradec. Personat e aksidentuar janë dërguar nëpër spitale.

