Lajme nga vendi
Toshkovski: Tragjedia në Koçan është rezultat i një sistemi të korruptuar ndër vite, hetimet vazhdojnë

“Kjo tragjedi e tmerrshme që ka sjellë lot në sy të të gjithë qytetarëve të vendit nuk është rezultat i një tërmeti. Shpresoj që hetimi të përfundojë së shpejti dhe do të tregojë se është rezultat i një sistemi të korruptuar, i cili muaj pas muaji, vit pas viti, ka gërryer legjitimitetin dhe ligjshmërinë e funksionimit të objektit të hotelerisë në fjalë, të cilin e pamë se si përfundoi në fund”, tha Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në Kanal 5, duke folur për hetimin mbi zjarrin në Koçan.
“Provat me të cilat jam i njohur në kuadër të hetimit, të cilat dua t’i përmend, nuk janë të plota, flasin për veprime të vazhdueshme, të paligjshme, korruptive nga shumë segmente brenda institucioneve, të cilat në vend që të mbrojnë, në vend që të kontrollojnë, në vend që të vërtetojnë gjendjen faktike në drejtim të së vërtetës, bënë gjithçka përveç kësaj”, theksoi Toshkovski.
Kur u pyet nëse policia duhej ta dinte që diskoteka po planifikonte të përdorte piroteknikë dhe nëse ai objekt ishte gjobitur për përdorimin e piroteknikës së paligjshme, Toshkovski sqaroi dispozitat aktuale ligjore.
“Nuk jam i njohur me një fakt të tillë, që një diskotekë të jetë gjobitur ndonjëherë për përdorim të piroteknikës së paligjshme, por fakti është se dispozitat ligjore përcaktojnë që që Ministria e Brendshme të lëshojë një miratim, pëlqim, dikush duhet ta kërkojë më parë atë. Në këtë situatë specifike, nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga askush, as nga ata që përdorën piroteknikën, as nga menaxherët e klubeve”, u përgjigj Toshkovski.
Lajme nga vendi
U mundësuan personave që janë jashtë vendit të marrin ndihmë sociale, kallëzim penal ndaj shtatë të punësuarve në Qendrën për punësim në Strumicë

Është ngritur kallëzim penal kundër shtatë punonjësve të Qendrës së Punësimit – Strumicë. Disa persona të cilët kanë jetuar jashtë vendit, kanë marrë ndihmë shtetërore.
Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, SPB Strumicë ngriti kallëzim penal kundër R.K. (62), Z.D. (56), E.D. (42), Z.K. (67), Z.J. (56), J.T. (45) dhe R.A. (55), të gjithë nga Strumica, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “punë e pakujdesshme në shërbim”.
Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, punonjësit e regjistruar në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Maqedonisë – Qendra e Punësimit Strumicë, kanë paraqitur shtetas të Maqedonisë si kërkues aktivë të punës që ndodheshin jashtë vendit në sistemin e Agjencisë, dhe në këtë mënyrë kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Punësim dhe Sigurim Papunësie.
“Personat që ndodheshin jashtë vendit kanë përdorur edhe ndihmë minimale të garantuar, e cila duhej të ishte hequr, dhe në këtë mënyrë i kanë shkaktuar dëm shtetit në shumë totale prej 333.968 denarë”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Shporta minimale 63,908 denarë, Durmishi: Nuk është reale, do të bëjmë shportë të re për shpenzimet e një familje me 4 anëtarë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi thotë se në seancën e parë të Komisionit socialo-ekonomik do të diskutohet për metodologjinë e re të përllogaritjes së shportës minimale të konsumit. Durmishi thotë se shporta minimale sindikale, që për muajin maj ishte 63,908 denarë, nuk është reale.
“Ajo nuk është reale, për këtë do të bëjmë një shportë të shpenzimeve që do të jetë siç duhet, e qasshme dhe me të dhëna reale dhe realisht do të informohen qytetarët sesa do të jetë shporta e shpenzimeve për një muaj, për këtë po e bëjmë këtë shportë të shpenzimit, ku do të njoftoheni edhe ju, me të dhëna reale për një familje me 4 anëtarë. Sa i duhet një familjeje të shpenzojë për një muaj, në pjesën e ushqimit, në pjesën e pijes, në pjesën e veshjes etj”, theksoi Durmishi.
Ministri thotë se nuk kanë asgjë kundër përllogaritjes që e bëjnë sindikatat, por që sipas tij, e shporta minimale e tyre, nuk është reale.
“Atë që e publikojnë sindikatat, e dimë që e publikojnë, ok, nuk kemi asgjë kundër, por nuk është reale, për shkak se numrat nuk janë të saktë. Do të thotë në pjesën e ushqimit dhe pijeve, shumë herë e kemi thënë se kanë futur produkte që në atë periudhë kohore nuk harxhohen, ose produkte që nuk bëjnë pjesë në shportën minimale, por në tjetër. Kanë vendosur produkte që në muajin janar askush nuk i përdor. Kështu që, do të kemi shportë të shpenzimeve reale”, tha Durmishi.
Lajme nga vendi
Ambasada e SHBA-së në RMV: Përsëri do të fillojë lëshimi i vizave studentore

Ambasada e SHBA-së në Shkup ka njoftuar se procesi i aplikimit për vizë studentore do të rifillojë së shpejti. Sipas rregullave të reja, aplikantët do t’i nënshtrohen një kontrolli të plotë të së kaluarës dhe do të jenë të detyruar t’i bëjnë profilet e tyre në mediat sociale të disponueshme publikisht.
“Departamenti i Shtetit është plotësisht i përkushtuar për të mbrojtur vendin dhe qytetarët tanë duke iu përmbajtur standardeve kombëtare dhe të sigurisë publike përmes procesit të lëshimit të vizave. Një vizë amerikane është një privilegj, jo një e drejtë. Në procesin e verifikimit, ne përdorim të gjithë informacionin e disponueshëm për të identifikuar individët që janë të papranueshëm në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ata që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare”, tha Ambasada e SHBA-së në një deklaratë.
Në kuadër të këtyre masave, do të kontrollohen aktivitetet online të çdo stundenti dhe pjesëmarrësve në programin e shkëmbimit, ndërsa kandidatët do të duhet të rregullojnë cilësimet e privatësisë në profilet e tyre sociale që ato të jenë të disponueshme për shqyrtim.
“Çdo vendim për vizë është në thelb një vendim sigurie. Shtetet e Bashkuara duhet ta trajtojnë me kujdes procesin e lëshimit të vizave për t’u siguruar që aplikantët nuk kanë qëllime që mund të dëmtojnë amerikanët ose interesat tona kombëtare”, shtojnë nga Ambasada e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve