Sport
LIGA E PARË: SHKËNDIJA ZYRTARISHT KAMPION I SEZONIT 2024/25
Katër ndeshjet e zhvilluara në javën e 31-të të sezonit 2024/2025 në Ligën e Parë të futbollit solli tre fitore për ekipet vendase dhe vetëm një barazim duke u regjistruar 11 gola. Shkëndija e Tetovës pas fitores kundër Rabotniçkit zyrtarisht siguroi titullin kampion i Maqedonisë së Veriut në futboll.
Shkëndija e Tetovës dy xhiro para përfundimit të kampionatit zyrtarisht siguroi titullin kampion për sezonin 2024/2025 në Ligën e Parë të futbollit vendor. Kuqezinjtë dje regjistruan fitoren e 19-të sezonale ku kanë regjistruar edhe 10 barazime e 2 humbje me golaverazh 55:27 duke grumbulluar 67 pikë që janë të mjaftueshme që matematikisht të shpallen kampion për të pestën herë në historinë e këtij klubi ndërsa titulli i katër me menaxhimin e Kompanisë Ecolog. Autor të golave për ekipin kuqezi ishin Latifi dhe Tamba, ndërsa për miqtë shënoi Delay nga pika e bardhë. Me përfundimit e kësaj ndeshje nisi festa ku para stadiumit kishin ardhur një grup i madh i ‘Ballistëve’ të cilët edhe më tepër e madhëruan këtë festë për titullin e pestë Kampion i Maqedonisë së Veriut. Timonieri i skuadrës jeton Beqiri tha se përkundër shumë vështirësive dhe presioneve ia arritëm qëllimit.
‘’Ishte një kampionat i rëndë ishte një kampionat që nuk ishte i lehtë, ishte kampionat me shumë peripeci si me probleme me momente të presionit psikologjik por e rëndësishme është në fund kur del i pari ia vlejnë të gjitha gjërat’’
Padyshim se më meritor për këtë titull janë futbollistët të cilët gjatë gjithë kampionatit u munduan të japin më të mirën e tyre
‘ Ndihem shumë i lumtur. E dimë se gjatë këtij viti çfarë sakrifice , çfarë mundi kemi pasur të gjithë së bashku. I faleminderojë të gjithë ato që na kanë përkrahë edhe urime titullin, ishalla shtohen titujt ende më shumë ‘ tha Besart Ibraimi
‘Gjithë ishin kundër nesh por përsëri Shkëndija në fund doli kampion vetëm kundër gjithëve’ tha futbollisti Klisman Cake
Drejtori sportiv Ardian Cuculi ishte mjaft i emocionuar pasi si futbollist e ka pasur shumë më lehtë se sa tani si drejtor sportiv në këtë moment festiv
‘Kanë qenë emocione dhe momente gjatë gjithë vitit si të mira ashtu edhe të vështira. Kemi kaluar peripeci të mëdhaja. Ka qenë më lehtë si lojtar kurse si drejtues e kam përjetuar më shumë. Kështu që më vjen mirë që pas disa vitesh Shkëndija e rikthen titullin aty kua i takon. Urime gjithë tifozëve Ballistë, gjithë Tetovës dhe urime gjithë stafit futbollistëve dhe gjithë shqiptarëve anë e mbanë ‘ deklaroi Ardian Cuculi drejtor sportiv në KF Shkëndija
Një ndeshje me kthesa të shumta në fund doli që të vendosin dy golat e realizuar në minutat shtesë të ndeshjes ku AP Brera mundi Shkupin 4-3. Aktualisht nuk ka asnjë reagim nga organet kompetente ashtu siç ndodhi në ndeshjen e Ligës së dytë Kozhufi – Bashkimi ku kuamovarët dolën fitues me golin në sekondat e fundit të ndeshjes që nxori shumë dyshime dhe dilema. Në Kavadar, Tikveshi me rezultatin minimal 1-0 mundi Besën e Dobërdollit. Të martën Vardari dhe Struga Trim Lum barazuan pa gola 0-0
Pas javës së 31-të tabelën e kryeson Shkëndija me 67 pikë e ndjekur nga Sileksi me 63 , Rabotniçki me 56 pikë dhe Struga Trim Lum me 49 pikë.
Shaban Sinani – Tv Koha
Sport
ATLETËT E KAMJANIT DINJITOZ NË LOJËRAT EVROPIANE TË ATLETIKËS PËR FËMIJË
Në ‘’LOJËRAT EVROPIANE TË ATLETIKËS PËR FËMIJË 2026’’ që u mbajt në Brno të Republikës Çeke ku morën pjesë afro 3.000 atlet nga 27 vende evropiane paraqitje të shkëlqyeshme kishin edhe pesë atletët e klubit të atletikës Kamjani.
Klubi i atletikës Kamjani me pesë garues ishte pjesëmarrëse në Lojërat Evropiane të Atletikës për Fëmijë deri në moshën U-15 që u mbajt në Brno të Republikës Çeke.
Paraqitja e garuesve të Kamjanit ishte dinjitoze përkundër faktit se për herë të parë e përfaqësonin Maqedoninë e Veriut në këto gara ku merrnin pjesë afro 3.000 atletë nga 300 klube të 27 vendeve evropiane.
Pas kthimit nga Brno trajneri Ibraim Xhemaili për TV Koha tha se krahas garave, atletët e Kamjanit patën nderin të bartin edhe pishtarin Olimpik .
‘’Patëm nderin si Klubi i Atletikës Kamjani të përfaqësojmë Maqedoninë në garat Evropiane të Atletikës të mbajtura në Brno për grupmoshat U-16, ku numri i atletëve ishte mbi 3000, kurse numri i klubeve ishte mbi 300. Nga Maqedonia kishte edhe një klub tjetër që ishte pjesëmarrës, ishte klubi i atletikës Aerodrom, me 3 pjesëmarrës, ndërsa ne ishim me 5 pjesëmarrës. Me rezultatet e arritura atje jemi tepër të kënaqur, sepse atletët tonë, treguan një nivel të lartë, treguan disiplinë, dhe treguan konkurrencë të fortë, ku u përballën me atletët më të fortë të Evropës, dhe ishin në mesin e dhjetë apo pesëmbëdhjetë më të mirëve, me këtë unë si trajner realisht krenohem. Patëm edhe një nder tjetër, ku në hapjen solemne të këtyre garave, u përzgjodhën dy atletët tanë që të jenë bartës të pishtarit olimpik, ku vrapuan 50 metra me mbajtjen e pishtarit, dhe kjo na bën një nder më tepër për klubin tonë’’.
Trajneri Xhemaili tha se me paraqitjen e garuesve të Kamjanit është shumë i kënaqur duke pasur para sysh se kjo ishte pjesëmarrja e tyre e parë në këtë nivel me masivitet të jashtëzakonshëm të garave.
‘’Po ato u paraqitën në mënyrën më dinjitoze që mundën, ato bënë rezultet e tyre më të mira, ndoshta ishin pak të lodhur edhe nga rruga, sepse bëmë një rrugë të gjatë, mirëpo prapë se prapë ato bënë një paraqitje më të mirë. Shpresojmë që edhe tek ne, në komunën tonë, ndoshta së shpejti shpresojmë që të bëhet një pistë e atletikës në bashkëpunim me kryetarin Feti Abazi, që të jemi edhe më të përgatitur, më të avancuar në pistën e atletikës, të punojmë me sprinte dhe të jemi më konkurrues me ata. Shpresojmë edhe për medalje të luftojmë vitet e ardhshme’’.
Pjesë e ekipit “LOJËRAT EVROPIANE TË ATLETIKËS PËR FËMIJË 2026’’ në Brno të Çekisë ishin Arti Xheladini, Dijar Xhemaili, Berina Sinani, Amela Abdiji dhe Eljana Sallai.
Ndërsa klubi i atletikës Aerodrom nga Shkupi mori pjesë me 3 garues.
Sport
SHAH: KLUBI I SHAHUT “ANPASAN” KA SIGURUAR MBIJETESËN NË ELITË
Me dy fitore dhe një barazim klubi i shahut Anpasan ka siguruar mbijetesën në kampionatin shtetëror të Shahut që para disa ditëve u mbajt në Strugë. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë rezultat dhanë dy shahistët nga Kosova, Nderim dhe Korab Saraçi.
Klubi i Shahut Anpasan ka përmbyllur me sukses Kampionatin e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, që u mbajt në Strugë duke siguruar mbijetesën në Ligën e Parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut MV-së.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të kampionatit ishte barazimi i Nderim Saraçit ndaj kampionit të Evropës, Aleksandar Inxhiq dhe Korab Saraçit ndaj kryemjeshtrit Velimir Iviq, me një ELO rreth 2600, rezultat që dëshmon nivelin dhe potencialin e lojtarëve tanë.
“Sa i përket kampionatit të ligës së pare të shahut në Republikën e Maqedonisë së Veriut klubi ynë mori pjesë ne përforcime nga Kosova, Kampionin e Kosovës Nderim Saraçi dhe nënkampionin Korab Saraçi . Sa që në këtë konkurrencë jashtëzakonisht të forte Klubi I shahut Anpasan arriti që të mbijetoi në Ligën e parë “
Klubi i Shahut Anpasan nga 5 shtatori me dy garues do të përfaqësohet në festivalin e shahut për Junior Liqeni i Strugës.
“Aktivitet e radhës të klubit tone nga dita e shtunë më 5 shtator klubi I shahut Anpasan do të do të ketë dy garues të rijnë të cilët do të garojnë në Strugë në manifestimin Festivali i Strugës me mbi 6 shtete të rajonit ku klubi ynë do të përfaqësohet me Korab Hajrullahin dhe Drin Imeri“
Ky kampionat ishte vetëm një hap drejt aspiratave të klubit për paraqitje më dinjitoze dhe suksese më të mëdha pasi klubi I shahut Anpasan dhe tetovarët meritojnë shumë më tepër.
Sport
FUNDI I NJË EPOKE! MESSI TËRHIQET NGA KOMBËTARJA E ARGJENTINËS
Lionel Messi nuk do ta veshë më fanellën e Kombëtares së Argjentinës. Ylli i “Albiceleste”, tashmë 39 vjeç, e bëri zyrtar vendimin këtë të hënë, përmes një letre personale që, sipas vetë futbollistit, ishte shkruar dy ditë pas finales së fundit të Botërorit.
Fundi i një epoke! Lionel Messi është tërhequr zyrtarisht nga kombëtarja e Argjentinës.
Pas 21 vitesh me 207 paraqitje, 125 gola, një Kupë Bote , dy Kupa Amerika dhe momente të panumërta magjie të pastër futbolli, Lionel Messi ka vendosur t’i japë fund udhëtimit të tij me ekipin kombëtar argjentinas
Vendimi i kapitenit shënon mbylljen e një epoke të artë e të papërsëritshme për përfaqësuesen ” Albiceleste”. Pasi arriti majat më të larta dhe udhëhoqi vendin e tij më suksese të mëdha, sulmuesi vendosi të largohet nga skena ndërkombëtare.
Futbolli botëror i thotë kështu lamtumirë një prej kapitujve individualë më të lavdishëm në historinë e këtij sporti.
Vendimi i fundit i Messit vjen pas një tjetër finaleje të Kupës së Botës, por këtë herë rrethanat janë krejtësisht të ndryshme.
Argjentina humbi 1-0 ndaj Spanjës në finalen e vitit 2026 dhe Messi më vonë zbuloi se kishte vendosur të tërhiqej dy ditë pas humbjes.
“Ishte një vendim që më dhembi, dhe ende më dhemb, në thelb, por e kuptoj se është koha e duhur. Betohem se gjithmonë kam dhënë gjithçka, jo vetëm në vitet e fundit kur fituam gjithçka, por edhe para kësaj. Gjithmonë kam luftuar dhe kam dhënë gjithçka për këtë fanellë, për t’ju sjellë gëzim dhe për t’ju bërë krenarë që jeni argjentinas përmes futbollit” thuhet pos tjerash në mesazhin e tij të lamtumirës.

