Lajme nga vendi
Përleshje me thika para një palestre në Çair – dy vëllezër të plagosur
MPB ka informuar se dy persona janë plagosur pas një zënke në një palestër në rajonin e Çairit. Nga Policia shtojnë se pas kontrolleve në vendin e ngjarjes, është gjetur materie e bardhë pluhur.
“Më datë 01.06.2025, në ora 22:00, në SPB Shkup është raportuar nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” – Shkup, se te ata është sjellë me plagë nga therje me mjet të mprehtë I.A. (38) nga Shkupi. Sipas raportit, rreth orës 21:45, para një palestre në rajonin e Çairit në Shkup, ai dhe vëllai i tij A.A. (32) kanë tentuar të ndajnë tre persona që ishin përfshirë në një përleshje fizike, me ç’rast janë sulmuar me një mjet të mprehtë. Si pasojë, edhe A.A. (32) ka pësuar plagë me thikë dhe është dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë”, ku i është ofruar ndihmë mjekësore. Lidhur me rastin, më vonë në Spitalin e Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup është paraqitur edhe B.R. (25) nga Shkupi, i cili në një bisedë zyrtare ka deklaruar se është sulmuar nga A.A., ndërsa vëllezërit I.A. dhe A.A. janë sulmuar nga B.S. dhe A.S. Nga ekipi hetimor i SPB Shkup është kryer kontroll në vendin e ngjarjes dhe aty është gjetur substancë e bardhë pluhur”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

