Lajme nga bota
Gjuha shqipe hyn në komunikimet zyrtare të shkollave publike në Nju Jork
Më 18 qershor, 2025, Kancelarja e Arsimit në Nju Jork, Melissa Aviles – Ramos, njoftoi se gjuha shqipe është shpallur zyrtarisht si një nga gjuhët e përdorura për komunikimet shkollore nga Departamenti i Arsimit të Qytetit.
Ky vendim përfaqëson një fitore të madhe dhe një epokë të re për familjet shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruan illyria.com.
Nga rreth 180 gjuhë që fliten në qytetin e Nju Jorkut, deri më sot vetëm 10 gjuhë kanë qenë të përfshira në komunikimet zyrtare të shkollave publike.
Me vendimin e fundit, shtohen tri gjuhë të tjera, një prej të cilave është shqipja, duke e ngritur numrin total në 13 (përfshi këtu edhe anglishten).
Kjo do të thotë se çdo dokument, njoftim apo informacion i rëndësishëm që shkolla u dërgon prindërve, do të jetë i disponueshëm edhe në gjuhën shqipe duke lehtësuar ndjeshëm përfshirjen e prindërve shqiptarë në jetën arsimore të fëmijëve të tyre.
Prej vitesh, shumë prindër shqiptarë kanë hasur vështirësi për të ndjekur nga afër jetën shkollore të fëmijëve për shkak të barrierës gjuhësore. Tani, me dokumentet në gjuhën amtare, ata ndihen të përfaqësuar dhe të respektuar. Ata mund të kuptojnë më lehtë çdo informacion, të reagojnë me më shumë vetësiguri dhe të marrin pjesë aktivisht në vendimmarrjet që ndikojnë në edukimin e fëmijëve të tyre.
Kjo ndihmon që edhe vetë nxënësit të ndihen të përfshirë dhe të përparojnë më mirë si në aspektin akademik, ashtu edhe në atë emocional.
Fakti që shqipja është tashmë pjesë e dokumentacionit zyrtar të një sistemi arsimor si ai i Nju Jorkut, është një mesazh i fuqishëm që ua shton vetëbesimin e krenarinë për prejardhjen duke konfirmuar se identiteti nuk është pengesë, por pasuri, shkruan ky medium.
Kujtojmë se këto zhvillime vijnë paralelisht me një tjetër ngjarje të rëndësishme që e kemi publikuar rreth dy muaj më parë: hapjen e klasës së parë dygjuhëshe shqip-anglisht në një shkollë publike të Nju Jorkut.
Modeli i dyanshëm gjuhësor u jep fëmijëve shqiptarë mundësinë që të mësojnë paralelisht në të dyja gjuhët, duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe duke ndërtuar njohuri akademike të thella në të dyja sistemet gjuhësore.
Me këto hapa të rëndësishme komuniteti shqiptar ka arritur më afër arsimimit gjithëpërfshirës ku fëmijët e të rinjtë mësojnë të jenë qytetarë të botës pa harruar rrënjët e tyre.
Për më tepër, ato janë një vlerësim për gjithë komunitetin shqiptar, zëri dhe forca e të cilit po bëhen gjithnjë e me të dukshme në një prej qyteteve më të mëdha në botë. Janë pikërisht këto arritje të që dëshmojnë se gjuha shqipe dhe ruajtja e identitetit nuk janë nostalgji por strategji për të ardhmen.
Tutje thuhet se ky sukses i rëndësishëm nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e vazhdueshëm dhe punën e palodhur të anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD), Mark Gjonaj, (Kryetar), Drita Gjongecaj, dhe Emina Cunmulaj.
Përmes lobimit strategjik, bashkëpunimit me Departamentin e Arsimit të Nju Jorkut dhe organizimeve komunitare, ata kanë bërë të mundur që zëri i komunitetit shqiptar të dëgjohet dhe të pranohet në mënyrë institucionale. Përpjekjet e tyre të përbashkëta kanë kontribuar drejtpërdrejt në pranimin e shqipes si gjuhë zyrtare për komunikimet shkollore dhe në hapjen e klasës së parë dygjuhëshe shqip-anglisht, hapa historikë që do të kenë ndikim pozitiv për brezat e ardhshëm të shqiptarëve në diasporë.
Lajme nga bota
Gjykata në Francë liron nga burgu ish-presidentin Sarkozy
Gjykata e Parisit urdhëroi lirimin e Nicolas Sarkozy të hënën pasdite, pas përfundimit të seancës dëgjimore të ish-presidentit të Republikës Franceze. Sarkozy, i cili gjatë seancës dëgjimore i përshkroi 20 ditët që kaloi në burg si një “makth”, do të jetë nën mbikëqyrje gjyqësore.
Përveç kësaj, gjykata i ndaloi Sarkozisë të kishte çdo kontakt me Ministrin e Drejtësisë Gerald Darmanin, i cili e kishte vizituar në burg në fund të tetorit. Ky takim kishte sjell kritika, kryesisht nga gjyqtarët.
Sipas informacioneve, Sarkozi do të largohet nga burgu Sante në qendër të kryeqytetit francez më vonë gjatë ditës. Më parë, prokurori i kishte propozuar Gjykatës së Apelit të Parisit që ish-presidenti francez të lirohej.
Sarkozy u burgos më 21 tetor pasi një gjykatë e shpalli fajtor për konspiracion kriminal, për shkak të përpjekjeve të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për të siguruar financim për kandidaturën e tij presidenciale të vitit 2007 nga udhëheqësi i atëhershëm libian Muammar Gaddafi.
Lajme nga bota
Rekord i rrallë! 56 vite në këtë post, presidenti 92-vjeçar i Kamerunit betohet për mandatin e tetë radhazi
AFRIKA- Presidenti 92-vjeçar i Kamerunit, Paul Biya, është zotuar të rivendosë rendin në vend, i cili është tronditur nga dhuna pas zgjedhjeve, ndërsa u betua për një mandat të tetë radhazi, deri në vitin 2032, kur do të jetë 99 vjeç. Sipas rezultateve përfundimtare, Biya fitoi 54% të votave, krahasuar me 35% për Issa Chiroma Bakari, i cili nga ana e tij akuzoi autoritetet për mashtrim.
Shpallja e rezultateve, siç raportohet nga BBC, çoi në protesta të përgjakshme në të gjithë vendin, me të paktën 14 të vdekur dhe më shumë se 1,200 të arrestuar, sipas Komisionit Kombëtar të të Drejtave të Njeriut. Organe të tjera kanë paraqitur një numër shumë më të lartë të vdekjeve.
Në fjalimin e tij të inaugurimit, presidenti më i vjetër në botë shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e protestave dhe fajësoi për trazirat ata që i quajti “politikanë të papërgjegjshëm”. Pas akuzave për mashtrim gjatë zgjedhjeve të tetorit, Biya e përshkroi procesin zgjedhor si të kënaqshëm dhe vlerësoi autoritetin zgjedhor.
Në inaugurimin e tij në parlamentin e vendit në Yaounde, Biya falënderoi forcat e sigurisë për shtypjen e protestave , por nuk iu referua akuzave për forcë të tepruar. Në vend të kësaj, ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me të për të ndërtuar një vend “të bashkuar, të qëndrueshëm dhe të begatë”.
92-vjeçari premtoi të prioritizonte çështjet që prekin gratë dhe të rinjtë dhe u zotua të luftonte korrupsionin dhe problemet e sigurisë. Biya mori pushtetin në nëntor 1982, pas dorëheqjes së Presidentit Ahmadou Ahijo. Kritikët e tij thonë se ai e ka qeverisur vendin me grusht të hekurt që atëherë./noa.al/
Lajme nga bota
Kalifornia propozon ligj të ri që detyron banorët të fikin dritat pas mesnatës!
Një qytet në Kaliforni ka hyrë në qendër të vëmendjes pasi ka propozuar një ligj të ri të ashtuquajtur “dark sky”, i cili do t’i detyrojë banorët të fikin dritat e jashtme pas mesnatës, me qëllim mbrojtjen e faunës së zonës. Këshilli Bashkiak i Palo Alto-s pritet të shqyrtojë më 10 nëntor këtë projektvendim të ri, i cili sipas Palo Alto Online synon të vendosë një orar të rreptë ndriçimi për gjithë qytetin.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme në propozim është ulja drastike e normës së “light trespass”, drita që depërton pa dëshirë në pronat fqinje. Kjo normë do të ulet, duke detyruar banorët të përdorin ndriçim më të dobët ose të instalojnë mbrojtëse për llambat.
Sipas autoriteteve, qëllimi kryesor i ligjit është mbrojtja e ekosistemeve të ndjeshme, përfshirë zonat e mbrojtura natyrore. Ndriçimi artificial ndikon rëndë në ciklet natyrore të shumë specieve, orientimin e shpendëve migratorë dhe madje riprodhimin e insekteve si xixëllonjat. Edhe fauna ujore preket, pasi ndriçimi gjatë natës mund të shtypë prodhimin e hormoneve që rregullojnë gjumin dhe proceset biologjike.
Ndikime ka edhe te njerëzit. Studiuesit kanë lidhur ekspozimin e tepërt ndaj dritave gjatë natës me çrregullime gjumi dhe rrezik më të lartë për probleme serioze shëndetësore.
Por propozimi ka hasur rezistencë të fortë nga një pjesë e banorëve, të cilët argumentojnë se kufizimi i ndriçimit i bën lagjet më pak të sigurta. Në zonën e Edgewood Drive, afër San Francisquito Creek, banorët janë ankuar prej muajsh për rritjen e kampeve të të pastrehëve dhe frikën se dritat më të dobëta mund të shtojnë pasigurinë. Për këtë arsye, qyteti e ka përjashtuar këtë zonë nga rregullat e reja.
Megjithatë, zyrtarët pranojnë se zbatimi i ligjit do të jetë sfidues. Ata paralajmërojnë se standardet mund të jenë të vështira për t’u kontrolluar plotësisht, duke krijuar pritshmëri jo realiste për pajtueshmërinë.
Ligje të ngjashme tashmë zbatohen në Portola Valley, Woodside dhe Brisbane, ku ndriçimi i jashtëm duhet të fiket që në orën 22:00.
Sipas propozimit të ri, pajisjet ekzistuese që mund të zbuten duhet të rregullohen brenda dy vitesh, ndërsa ato që nuk mund të rregullohen duhet të zëvendësohen. Familjet do të kenë deri në 10 vjet për të përmbushur kërkesat, ndërsa bizneset vetëm pesë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
-
Lajme nga rajoni1 month agoTirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
-
Lajme nga vendi2 weeks agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga rajoni2 months agoNë Nju York emërtohet rruga “Isa Boletini” në muajin e Pavarësisë

