Lajme nga vendi
Ambasada e SHBA-së në RMV: Përsëri do të fillojë lëshimi i vizave studentore
Ambasada e SHBA-së në Shkup ka njoftuar se procesi i aplikimit për vizë studentore do të rifillojë së shpejti. Sipas rregullave të reja, aplikantët do t’i nënshtrohen një kontrolli të plotë të së kaluarës dhe do të jenë të detyruar t’i bëjnë profilet e tyre në mediat sociale të disponueshme publikisht.
“Departamenti i Shtetit është plotësisht i përkushtuar për të mbrojtur vendin dhe qytetarët tanë duke iu përmbajtur standardeve kombëtare dhe të sigurisë publike përmes procesit të lëshimit të vizave. Një vizë amerikane është një privilegj, jo një e drejtë. Në procesin e verifikimit, ne përdorim të gjithë informacionin e disponueshëm për të identifikuar individët që janë të papranueshëm në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ata që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare”, tha Ambasada e SHBA-së në një deklaratë.
Në kuadër të këtyre masave, do të kontrollohen aktivitetet online të çdo stundenti dhe pjesëmarrësve në programin e shkëmbimit, ndërsa kandidatët do të duhet të rregullojnë cilësimet e privatësisë në profilet e tyre sociale që ato të jenë të disponueshme për shqyrtim.
“Çdo vendim për vizë është në thelb një vendim sigurie. Shtetet e Bashkuara duhet ta trajtojnë me kujdes procesin e lëshimit të vizave për t’u siguruar që aplikantët nuk kanë qëllime që mund të dëmtojnë amerikanët ose interesat tona kombëtare”, shtojnë nga Ambasada e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

