Lajme nga vendi
Deputeti gjerman shpërthen: Serbia s’mund të sillet si viktimë në Kosovë, ndërsa shtyp shqiptarët në Preshevë

Deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq, flet për heshtjen politike ndaj gjendjes së shqiptarëve në Serbinë e Jugut, Srebrenicën dhe vëmendjen ndaj Kosovës.
Ahmetoviq, të premten mbajtët në Bundestag një fjalim me rastin e ditës përkujtimore të Srebrenicës. Ju jeni i prekur personalisht nga Lufta e Bosnjës, eshtrat e gjyshit tuaj u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan vetëm në vitin 2016. Si e përjetuat këtë debat?
Ahmetoviq: Jam shumë mirënjohës që në Bundestagun gjerman u zhvillua një debat i dakorduar për këtë ngjarje. Nuk përkujtuam vetëm 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, por për herë të parë edhe Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit për këtë krim. Vitin e kaluar, qeveria gjermane, në bashkëpunim me Ruandën, arriti të fitojë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta shpallur këtë ditë si ditë ndërkombëtare përkujtimore. Ky debat ishte i domosdoshëm. Edhe pas 30 vitesh ka ende aktorë politikë në Ballkanin Perëndimor, në Bosnje e Hercegovinë por edhe në Beograd, që mohojnë gjenocidin, përpiqen të shtrembërojnë historinë dhe glorifikojnë kriminelë lufte si Ratko Mladiç apo Radovan Karaxhiç. Kjo është e papranueshme. Kemi përgjegjësi ndaj viktimave, familjarëve të tyre dhe gjithë rajonit.
Srebrenica ishte një gjenocid në tokën evropiane. Çfarë mësimesh mund të nxirren nga kjo për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë?
Ahmetoviq: Ne duhet ta ndjekim nga afër dhe vazhdimisht situatën në Ballkanin Perëndimor. Politika për Ballkanin nuk mund të jetë çështje konjukturash, ajo duhet të jetë pjesë e përhershme e agjendës së politikës sonë të jashtme. Prandaj ndjek rregullisht zhvillimet në rajon, në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë. Qëllimi ynë është stabiliteti në rajon. Për Kosovën, kjo do të thotë konkretisht se duam që ky vend të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do të varej nga SPD, më mirë dje sesa nesër. Srebrenica na kujton çdo ditë se Ballkani Perëndimor nuk është periferi, por pjesë qendrore e Evropës. Shumë njerëz nga Ballkani jetojnë sot në Gjermani, janë të integruar shumë mirë dhe janë shtetas gjermanë. Edhe kjo na obligon. Rajoni duhet të jetë pjesë përbërëse e politikave tona të jashtme dhe të sigurisë, dhe ky është realitet nën këtë qeveri, veçanërisht për Kosovën.
Sipas informacioneve tona, në Bundestag ka pasur një përpjekje për të miratuar një rezolutë për Srebrenicën. Përse dështoi kjo nismë?
Ahmetoviq: Mund të them me siguri se sot kemi arritur ta përkujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Gjenocidit në Srebrenicë në një formë të denjë, me përmasa dhe në një kuadër që i përgjigjet seriozitetit të kësaj çështjeje. Unë mbajta një fjalim personalisht dhe vendosa lulen përkujtimore të Srebrenicës në jakën e xhaketës si një shenjë të qartë solidariteti. Një shenjë tjetër e fortë ishte prania e dy të mbijetuarve të gjenocidit. Krahas ambasadorit të Bosnjës, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës, partneri im politik Faruk Ajeti, një diplomat që bën një punë të shkëlqyer këtu në Gjermani. Dua të theksoj gjithashtu se grupi parlamentar i SPD-së në Bundestag ka miratuar një qëndrim të vetin për 30-vjetorin dhe për Ditën e Parë Ndërkombëtare të Përkujtimit për Srebrenicën, dhe këtë e ka bërë njëzëri. Kjo ishte vetëm pika e fillimit. Vitin tjetër vjen dita e dytë ndërkombëtare e përkujtimit, pastaj e treta, e katërta dhe ne do ta rrisim dhe do ta përmirësojmë angazhimin tonë.
Përmendët Këshillin e Evropës. A ka ndonjë plan konkret për ta vendosur anëtarësimin e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave?
Ahmetoviq: Nuk mund të përmend një datë konkrete, sepse kjo do të ishte e papërgjegjshme. Por si zëdhënës për politikën e jashtme të grupit parlamentar të SPD-së, bashkë me kolegun tim Frank Schwabe, do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur kursin tonë. Ne duam që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. U zhgënjyem që kjo nuk u arrit në legjislaturën e kaluar, ndonëse kishte një momentum strategjik. Po të ishte ushtruar më shumë presion, ndoshta do të kishte ndodhur. Megjithatë nuk duhet të dorëzohemi. Në jubileun e Këshillit të Evropës në Bundestag thashë qartë se dëshira ime është që Kosova, kjo demokraci e re, të bëhet anëtare e plotë sa më shpejt. Nëse do të varej nga ne të SPD-së, dje e jo nesër.
Ndaj kujt duhej bërë më shumë presion vitin e kaluar?
Ahmetoviq: Qeveria gjermane do të duhej të kishte ushtruar më shumë presion mbi shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Disa vende ishin kundër. Por Gjermania ka tani më shumë peshë në Evropë dhe ne duhet të veprojmë me vetëbesim, por edhe me përulësi. Si SPD do të kujdesemi që qeveria të jetë më aktive në këtë drejtim. Ministri i Jashtëm, zoti Wadephul, është shprehur vetë se Kosova duhet të bëhet anëtare e përhershme e Këshillit të Evropës. Ne do t’ia kujtojmë këtë premtim dhe do ta gjykojmë në bazë të tij.
Një tjetër garanci për paqe është anëtarësimi në BE. Shqipëria dhe Mali i Zi shpresojnë të bëhen anëtare deri në vitin 2030. A është kjo realiste? Dhe çfarë nënkuptohet me anëtarësim të asociuar?
Ahmetoviq: Një nga mësimet më të mëdha nga gjenocidi i Srebrenicës është se procesi i integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende anëtare të BE-së duhet të marrë hov serioz. Nëse duam stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon, këto vende, përfshirë Kosovën, duhet të kenë një perspektivë reale, transparente dhe të sinqertë për anëtarësim. Dhe diçka tjetër, anëtarësimi në NATO është po aq i rëndësishëm sa ai në BE. Të dyja nivelet, integrimi politik dhe siguria kolektive, janë të lidhura ngushtë. Pa siguri nuk ka asgjë. Njerëzit nuk kanë ikur nga Ballkani në vitet ’90 për të kërkuar punë më të mirë. Ata ikën për shkak të luftës, përndjekjes, dëbimit dhe krimeve. Që kjo të mos ndodhë më kurrë, nevojitet një përfshirje e qëndrueshme në BE dhe NATO. Nuk mund të them se kur do të ndodhë kjo, por mund t’ju premtoj se si përfaqësues i SPD-së për politikën e jashtme do të jap gjithçka që kjo perspektivë të bëhet reale. E vërteta është gjithashtu se shtetet vetë, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Përgjegjësia është e dyanshme.
Parlamenti i Kosovës është i bllokuar aktualisht dhe nuk po arrin të fillojë punën. Sa e dëmshme është kjo për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian?
Ahmetoviq: Si socialdemokrat jam në kontakt të ngushtë me qeverinë e Kosovës. Albin Kurti dhe partia e tij janë parti simotra me SPD-në, të dyja i përkasin krahut të majtë progresist. Ne kemi një interes të madh për një qeveri stabile në Kosovë, një parlament funksional dhe punë parlamentare të rregullt. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme që në Kosovë të rikthehet sa më shpejt stabiliteti politik. Nëse kjo arrihet dhe në vitet e ardhshme kemi një qeveri stabile me një presidente shumë të vetëdijshme dhe përfaqësuese të shkëlqyer të kësaj demokracie të re, siç është zonja Vjosa Osmani, atëherë çështje si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, procesi i integrimit në BE dhe një anëtarësim i mundshëm në NATO duhet të jenë sërish në krye të agjendës. Këto çështje janë të ndërlidhura ngushtë. Dhe nëse të dyja palët, Kosova dhe BE-ja, bëjnë detyrat e tyre, unë jam i bindur se do të ketë një perspektivë shumë pozitive.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës ankohen për margjinalizim dhe se janë të prekur nga pasivizimi sistematik i adresave të tyre. Këtë javë ju keni pritur në Bundestag një delegacion nga Lugina e Preshevës. Çfarë morët me vete nga ky takim?
Ahmetoviq: Do të jem shumë i sinqertë dhe unë jam një politikan që flet hapur. Situata e pakicës shqiptare në Serbi deri më sot nuk ka pasur vëmendjen e duhur, as në Gjermani e as në Bashkimin Evropian. Ne nuk e kemi parë mjaftueshëm situatën. Prandaj jam shumë mirënjohës që ky delegacion bëri një rrugë kaq të gjatë për të ardhur në Bundestag. Kur them “rrugë e gjatë” nuk e kam fjalën për kilometrat, por për këmbënguljen. Ata kanë kërkuar takime vazhdimisht, nuk ka qenë e lehtë të gjejnë dëgjues. Ka pasur shumë organizata të ndryshme që kanë avokuar për këtë çështje, ndër të tjera edhe një shkencëtare nga Instituti Max Planck në Göttingen, e cila më kontaktoi dhe më tha: “Z. Ahmetoviq, duhet ta shikoni këtë çështje.” Dhe jam i lumtur që e bëra. Nuk e kisha të qartë sa serioze dhe problematike është situata në terren. Çfarë mësova nga ky takim? Ne duhet të sigurohemi që të drejtat e pakicave të vlejnë kudo. Sa i përket pakicës shqiptare në Serbi, ka tre marrëveshje për të cilat Serbia është zotuar. Ato përmbajnë detyrime të qarta për integrimin e shqiptarëve në administratë, gjyqësor, polici dhe përfaqësim politik. Këto marrëveshje duhet të zbatohen, sepse janë parakusht për perspektivën e Serbisë drejt BE-së.
Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit shqiptarë nga Serbia e Jugut kërkojnë që çështja e tyre të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja. A e konsideroni këtë kërkesë legjitime?
Ahmetoviq: Pakica serbe në Kosovë ka të drejtë legjitime të kërkojë të drejtat e veta. Përse të mos vlejnë standardet që kërkon qeveria serbe për serbët në Kosovë edhe për shqiptarët në Serbi? Unë mendoj se këto standarde duhet të vlejnë për të gjitha pakicat, për pakicat në Serbi ashtu si edhe për pakicat në Kosovë. Prandaj e gjej legjitime kërkesën e pakicës shqiptare në Serbi që të futet në agjendën e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës që moderon BE-ja. Unë e mora këtë kërkesë si detyrë për punën time dhe do ta adresoj.
Lajme nga vendi
Klubi Malor “Skardus” organizoi Marshin e Parë Promovues (video)

Mbi 400 pjesëmarrës nga treva të ndryshme të vendit, Kosovës dhe alpinistë dhe mërgimtarë morën pjesë në Marshin e Parë Promovues, të organizuar nga Klubi Malor “Skardus” në fshatin Dobrosht. Ky aktivitet shënoi një moment të veçantë për këtë fshat sepse nëpërmjet natyrës, traditës dhe mikëpritjes bëri bashkë alpinistët dhe jo vetëm. Kryetari i Unionit të Shoqatave Bjeshkatare, Fari Rexhepi, theksoi se ky union luan një rol të veçantë në promovimin e bukurive natyrore të vendit dhe është përkrahës i shoqatave bjeshkatare të cilat poashtu lidhin adhuruesit e natyrës me natyrën tha Fari Rexhepi.
Të pranishëm ishin anëtarë të shumtë të shoqatave të ndryshme bjeshkatare nga vendi, të cilat promovojnë bukuritë natyrore të vendit tonë. Këto shoqata, të cilat funksionojnë nw bazw të plan programeve, ndikojnë në rritjen e numrit të bjeshkatarëve dhe adhuruesve të natyrës.
Fatmir Sulejmani – “Sytë e Sharrit”
Qerim Abazi – Kryetar i Shoqatës Malore “Sharri” Gostivar
Evzal Elmazi, drejtor i Parkut Nacional Mali Sharr, theksoi se kjo iniciativë është për tu përshëndetur dhe shpreson që do të ngelë traditë që do të organizohet edhe vitet e ardhshme. Elmazi deklaroi se do i përkrahin maksimalisht iniciativat e tilla.
Evzal Elmazi Rojtari i Zonave të Mbrojtura,
Fariz Farizi, apeloi që qytetarët të kenë kujdes në këtë periudhë të nxehtë, të shmangin zjarret dhe të respektojnë masat e qeverisë.
Fariz Farizi – Rojtar i Zonave të Mbrojtura
Ndryshe, Pjesëmarrësit përshkruan një distancë prej 8.5 km vajtje-ardhje, me një disnivel prej 530 metrash, duke ofruar një rrugëtim të këndshëm dhe energjik në natyrën e mrekullueshme të Dobroshtit.
Lajme nga vendi
Zgjedhjet lokale, Mickoski: Negociatat brenda koalicionit vazhdojnë

Edhe pse lista e kandidatëve për kryetarë komunash duhet të mbyllet plotësisht deri në fund të këtij muaji, deri më tani në më shumë se gjysmën e komunave dihet të paktën një kandidat për kryetar.Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Mickoski nuk zbulon se në cilat komuna partnerët e koalicionit VLEN dhe Lëvizjes “Znam” do të marrin mbështetjen e tyre, por thotë se negociatat brenda partnerëve të koalicionit po vazhdojnë.
“Negociatat me partitë politikë janë në vijim e sipër. Të gjitha partitë politike që janë pjesë e koalicionit tonë të brendshëm janë prioritet i ynë dhe me ato po bisedohet. Presim që koalicioni të vërtetohet, ndërsa më pas do të vazhdojnë negociatat me partnerit e koalicionit qeveritar, që në këto momente mendoj se po zhvillohen në drejtim të shkëlqyer pozitiv.”, – deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
VMRO-DPMNE deri më tani ka shpallur 40 nominime, përfshirë edhe për Shkupin me kandidatin Orce Gjeorgjievski.Ndërkohë, LSDM ende nuk ka dalë me emër zyrtar se kush do të jetë kundërkandidati që do t’i matë forcat për qytetin e Shkupit me Gjeorgjievskin. Deri më tani, partia opozitare LSDM ka zbuluar 30 emra. LSDM përsëri po i nominon kryetarët aktualë të komunave në Qendër, Krushevë, Kriva Pallankë dhe Çuçer Sandevë.Partitë nga blloku politik shqiptar ende po bëjnë përllogaritjet e fundit, matin vlerësimet dhe negociojnë bashkëpunime. LSDM ka bërë të ditur se në komuna me shumicë shqiptare nuk do të garojnë.Dy kandidatë të pavarur kanë shpallur gjithashtu kandidaturat e tyre – kryetari aktual i Koçanit, Venko Kërstevski, dhe biznesmeni Mendi Qyra në Strugë.Bilall Kasami nga VLEN-i së fundmi ka deklaruar se është i gatshëm të garojë edhe për një mandat tjetër për komunën e Tetovës.Sipas tij, në bazë të rezultateve të anketave, gjasat janë të mëdha që në Kërçovë VLEN-i të nxjerrë si kandidat Fatmir Limanin, ndërsa janë duke e shqyrtuar mundësinë për të përkrahur kandidaturën e pavarur të Visar Ademit për në Gostivar.Sipas tij, deri në fund të muajit korrik duhet të jenë gati rezultatet e anketave dhe pastaj do të publikohen emrat e kandidatëve me të cilët VLEN-i do të garojë në zgjedhjet lokale.Raundi i parë i votimit edhe pse nuk është konfirmuar akoma, ka gjasa të zhvillohet më 19 tetor. Kryetari i Kuvendit Gashi do t’i shpallë zgjedhjet vendore më 8 gusht.
Lajme nga vendi
Bashkimi Evropian: Danimarka merr presidencën / Mundësia e zgjerimit, e madhe

Evropa e sigurt, uniteti dhe në kuadër të tij edhe zgjerimi, janë në grupin e parë të prioriteteve të Danimarkës gjatë presidencës së saj me Këshillin e BE-së. Në grupin e dytë është Evropa e gjelbër. Ambasadorja e Danimarkës me bazë në Beograd sot para deputetëve në Kuvend tha se vendi i saj do të ndihmojë në zbatimin e reformave.
“Mesazhi më i rëndësishëm që kam sot për ju është mundësia për zgjerim që është më e madhe sot se sa që ka qenë për një kohë më të gjatë. Do të donim ta shihnim Maqedoninë e Veriut si pjesë e grupit të ardhshëm të vendeve që do të bëhen anëtare të BE-së. E dini se çfarë duhet të bëni kurse ne jemi këtu t’u mbështesim dhe t’u ndihmojmë që kjo të ndodhë. Duhet ta shfrytëzoni mundësinë. Nuk mund të jepen garanci por mundësia e zgjerimit është këtu,” tha Pernille Dahler Kardel, Ambasadore e Danimarkës.
Pushteti kërkon angazhim më të shtuar që BE-ja të mos trajtojë çështjet bilaterale si kushte.
“Kriteret e Kopenhagës duhet të jenë përsëri matësi me të cilin matet përparimi. Jo kushtëzimet bilaterale por kapacitetet institucionale, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe legjitimiteti demokratik. Danimarka e kupton këtë realitet, jo vetëm si detyrë teknike por edhe si detyrim politik,” deklaroi Orhan Murtezani, Ministër për Eurointegrime.
“Vërejtja ime personale është se BE-ja ka një mangësi serioze, nuk ka kapacitet të flasë njëzëri në nivel global, nuk ka kapacitet të flasë njëzëri madhe edhe në temën e zgjerimit, për aq kohë sa vendoset unanimisht në këto tema. Vendimet njëzëri mundësojnë që një vend anëtar për arsye joracionale ose keqpërdorim të problemeve bilaterale të pengojë procese që kanë rëndësi më të madhe se sa cilatdo tema bilaterale,” tha Antonio Milloshoski, Kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.
Opozita me qëndrime të ndara sa i takon prioriteteve të presidencës daneze.
“Vlerësoj se edhe zgjerimit, sipas raportit të presidencës daneze i vendoset theks i madh, është për t’u përshëndetur. Vlerësoj se edhe zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor përskaj Ukrainës dhe Moldavisë, tani vendoset në kontekst të sigurisë së përbashkët të BE-së,” deklaroi Venko Filipçe.
“Ajo që bie në sy është që gjatë presidencës polake, zgjerimi me Ballkanin perëndimor, duke e përfshirë edhe Maqedoninë, ishte prioritet i theksuar. Polonia ishte proaktive duke e mbajtur vendin në qendër të agjendës së zgjerimit dhe duke i ofruar ndihmë diplomatike. Tani e shohim se ka një kthim pas. Danimarka e mbështet politikën e zgjerimit por në bazë të meritave duke ofruar ndihmë për agjendën e reformave dhe planin e rritjes,” tha Halil Snopçe, ASH.
Kjo është hera e tetë që Danimarka merr presidencës e Këshillit të BE-së. /aslsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve