Lajme nga vendi
Maqedonia e Veriut ky shtet i pleqëve, Qeveria po mendon që shkollat e zbrazura të shndërrohen në shtëpi për pleq
Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut po punon në optimizimin e shkollave në vend, që përfshin edhe mbylljen e një pjese të tyre. Ministrja e këtij dikasteri, Vesna Janevska në një intervistë për “Evropa e Lirë” shpalosi planin se çfarë do të ndodhë me mbylljen e shkollave, përcjell INA.
“Nuk mund t’ju them një numër të saktë, sepse nuk është e thjeshtë. Nëse një shkollë periferike është 30 kilometra larg nga ajo qendrore, nuk do të mbyllet, edhe nëse ka vetëm një nxënës. Ai nxënës ka të drejtë në arsim. Por nëse është 2.5 apo 3 kilometra larg dhe aty mësojnë vetëm 15 nxënës, ata do të transferohen në shkollën qendrore. Ky është një proces serioz. Deri tani janë optimizuar 20 komuna, dhe aktualisht po punohet edhe më tej,” deklaroi ministrja Vesna Janevska.
E pyetur më tej nëse kjo do të thotë se në ato 20 komuna shkollat janë mbyllur apo pritet të mbyllen, ajo e sqaroi më tej procesin. Ajo u rekomandoi kryetarëve të komunave që kanë shkolla të zbrazura të shqyrtojnë mundësinë për përdorim të ri të ndërtesave.
“Jo, do të thotë se tashmë janë optimizuar. Një numër i caktuar shkollash janë mbyllur. Mos më merrni fjalë për fjalë, por mendoj se rreth njëqind shkolla periferike janë tashmë të mbyllura. Disa janë mbyllur edhe para se të fillojmë procesin, sepse aty nuk ka më fëmijë. Ndërtesat thjesht rrinë bosh. U rekomandoj kryetarëve të komunave të gjejnë përdorim të ri për ato objekte. Nga ne nuk do të kenë asnjë problem. Nuk janë të përshtatshme as për çerdhe, sepse nuk ka fëmijë – por mund të shfrytëzohen për diçka tjetër… ndoshta shtëpi për të moshuar, ndoshta ndonjë klub ose diçka tjetër,” tha ministrja Janevska.
Në dekadën e fundit janë mbyllur in total 42 shkolla, duke përfshirë 14–15 shkolla vetëm brenda një viti të fundit. Shkollat me pak nxënës janë kryesisht në zona rurale të qarqeve, ku klasat e kombinuara përmbajnë ndonjëherë vetëm 4 deri 10 nxënës. Demografët kanë vërejtur se në më shumë se 60% të komunave, lindjet janë negative dhe ka emigracion të popullsisë së re—më tej redukton numrin e nxënësve në shkolla lokale. (INA)
Lajme nga vendi
Mashtrohet tetovari, mbetet pa veturë e pa para
Më 06.08.2026 në ora 13:40 në SPB Tetovë, një 59-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka raportuar se është mashtruar nga personi S.B. nga rajoni i Shkupit. Sipas denoncimit, në prill të vitit 2026 ai me S.B. është marrë vesh që t’i shesë një automjet motorik transportues me targa të Shkupit, pronë e një personi juridik nga Shkupi, për një shumë prej 11.000 eurove me marrëveshje për pagesë me këste. Mirëpo, deri në ditën e denoncimit, shuma e rënë dakord nuk është paguar dhe as automjeti nuk është kthyer. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
Lajme nga vendi
Gjykata Kushtetuese për herë të parë denoncon një gjyqtar
Gjykata Kushtetuese për herë të parë ka kallëzuar një gjyqtar të Gjykatës Themelore Civile Shkup në Prokurorinë Publike dhe në Këshillin Gjyqësor për shkak të moszbatimit të një vendimi të saj, transmeton TV21.
Bëhet fjalë për rastin e gazetares Natasha Stojanovska, lidhur me ngjarjet e 27 prillit 2017.
Gjykata Kushtetuese më herët kishte konstatuar shkelje të së drejtës së saj për lirinë e shprehjes publike dhe kishte urdhëruar rishqyrtimin e rastit.
Megjithatë, Gjykata Themelore Civile e kishte hedhur poshtë kërkesën për përsëritjen e procedurës, duke vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbënte bazë për një gjë të tillë.
Nga Gjykata Kushtetuese thonë se me një veprim të tillë nuk janë respektuar vendimi final.
Për këtë arsye, për herë të parë është aktivizuar mekanizmi i ri për zbatimin e vendimeve, i paraparë me Aktin e Gjykatës, i cili është në fuqi që nga shtatori i vitit 2024.
Lajme nga vendi
DAP: “TURIZËM I DREJTË” – QYTETARËT QË JAPIN ME QIRA AKOMODIME DUHET TË DEKLAROJNË TË ARDHURAT
Me vizita në destinacionet turistike vendase, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) po vazhdon fushatën për një sezon turistik të drejtë, me qëllim që të nxisë pagesën e barabartë të tatimeve nga të gjithë qytetarët që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e kapaciteteve të akomodimit të çdo lloji. Në kulmin e sezonit turistik, nga DAP thonë se shumë pronarë privatë presin mijëra turistë dhe realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave të tyre, pa i deklaruar ato për qëllime tatimore, duke mos përmbushur detyrimet ligjore.
Përfaqësuesit e DAP informuan se janë vazhdimisht në terren për t’u ofruar qytetarëve udhëzime praktike për deklarimin e të ardhurave që personat fizikë realizojnë nga dhënia me qira e apartamenteve, banesave, shtëpive, uikend-shtwpive, dhomave dhe kapaciteteve të tjera të akomodimit, si dhe nga veprimtari të tjera sezonale të lidhura me turizmin.
Deklarimi i të ardhurave nga qiraja ose nënqiraja bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit e-Shërbime Tatimore. Qytetarët që janë të punësuar ose që tashmë kanë përdorur sistemin për skanimin e kuponëve fiskalë kanë profil të krijuar, ndërsa ata që nuk kanë profil duhet ta hapin një të tillë për të deklaruar të ardhurat në kohë.
FIKRET ZENUNI – Në rastet kur qiraja zgjat më pak se 31 ditë gjatë një muaji, deklarimi duhet të bëhet deri më 10 të muajit pasues. Kur pagesa realizohet përmes platformave të huaja, afati është gjithashtu deri më 10 të muajit pasues pas pagesës. Tatimi i miratuar duhet të paguhet jo më vonë se data 15 e muajit për muajin paraprak.
Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet mbi të ardhurat bruto, pra mbi shumën totale të paguar nga mysafiri.
Nga kjo shumë zbriten 10% shpenzime të njohura, nëse objekti jepet i pamobiluar ose 15%, nëse objekti është i mobiluar.
DAP vë theks të veçantë edhe te dhënia me qira përmes platformave digjitale si Airbnb, Booking, Facebook, Kajak dhe platforma të tjera.
Nëse qytetarët nuk i përmbushin detyrimet tatimore, Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat Personale parashikon gjobë prej 50 deri në 250 euro, në kundërvlerë në denarë, për personat fizikë që nuk paraqesin deklarimin për të ardhurat nga qiraja ose nënqiraja./Tv Koha/

