Lajme nga vendi
“Alarmi i kuq” në Maqedoni, autoritetet bëjnë thirrje për mbrojtje nga moti i nxehtë
Nën ndikimin e valës së të nxehtit që ka kapluar vendin, temperaturat gjatë ditës deri të shtunën do të jenë mbi mesataren e korrikut dhe do të sillen nga 34 deri në 38 gradë në rajonet jugperëndimore, lindore dhe verilindore, nga 32 deri në 38 në rajonin e Pollogut, nga 38 deri në 40 në Pellagoni dhe nga 38 deri në 43 gradë Celsius në rajonet e Shkupit, Vardarit dhe juglindjes.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka aktivizuar tashmë alarmin e kuq për motin, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka lëshuar rekomandime për qytetarët, ndërsa Qeveria ka miratuar Vendim që obligon punëdhënësit nga data 23 deri më 26 korrik të lirojnë nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç.
Edhe Ministria e Shëndetësisë u bëri apel qytetarëve që t’u përmbahen rekomandimeve ekzistuese për vetëmbrojtje të cilat përfshijnë qëndrimin në hapësira të freskëta, veçanërisht nga ora 11 deri në orën 17, pirjen e mjaftueshme të lëngjeve, shmangien e alkoolit dhe pijeve me sheqer, veshjen e rrobave të lehta dhe me ngjyrë të hapur, përdorimin e mbrojtësve të kokës dhe syve, si dhe shmangien e aktivitetit fizik gjatë orëve më të nxehta.
Nëse përjetoni simptoma të tilla si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose puls të shpejtë, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe uluni në hapësira të freskëta (deri në 25°C) në vendin e punës dhe në shtëpi.
“Bëhet apel që të moshuarit të shmangin ekspozimin në diell, si dhe punën në ambient të hapur në periudhën nga ora 11 dhe 17. Të veshin rroba pambuku të lehta me ngjyra të çelëta, syze dielli mbrojtëse, kapelë me strehë të lartë dhe strehë të gjerë dhe krem mbrojtës nga dielli me faktor UV 30+ kur ekspozoheni në diell, të pihet ujë më shumë se zakonisht dhe mos prisni derisa të ndjeni etje për të pirë ujë. Të shmangen pijet alkoolike, si dhe ato që përmbajnë kafeinë dhe pijet jashtëzakonisht të ftohta. Nëse mjeku juaj ju ka caktuar ndonjë kufizim sa i përket konsumimit të lëngjeve të konsultoheni me të”, theksojnë nga ISHP.
Poashtu edhe personat me sëmundje kronike, sidomos ata me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe respiratore, duhet të jenë tejet të disiplinuar sa i përket këtyre rekomandimeve dhe ta marrin me rregull terapinë e tyre.
Ushqyerja gjatë motit të nxehtë
Sa i përket ushqyerjes, rekomandohen vakte më “të lehta” dhe cilësore me më pak mish dhe proteina.
“Kur është nxehtë, është më mirë të konsumoni vakte të lehta, të llojllojshme, të ekuilibruara dhe të rregullta, të përbëra nga ushqime sezonale. Ushqimet me përmbajtje të lartë uji do t’ju ndihmojnë gjithashtu të qëndroni të hidratuar në kushtet e motit të verës. Konsumoni perime me përmbajtje të lartë uji, siç janë domatet, kastravecat, lakra,… Konsumoni më pak kalori. Konsumoni vakte me bazë lëngu, siç janë supat dhe gjellat, frutat, veçanërisht shalqiri, pjepri, pjeshkët, kajsitë”, thekson ISHP.
Rreziqe nga helmimi me ushqim
Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), për të parandaluar dukurinë e helmimit nga ushqimi në kushte të temperaturës së lartë, është e nevojshme të bëhet zgjedhja e duhur gjatë blerjes, të sigurohen kushtet e duhura të transportit dhe ruajtjes. Është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje datës së skadimit dhe ruajtjes së duhur, si dhe të blihen ushqime nga vende të verifikuara ku produktet, veçanërisht ato që prishen me origjinë shtazore të ruhen në frigorifer.
Pas përgatitjes, ushqimi duhet të ruhet në frigorifer, pasi të jetë ftohur. Ushqimi duhet të mbrohet nga insektet, brejtësit, si dhe kafshët shtëpiake dhe kafshët e tjera që mund të vijnë në kontakt me të.
Vala e të nxehtit, përveç njerëzve, është e rrezikshme edhe për kafshët. Stresi i shkaktuar nga rritja e temperaturave tek kafshët mund të manifestohet në uljen e konsumit të ushqimit, rritjen e nevojave për ujë, uljen e prodhimit të qumështit dhe rritje të dobët.
Lajme nga vendi
S’dihet kur do të lirohen 128 milionë euro nga Ipard 3! Tripunovski: Monitorojmë çmimet e plehrave artificiale
Nuk dihet kur do të lirohen 128 milionë euro nga programi IPARD 3. Komisioni Evropian nuk ka dhënë afate konkrete për shqyrtimin e raportit që qeveria e Maqedonisë e dorëzoi lidhur me skandalin e korrupsionit me drejtorin e Agjencisë së Pagesave, Ile Stoilev, që çoi në pezullimin e pagesave.
Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, në emisionin Biznis 21 tha se në takimin në Bruksel kërkuan që raporti të shqyrtohet sa më shpejt, por nuk morën përgjigje konkrete, vetëm një sinjalizim që do të merret në shqyrtim.
“Diskutuam për raportin e dorëzuar, që të shqyrtohet sa më shpejt dhe ai në mënyrë praktike të shqyrtohet në tërësi nga ana e tyre, nga administrata dhe në përputhje me atë shqyrtim dhe vërejtjet eventuale nëse ka, të veprohet me vazhdimin e mëtejmë të punës së Agjencisë së Pagesave. Nuk kemi përgjigje konkrete, megjithatë kemi një sinjalizim se do të vendoset në procedurë të përshpejtuar shqyrtimi i atij raporti. Bëhet fjalë për raporte voluminoze. Kur saktësisht do të ndodhë nuk mund të them, sepse administrata në Bruksel nuk punon me data konkrete”, theksoi ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Tripunovski për arrestimin e dy drejtorëve nga resori i tij tha se kjo është dëshmi se nuk ka persona të mbrojtur nga pozita e funksionarëve. Tha se nuk do të mbrojë askënd, por edhe se nuk ndjen përgjegjësi.
Ministri pretendon se me vëmendje po ndiqet gjendja me luftën në Iran, e cila përveç çmimeve të naftës i ka rritur edhe çmimet botërore të plehrave për 40 për qind, gjë që mund ta shtrenjtojë edhe ushqimin. Tha se në shtator të vitit të kaluar janë ndarë mbi 46.000 kartela për naftë të gjelbër, të cilat bujqit nuk i përdorin gjatë dimrit dhe tani mund t’ua lehtësojnë shpenzimet.
Dua të them se kjo naftë që e kanë marrë në kartelat e tyre, ose kanë bërë ndoshta rezerva gjatë dimrit ose e përdorin tani, është një lloj ndihme në lehtësimin e këtyre shpenzimeve. Ja ju thashë në pjesën e naftës çfarë kemi bërë, mendoj se kemi derivatet më të lira në rajon. Mirëpo ushqimi është i rrezikuar, këto plehra artificiale u nevojiten bujqve, a do të kemi këtu ndonjë masë shtesë reagimi? Me vëmendje po e ndjekim gjendjen dhe do të reagojmë nëse ka nevojë”, deklaroi Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.
Edhe pse një pjesë e bujqve reaguan se u detyrohen rreth 100 milionë euro për subvencione, ndër to edhe për vitin 2024, Tripunovski siguron se subvencionet paguhen rregullisht.
Lajme nga vendi
Mjeku nga një fshat i Tetovës arrestohet për vrasjen e 76-vjeçarit në Ohër
Një mjek nga fshati Bërvenicë i Tetovës është arrestuar dje, pasi dyshohet se ka kryer vrasjen e një 76-vjeçari në Ohër, mësohet jozyrtarisht, përcjell INA.
Sipas informacioneve, dje rreth orës 17:20 në fshatin Bërvenicë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë, në bazë të një fletarresti qendror të lëshuar nga SPB Ohër, kanë privuar nga liria personin me inicialet Zh.G. (53), i cili dyshohet për veprën penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal.
Më herët, në orën 08:24, në SPB Ohër ishte raportuar se në shtëpinë familjare në rrugën “Nada Fileva” në Ohër, ishte gjetur pa shenja jete 76-vjeçari me inicialet K.M.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori publik dhe ekipet policore, ndërsa mjeku i ndihmës së shpejtë ka konstatuar vdekjen. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.(INA)
Lajme nga vendi
Polici i rremë mashtroi shkupjanin për 3.500 euro
Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, më 24 të këtij muaji, në ora 15:30, në SPB Shkup, 45-vjeçari nga Shkupi ka denoncuar se është mashtruar nga një person.
Sipas denoncimit, personi i është paraqitur, është prezantuar si i punësuar në polici dhe i ka ofruar që t’i kthejë paratë – 40 mijë euro që i ka investuar në firmë të huaj në të cilën ka qenë i punësuar dhe që ka ndaluar me punë.
Nga policia shtojnë se pasi që nuk është kryer shërbimi, denoncuesi ka dyshuar se personi është mashtrues dhe ka denoncuar.
Ministria e Punëve të Brendshme theksojnë se po ndërmerren masat për zbardhjen e plotë të rastit.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni4 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota3 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

