Lajme nga vendi
NP “Rrugët shtetërore” kërkon ende para nga Ministria e Financave për rrugën Kërçovë – Ohër
Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” zyrtarisht i ka paraqitur Ministrisë së Financave kërkesë për ndihmë të re shtesë financiare për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër. Kjo do të thotë se përveç shlyerjes së rregullt të borxhit të ndërmarrjes publike ndaj kreditorit kinez Exim Bank, Ministria e Financave do të duhet të përfshihet edhe me para shtesë nga buxheti.
Afati për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër po shtyhet vazhdimisht. Në vend që të përfundonte sipas afatit në vitin 2018, pasi gjashtë anekse të marrëveshjes u votuan në Parlament, afati për përfundimin e punimeve të ndërtimit u zgjat deri më 31 dhjetor 2026.
Dy javë më parë, u hapën 20 kilometra të seksionit, megjithëse Qeveria njoftoi se 40 kilometra do të hapeshin me ndërprerje në Botun.
Kryeministri Hristijan Mickovski e konfirmoi në mesin e këtij muaji, por nuk specifikoi se sa para dhe ku do të huazoheshin për të përfunduar rrugën, duke thënë vetëm se rritja e çmimit është për shkak të rrëshqitjeve të dheut në disa vende që ishin më të ndërlikuara se ato të mëparshmet. Deri më tani janë shpenzuar rreth 600 milionë euro për këtë autostradë 57 kilometra të gjatë.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

