Sport
JETON BEQIRI: DO TË MUNDOHEMI QË TË BËJMË MAKSIMUMIN
Sonte me fillim në ora 19:30 në Bukuresht zhvillohet ndeshja kthyese e raundit të dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve mes ekipit Steaua dhe Shkëndijës së Tetovës. Shkëndija do të ketë përkrahjen e një numri të konsiderueshëm të tifo grupi ‘’Ballistët’’
Kampioni i Maqedonisë në futboll Shkëndija e Tetovës , sot me fillim në ora 19:30, në Arenën Kombëtare në Bukuresht do ta zhvilloj ndeshjen kthyese në kuadër të raundit të dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve. Kuqezinjtë kanë epërsi 1-0 nga ndeshja e parë e zhvilluar para një jave në Shkup, por sonte do ta ketë shumë më vështirë pasi në Arenën Kombëtare në Bukuresht pritet që tribunat të jenë të stërmbushura me tifozë vendas. Ekipi nën drejtimin e trajnerit Jeton Beqiri mbrëmë në një atmosferë të shkëlqyeshme mbajti seancën e fundit stërvitore. Të gjithë në ekip pritet të japin më të mitrën nga vetja e tyre për të shënuar suksesin historik. Para seancës stërvitore trajneri Jeton Beqiri para mediumeve tha se në këtë ndeshje do mundohemi të bëjmë maksimumin
“Është një ndeshje ku ne do të bëjmë maksimumin, ku edhe për kundër respektit ndaj kundërshtarit, jemi në situatë ku kemi fituar ndeshjen e parë dhe do të mundohemi që të bëjmë edhe një paraqitje pozitive këtu në Bukuresht. Unë mendoj se i kemi të gjitha parakushtet që të bëjmë një ndeshje pozitive dhe të tentojmë të marrim maksimumin”deklaroi trajneri Jeton Beqiri .
Trajneri Beqiri duke u ndal tek skuadra kundërshtare tha se Steaua ka shumë futbollist cilësorë prandaj nuk është e rëndësishme se kush do të luaj , ndërsa detyra e futbollistëve tanë është që të japin maksimumin
“Të gjithë futbollistët që janë pjesë e FCSB-së së Bukureshtit, janë futbollistë shumë kualitativ dhe për ne nuk ka rëndësi se cili futbollist është jashtë apo brenda, pasi të gjithë janë cilësorë. Ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin.” “Patjetër se është një ndeshje e rëndësishme dhe ndeshje e rëndë. Por, ne si fillim do të mundohemi që të bëjmë maksimumin, do të mundohemi që edhe të sulmojmë që të shënojmë gol. Pastaj edhe të luajmë një defanzivë sa më cilësore.” tha Beqiri
Portieri kuqezi Babukar Gaje i cili po dëshmon cilësitë tija tha se kemi shumë besim tek vetja jonë prandaj edhe kemi ardhur dhe buzëqeshur do dalim nga fusha
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por natyrisht se ne kemi besim tek vetja jonë dhe prandaj kemi ardhur këtu. Sigurisht që ne kemi respekt për kundërshtarin, por nesër do të japim maksimumin nga vetja dhe do të dalim në fushë për të marrë rezultatin i cili do të jep mundësinë që pas ndeshjes të dalim nga fusha të buzëqeshur. Sigurisht që çdo ekip futet në lojë për të fituar ndeshjen dhe nuk e imagjinoj të futem në lojë për të mos fituar. Prandaj futbolli është interesant dhe në çdo sekondë, në çdo gabim mund të shënosh apo mund të pësosh. Për këtë arsye ne duhet të funksionojmë si ekip, të dalim në fushë për të dhënë më të mirën dhe të qëndrojmë 100% që në fund të marrim rezultatin e dëshiruar”.
Për të përkrahur ekipin e zemrës në Bukuresht kanë udhëtuar një numër i konsiderueshëm nga tifo grupi ‘’Ballistët’’ Ndeshja STEAUA– Shkëndija luhet sonte me fillim në ora 19:30 në Arenën Kombëtare të Bukureshtit, ndërsa drejtësi do të ndajë arbitri ukrainas Oleksey Derevinsky
SHABAN SINANI – TV KOHA
Sport
ATLETËT E KAMJANIT DINJITOZ NË LOJËRAT EVROPIANE TË ATLETIKËS PËR FËMIJË
Në ‘’LOJËRAT EVROPIANE TË ATLETIKËS PËR FËMIJË 2026’’ që u mbajt në Brno të Republikës Çeke ku morën pjesë afro 3.000 atlet nga 27 vende evropiane paraqitje të shkëlqyeshme kishin edhe pesë atletët e klubit të atletikës Kamjani.
Klubi i atletikës Kamjani me pesë garues ishte pjesëmarrëse në Lojërat Evropiane të Atletikës për Fëmijë deri në moshën U-15 që u mbajt në Brno të Republikës Çeke.
Paraqitja e garuesve të Kamjanit ishte dinjitoze përkundër faktit se për herë të parë e përfaqësonin Maqedoninë e Veriut në këto gara ku merrnin pjesë afro 3.000 atletë nga 300 klube të 27 vendeve evropiane.
Pas kthimit nga Brno trajneri Ibraim Xhemaili për TV Koha tha se krahas garave, atletët e Kamjanit patën nderin të bartin edhe pishtarin Olimpik .
‘’Patëm nderin si Klubi i Atletikës Kamjani të përfaqësojmë Maqedoninë në garat Evropiane të Atletikës të mbajtura në Brno për grupmoshat U-16, ku numri i atletëve ishte mbi 3000, kurse numri i klubeve ishte mbi 300. Nga Maqedonia kishte edhe një klub tjetër që ishte pjesëmarrës, ishte klubi i atletikës Aerodrom, me 3 pjesëmarrës, ndërsa ne ishim me 5 pjesëmarrës. Me rezultatet e arritura atje jemi tepër të kënaqur, sepse atletët tonë, treguan një nivel të lartë, treguan disiplinë, dhe treguan konkurrencë të fortë, ku u përballën me atletët më të fortë të Evropës, dhe ishin në mesin e dhjetë apo pesëmbëdhjetë më të mirëve, me këtë unë si trajner realisht krenohem. Patëm edhe një nder tjetër, ku në hapjen solemne të këtyre garave, u përzgjodhën dy atletët tanë që të jenë bartës të pishtarit olimpik, ku vrapuan 50 metra me mbajtjen e pishtarit, dhe kjo na bën një nder më tepër për klubin tonë’’.
Trajneri Xhemaili tha se me paraqitjen e garuesve të Kamjanit është shumë i kënaqur duke pasur para sysh se kjo ishte pjesëmarrja e tyre e parë në këtë nivel me masivitet të jashtëzakonshëm të garave.
‘’Po ato u paraqitën në mënyrën më dinjitoze që mundën, ato bënë rezultet e tyre më të mira, ndoshta ishin pak të lodhur edhe nga rruga, sepse bëmë një rrugë të gjatë, mirëpo prapë se prapë ato bënë një paraqitje më të mirë. Shpresojmë që edhe tek ne, në komunën tonë, ndoshta së shpejti shpresojmë që të bëhet një pistë e atletikës në bashkëpunim me kryetarin Feti Abazi, që të jemi edhe më të përgatitur, më të avancuar në pistën e atletikës, të punojmë me sprinte dhe të jemi më konkurrues me ata. Shpresojmë edhe për medalje të luftojmë vitet e ardhshme’’.
Pjesë e ekipit “LOJËRAT EVROPIANE TË ATLETIKËS PËR FËMIJË 2026’’ në Brno të Çekisë ishin Arti Xheladini, Dijar Xhemaili, Berina Sinani, Amela Abdiji dhe Eljana Sallai.
Ndërsa klubi i atletikës Aerodrom nga Shkupi mori pjesë me 3 garues.
Sport
SHAH: KLUBI I SHAHUT “ANPASAN” KA SIGURUAR MBIJETESËN NË ELITË
Me dy fitore dhe një barazim klubi i shahut Anpasan ka siguruar mbijetesën në kampionatin shtetëror të Shahut që para disa ditëve u mbajt në Strugë. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë rezultat dhanë dy shahistët nga Kosova, Nderim dhe Korab Saraçi.
Klubi i Shahut Anpasan ka përmbyllur me sukses Kampionatin e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, që u mbajt në Strugë duke siguruar mbijetesën në Ligën e Parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut MV-së.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të kampionatit ishte barazimi i Nderim Saraçit ndaj kampionit të Evropës, Aleksandar Inxhiq dhe Korab Saraçit ndaj kryemjeshtrit Velimir Iviq, me një ELO rreth 2600, rezultat që dëshmon nivelin dhe potencialin e lojtarëve tanë.
“Sa i përket kampionatit të ligës së pare të shahut në Republikën e Maqedonisë së Veriut klubi ynë mori pjesë ne përforcime nga Kosova, Kampionin e Kosovës Nderim Saraçi dhe nënkampionin Korab Saraçi . Sa që në këtë konkurrencë jashtëzakonisht të forte Klubi I shahut Anpasan arriti që të mbijetoi në Ligën e parë “
Klubi i Shahut Anpasan nga 5 shtatori me dy garues do të përfaqësohet në festivalin e shahut për Junior Liqeni i Strugës.
“Aktivitet e radhës të klubit tone nga dita e shtunë më 5 shtator klubi I shahut Anpasan do të do të ketë dy garues të rijnë të cilët do të garojnë në Strugë në manifestimin Festivali i Strugës me mbi 6 shtete të rajonit ku klubi ynë do të përfaqësohet me Korab Hajrullahin dhe Drin Imeri“
Ky kampionat ishte vetëm një hap drejt aspiratave të klubit për paraqitje më dinjitoze dhe suksese më të mëdha pasi klubi I shahut Anpasan dhe tetovarët meritojnë shumë më tepër.
Sport
FUNDI I NJË EPOKE! MESSI TËRHIQET NGA KOMBËTARJA E ARGJENTINËS
Lionel Messi nuk do ta veshë më fanellën e Kombëtares së Argjentinës. Ylli i “Albiceleste”, tashmë 39 vjeç, e bëri zyrtar vendimin këtë të hënë, përmes një letre personale që, sipas vetë futbollistit, ishte shkruar dy ditë pas finales së fundit të Botërorit.
Fundi i një epoke! Lionel Messi është tërhequr zyrtarisht nga kombëtarja e Argjentinës.
Pas 21 vitesh me 207 paraqitje, 125 gola, një Kupë Bote , dy Kupa Amerika dhe momente të panumërta magjie të pastër futbolli, Lionel Messi ka vendosur t’i japë fund udhëtimit të tij me ekipin kombëtar argjentinas
Vendimi i kapitenit shënon mbylljen e një epoke të artë e të papërsëritshme për përfaqësuesen ” Albiceleste”. Pasi arriti majat më të larta dhe udhëhoqi vendin e tij më suksese të mëdha, sulmuesi vendosi të largohet nga skena ndërkombëtare.
Futbolli botëror i thotë kështu lamtumirë një prej kapitujve individualë më të lavdishëm në historinë e këtij sporti.
Vendimi i fundit i Messit vjen pas një tjetër finaleje të Kupës së Botës, por këtë herë rrethanat janë krejtësisht të ndryshme.
Argjentina humbi 1-0 ndaj Spanjës në finalen e vitit 2026 dhe Messi më vonë zbuloi se kishte vendosur të tërhiqej dy ditë pas humbjes.
“Ishte një vendim që më dhembi, dhe ende më dhemb, në thelb, por e kuptoj se është koha e duhur. Betohem se gjithmonë kam dhënë gjithçka, jo vetëm në vitet e fundit kur fituam gjithçka, por edhe para kësaj. Gjithmonë kam luftuar dhe kam dhënë gjithçka për këtë fanellë, për t’ju sjellë gëzim dhe për t’ju bërë krenarë që jeni argjentinas përmes futbollit” thuhet pos tjerash në mesazhin e tij të lamtumirës.

