Lajme nga vendi
Mbështetje për konsumatorët e cenueshëm të energjisë – janë siguruar 42,3 milionë denarë ndihmë financiare
Qeveria ka miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë për vitin 2025, që synon përmirësimin e mbrojtjes së energjisë dhe mbështetjen e qytetarëve që përballen me sfida sociale dhe shëndetësore. Programi siguron 42.300.000 denarë nga buxheti i shtetit, të destinuara për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve, njoftoi sot Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Programi, siç theksojnë nga Ministria, ka për qëllim të sigurojë energji të sigurt dhe të arritshme për ata që kanë më shumë nevojë.
“Mjetet janë të destinuara për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për familjet që jetojnë në varfëri energjetike, me fokus të veçantë tek personat me aftësi të kufizuara dhe ata që përdorin ndihmë minimale të garantuar. Përfituesit e këtij programi janë familjet që marrin ndihmë në para për të mbuluar një pjesë të kostove të konsumit të energjisë, si dhe familjet në të cilat jetojnë persona me aftësi të kufizuara të rënda ose të thella intelektuale, aftësi të kufizuara të rënda fizike, persona plotësisht të verbër ose plotësisht të shurdhër”, shpjegon Ministria.
Për këtë kategori të dytë, siç citohet në kumtesë, programi parashikon mbështetje mujore në vlerë prej 1.000 denarë, që drejtpërdrejtë hiqet nga faturat për energji elektrike të harxhuar, duke filluar nga muaji i dorëzimit të kërkesës, në kohëzgjatje prej 12 muajsh.
“Mbështetja financiare do të ndahet sipas parimit të të ardhurave më të ulëta, deri në shterimin e fondeve, si më poshtë: 2.300.000,00 denarë nga totali i mjeteve do t’u ndahen familjeve në të cilat jeton një person/persona me aftësi të kufizuara të rënda ose të thella intelektuale, 19.000.000,00 denarë nga totali i fondeve do t’u ndahen familjeve në të cilat jeton një person/persona me aftësi të kufizuara më të rënda fizike, 9.000.000,00 denarë nga totali i mjeteve do t’u ndahen familjeve në të cilat jeton një person plotësisht i verbër dhe 12.000.000,00 denarë nga totali i mjeteve do t’u ndahen familjeve në të cilat jeton një person plotësisht i shurdhër”, thonë nga Ministria e Energjetikës.
Qytetarët e interesuar do të mund të aplikojnë përmes shpalljes publike që do të publikohet në ueb faqen e Ministrisë së Energjetikë (www.energy.gov.mk) dhe në dy gazeta ditore. Shpallja do të jetë me afat aplikimi prej 30 ditësh. Formulari i aplikimit do të jetë i disponueshëm në internet, si dhe në arkivin e Ministrisë, ndërsa aplikantët duhet të dorëzojnë edhe dokumente me të cilat dëshmojnë plotësimin e kushteve për mbështetje financiare.
Nga Ministria e Energjetikës theksojnë se sistemimi i mjeteve do të bëhet sipas nevojave specifike të grupeve të synuara: 2,3 milionë denarë janë destinuar për familjet me persona me aftësi të kufizuara të rënda intelektuale, 19 milionë për familjet me aftësi të kufizuara më të rënda fizike, 9 milionë për familjet me një person plotësisht të verbër dhe 12 milionë denarë për ato me një person plotësisht të shurdhër.
“Procedura e përzgjedhjes do të kryhet nga katër komisione të përbëra nga punonjës të Ministrisë, të ndarë sipas llojit të aftësisë së kufizuar të personit në familje. Komisionet do të shqyrtojnë aplikimet e pranuara dhe do të përcaktojnë se cilët kandidatë i plotësojnë kushtet. Lista e përfituesve që do të marrin mbështetje financiare do të bëhet publike”, thuhet në kumtesë.
Nga Ministria theksojnë se programi parashikon edhe masa shtesë për lehtësimin e qasjes energjetike, duke përfshirë lirimin e shpenzimeve për përfshirje të sërishme, prioritet në largimin e defekteve dhe masave kundër ndërprerjeve për shkak të faturave të papaguara në periudhën e dimrit. Me këtë garantohet se asnjë familje e cila përballet me rrezik social ose shëndetësor nuk do të mbetet pa mbështetje bazë energjetike.
Të gjitha informacionet, njoftimi publik dhe formulari i aplikimit do të jenë të disponueshme në faqen e internetit të Ministrisë: www.energy.gov.mk.
Ministria u bën thirrje të gjithë atyre që plotësojnë kërkesat të informohen me kohë dhe të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar.
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, siç thuhet në kumtesë, mbetet e përkushtuar për krijimin e një shoqërie energjetike të drejtë dhe të qëndrueshme, në të cilën çdo qytetar ka qasje në nevojat themelore të jetës – veçanërisht ata që kanë më shumë nevojë për to.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

